Policia e Kosovës ka raportuar pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit, të evidentuara në Prishtinë, Lipjan dhe Fushë Kosovë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rastet përfshijnë dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes, dëmtim të pronës pas një mosmarrëveshjeje familjare, tentim sulmi ndaj babait, sulm fizik ndaj vëllait, si dhe kanosje ndaj një gruaje nga bashkëshorti i saj.
Në Prishtinë, një burrë është arrestuar nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikologjike ndaj bashkëshortes. Me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Lipjan është raportuar një rast ku një grua dyshohet se ia ka marrë dhe thyer telefonin bashkëshortit pas një mosmarrëveshjeje. Të dy palët janë intervistuar dhe më pas janë liruar me urdhër të prokurorit.
Një rast tjetër në Prishtinë ka të bëjë me një tentim sulmi ndaj një burri nga djali i tij. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje.
Edhe në Fushë Kosovë është arrestuar një person, i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje verbale e ka sulmuar fizikisht vëllain e tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, në një rast tjetër në Prishtinë, një grua ka raportuar se është kanosur përmes telefonit nga bashkëshorti i saj. Viktima ka vazhduar qëndrimin te familja e saj, ndërsa i dyshuari nuk është gjetur nga policia dhe ndodhet në arrati.
Të gjitha rastet janë iniciuar dhe po trajtohen nga organet kompetente./GJILANI INFO/


