Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vjet nga kthimi i ushtarëve shqiptarë në arkivole të mbyllura hermetikisht nga ish-Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ), kjo nuk ka bërë që familjet e tyre të mos kërkojnë të vërtetën e tyre.
Rastet e ushtarëve shqiptarë që ktheheshin në arkivole ishin regjistruar herët që nga viti 1951, edhe pse atëherë ishin shumë më të rralla. Në librin e tij “Ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave” të profesor Qazim Berishës janë të evidentuara gjithsej, 135 raste që përfshijnë periudhën nga viti 1951-1993.
“Më në fund e finalizova këtë libër me këtë numër 135. D.m.th janë prej vitit 1951-1993, janë 135 raste. P.sh. këta në 1951 janë 4-5 ushtarë që nuk janë kthyer as kufomat e tyre, nuk dihet për fatin e tyre ku i kanë dërguar. Në 1981 kur ishin demonstratat e fuqishme në Kosovë, e ku vranë 12 protestues shqiptarë, menjëherë filloi edhe cikli i vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave”, ka thënë për emisionin “Udhëve” në RTK, profesor Berisha.
Në Këshillin për Liritë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut nga viti 1981 kanë arritur të regjistrojnë gjithsej 68 raste. Drejtori ekzekutiv i KLMDNJ-së Behxhet Shala thotë se numri i atyre që janë të regjistruar në këtë këshill mund të jetë edhe më i madh.
“Është një numër më i madh se 68 por jo edhe shumë më i madh. Këtë e themi për faktin se vrasjet e para në armatën jugosllave, po flas për këtë pjesën e re të historisë ka filluar të jenë më intensive në vitin 1981 pas demonstratave. D.m.th nga muaji i 7-të i atij viti regjistrohet vrasja e parë e ushtarit shqiptarë, dhe në një farë mënyre përfundojnë në vitin 1994 kur shqiptarët pastaj për këtë arsye nuk iu përgjigjeshin ftesës për ushtri dhe iknin jashtë vendit”, ka thënë Shala.
Pesë familjet që humbën djemtë e tyre në ushtrinë jugosllave, ato të Abedin Krasniqit, Jetullah Deskut, Aziz Kelmendit, Hakif Zeqirit dhe e Haki Morinës, ende e kanë të freskët tërë ngjarjen se si kishin shkuar ata në shërbimin ushtarak dhe si u kishte ardhur lajmi për vdekjen e tyre. Pothuajse për të gjithë u ishte thënë që kanë bërë vetëvrasje, përveç për Hakif Zeqirin, për të cilin kishin thënë që është rrokullisur transporteri me të cilin po udhëtonte dhe Hakifi kishte vdekur nga lëndimet.
Pavarësisht që të gjithë ushtarëve pas vrasjes u bëhej autopsia, asnjë familjeje nuk u është dhënë një dokument zyrtar mbi rezultatin e autopsisë.
Gjenerallejtënant Kadri Kastrati që gjatë asaj periudhe shërbente si oficer në njërën prej kazermave të ish Armatës Jugosllave thotë se me rregulla të atëhershme çdo familjeje është dashur t’i jepet certifikata e vdekjes dhe rezultati i autopsisë.
Pavarësisht që ai kishte gradën e oficerit, edhe ai ishte torturuar, duke kërkuar që ai të bashkëpunonte me ta. Madje, ai tregon një prej rasteve që i kishte ndodhur dhe kur kishte qenë në rrezik për jetën.
“Njëri prej atyre të torturuarve kam qenë edhe vet. Me ditë të tëra me net të tëra deri në ora 12 e natës më kanë marrë në pyetje. Fillimisht kanë kërkuar që të bashkëpunoj me ta në mënyrë sekrete, të bëhem një agjent i tyre sekret. Të rri me shqiptarë, të flas gjëra patriotike t’i nxisë ata për me u hap në biseda, për t’u shfry se çka ata mendojnë për Jugosllavinë. Meqë nuk kam pranuar, dy herë kanë tentuar atentat ndaj meje, por një herë kam qenë në rrezik për jetë kur kam qenë kujdestar i kazermës. Jam zgjuar diku në mes të orës 3-4 të mëngjesit për të shkuar në banjë. E di që e kam lëshuar çezmen me pi ujë po ujë nuk kam pirë. Dikur pas një kohe kur më ka ardhur vetëdija e kam pa rreth vetes gjakun. Më kanë ra prapa kokës me diçka të mbrehtë dhe nuk kam mund të qohem në këmbë. Askush nuk ka ardhë me më marrë në pyetje se çka ka ndodh, askush nuk ma ka bë dert që me thanë çka të ka ndodhë si epror, kush të ka ra. Kjo ka kaluar në heshtje dhe aty është kuptuar që qëllimi ka qenë me ma marrë jetën“, ka rrëfyer gjenerallejtënant Kadri Kastrati.
