Nëntë persona janë arrestuar të mërkurën në Zubin Potok, në kuadër të një operacioni të Policisë së Kosovës për hetimin e dyshimeve për krime lufte.
Operacioni, i koduar “Dosja 23”, është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen e njësive të tjera të specializuara të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ndërlidhet me hetimet në rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera lidhur me identitetin e personave të arrestuar apo veprat konkrete për të cilat dyshohen.
Policia ka bërë të ditur se veprimet hetimore janë duke vazhduar, ndërsa për detaje të tjera pritet të njoftohet në vijim./Gjilani INFO/


