Policia e Kosovës ka regjistruar shtatë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në komuna të ndryshme të vendit, duke rezultuar me disa arrestime, persona të lënduar dhe një të dyshuar që vazhdon të jetë në arrati.
Rasti më i rëndë është shënuar në Suharekë, ku pas një konflikti familjar, një burrë dyshohet se ka plagosur me armë zjarri djalin e tij. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar një pistoletë me pesë fishekë, ndërsa viktima po merr trajtim në Spitalin e Prizrenit. I dyshuari është arrestuar dhe ndodhet në mbajtje.
Në Leposaviq, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se, nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar me thikë ish-bashkëshorten. Gruaja ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë ndihmë mjekësore, ndërsa policia ka gjetur dhe sekuestruar thikën që dyshohet se është përdorur gjatë sulmit. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast është raportuar në Gjakovë, ku një shtetase e Gjermanisë dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëjetuesi i saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe policia po punon për lokalizimin e tij.
Në Gjilan, policia ka arrestuar një burrë të dyshuar për sulm fizik ndaj ish-bashkëshortes. Viktima është trajtuar nga mjekët, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Edhe në Ferizaj është raportuar një rast i dhunës në familje, ku një grua ka deklaruar se është dhunuar nga bashkëshorti. Pas intervistimit të palëve, prokurori ka vendosur që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt.
Në Podujevë, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Prishtinë është hapur rast për veprat penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Kanosje”, pasi një burrë dyshohet se ka dëmtuar me sëpatë derën e hyrjes së shtëpisë dhe ka kërcënuar bashkëshorten dhe djalin e tij. Rasti po hetohet dhe procedohet në procedurë të rregullt./Gjilani INFO/