Se shërbimi ushtarak ishte detyrim në kohën e ish Jugosllavisë, e konfirmojnë të gjitha familjet dhe se nuk kishte në asnjë mënyrë zgjidhje tjetër.
Ftesa për të kryer shërbimin ushtarak vinte gjithmonë menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme. Nuk mund të regjistroje fakultetin në rast se nuk e ke të përfunduar shërbimin ushtarak. Në rast se ikje nga vendi dhe nuk shkoje në shërbim, familja persekutohej në forma të ndryshme.
Se ata ushtarë shqiptarë që ktheheshin në arkivole nga kazermat e ushtrisë jugosllave ishin të zgjedhur paraprakisht nga strukturat që ishin në pozita të larta në institucione në Kosovë e konfirmon edhe Drejtori Ekzekutiv i KLMDNJ. Të gjitha informatat për ta, dërgoheshin para se ata të shkonin në shërbimin ushtarak.
“D.m.th ka qenë një politikë shtetërore me të cilën janë vrarë ata ushtarë shqiptarë të cilët e kanë pasur një histori qoftë kombëtare, qoftë politike, që ka qenë në kundërshtim me regjimin e atëhershëm apo ata të cilët ata i kanë vlerësuar që në të ardhmen mund të paraqesin rrezik për Jugosllavinë, prandaj i kanë eliminuar. Fillimisht janë munduar që t’i rekrutojnë që t’i bëjnë bashkëpunëtore të tyre dhe kur nuk kanë mundur ose i kanë eliminuar fizikisht ose i kanë dënuar me burg të rëndë“, ka thënë drejtori ekzekutiv i KLMDNJ-së, Behxhet Shala.
Sot pas kaq shumë vjetësh këto familje nuk arrijnë të gjejnë qetësi për të vetmen arsye. Drejtësia për djemtë dhe vëllezërit e tyre asnjëherë nuk është vënë në vend.
Disa nga familjarët që janë intervistuar kanë thënë që tashmë kanë zhvilluar takime me zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë për të koordinuar hapat në mënyrë institucionale që të kërkojnë drejtësi për bijtë e tyre.
Por, a është e mundur pas kaq vitesh të identifikohen shkaqet e vdekjes së njeriut?
Eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu thotë që pjesët kockore qëndrojnë prej 50 deri në mijëra vjet, varësisht prej vendit të varrimit. Në bazë të kësaj, nëse ka dëmtime që i kanë prekur pjesët kockore, pa asnjë problem mund të gjendet shkaku i vdekjes.
“Në qoftë se ka dëmtime të cilat mund të jenë p.sh. nga armët e zjarrit apo edhe nga mjetet e forta mprehëse pa kurrfarë problemi mund të bëhet ekshumimi dhe të gjendet shkaku i vdekjes. Normal, po flasim në qoftë se janë të prekura pjesët kockore sepse e dimë që pjesët kockore mbijetojnë së paku 50 vjet e deri në mijëra, varësisht nga vendi i varrimit. Por, në rastet konkrete sikur që e dimë, se e kemi përjetuar atë periudhë të jetës, e dimë se pothuajse secili rast ka qenë i mbyllur hermetikisht në arkivole metalike që në një farë forme e ka edhe një të mirë që nuk i ka dëmtuar pjesët kockore. Dhe në qoftë se kanë mbetur dëmtimet në këto pjesë kockore pa kurrfarë problemi mund të gjendet shkaku i vdekjes”, ka thënë Gërxhaliu.
Por, për të ardhur në këtë pikë, secila familje duhet të drejtohet tek Prokuroria e vendit ku jeton me një kërkesë. /rtk/