“Tashmë ka filluar ndërtimi i një fabrike në komunën tonë, investim nga diaspora ky që tejkalon shifrën 10 milionë euro dhe do të punësojë mbi 150 punëtorë”
Gjatë vizitës së kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në Zvicër, platforma mediale albinfo.ch ka realizuar një intervistë, ku ai flet për qëllimin e vizitës, takimet që do të realizojë me ndërmarrësit shqiptarë në Zvicër etj. Hyseni ka shpalosur me këtë rast mundësitë dhe lehtësitë që Komuna e Gjilanit u ofron mërgimtarëve për investime.
Albinfo.ch: Z. Hyseni, këto ditë do të qëndroni në Zvicër, përkatësisht në Näfels, në një takim me ndërmarrës nga diaspora shqiptare. Për çfarë takimi bëhet fjalë?
Alban Hyseni: Takimi është organizuar nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. Jemi të ftuar bashkë me kryetarë të tjerë të komunave dhe ambasadorë. Qëllimi është që të shohim mundësinë e investimeve nga bizneset e diasporës shqiptare në vendlindjen e tyre ose në qytetet shqiptare.
Albinfo.ch: Çfarë prisni nga këto takime me bizneset?
Alban Hyseni: Takimet e tilla na japin mundësinë që direkt të prezantojmë mundësitë e investimeve. Të tregojmë për projektet në të cilat po punojmë. Të tregojmë për mundësitë që ofron Kosova e në rastin tim, komuna e Gjilanit. Pres që pas këtij takimi të kemi rastin më konkretisht të vazhdohet diskutimi i detajuar me investitorë potencial.
Albinfo.ch: Çfarë konkretisht u mundësoni mërgimtarëve nëse vendosin të investojnë në Gjilan?
Alban Hyseni: Ofrojmë ngrohtësinë e atdheut, ajo që bashkatdhetarëve tanë u mungon më së shumti. Ndërsa ne kemi filluar projektin e zonës ekonomike. Ofrojmë një rini/fuqi punëtore të mirë edukuar, të vullnetshme për punë si dhe pozicion strategjik gjeografikisht. Ndërsa në nivel vendi, Kosova ofron politika fiskale që janë dukshëm më të favorshme në krahasim me vendet e rajonit.
Albinfo.ch: A ka kompetenca komuna t’u ofrojë mundësi investimi, kur dihet se kompetencat kryesore janë të qeverisë?
Alban Hyseni: Sigurisht që po. Ne ofrojmë pronën publike në shfrytëzim me kosto shumë të ulët, infrastrukturën bazë, taksa shumë të ulëta komunale që janë më shumë simbolike si dhe gatishmëri për të ndihmuar dhe asistuar në secilin proces a sfidë që mund të paraqitet dhe e gjithë kjo me korrektësinë më të lartë të mundshme.
Albinfo.ch: Dihet që shtyllat e një shteti të zhvilluar janë bizneset private, përmes të cilave shteti mbush arkën. Në mesin e afaristëve në Gjilan dhe bashkatdhetarëve që kanë investuar, ekziston një bindje që ata nuk janë prioritet i kësaj qeverie dhe që nuk po marrin vëmendjen e duhur. Pse ndodh kjo?
Alban Hyseni: Meqë nuk është bindje e perceptim imi, unë as nuk mund të jap përgjigje. Edhe po të përgjigjesha, do të pajtohesha me këtë konstatim, gjë që nuk është as përshtypje as bindje imja. Nuk e di se cilat janë sfidat e pengesat, pra arsyet pse është ky vlerësim. Por mund të them që në Kosovën e pasluftës, asnjëherë deri më tani nuk ka pasur qeveri në periudhën e së cilës ka pasur më shume sundim të ligjit. Jam i bindur që në këtë rast mund të flas edhe në emër të Qeverisë së Kosovës, se çdo ndërmarrës është më shumë se i mirëpritur dhe institucionet do të jenë në shërbim të tyre për nevojat eventuale që mund t`i kenë.
Albinfo.ch: A keni lidhur tashmë kontakte me bizneset e diasporës?
Alban Hyseni: Sigurisht që po. Drejtori i bordit të rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare, Fehmi Fetahi është njëherësh edhe investitori më i madh nga diaspora në Komunën e Gjilanit. Përmes tij por edhe në rrugë të tjera, jemi vazhdimisht në komunikim me ndërmarrësit nga diaspora.
Albinfo.ch: Në këtë vit, a keni pritje reale që të ketë investime nga diaspora në Gjilan, dhe ku?
Alban Hyseni: Tashmë ka filluar ndërtimi i një fabrike në komunën tonë, investim ky që tejkalon shifrën 10 milionë euro dhe do të punësoj mbi 150 punëtorë. Bashkë me Kryeministrin Albin Kurti ishim në vënien e gurthemelit. Besoj që këtë vit do të ketë edhe investitorë të tjerë nga diaspora.
Albinfo.ch: Ku e mbështetni besimin se do t’i bindni bashkatdhetarët tanë që të vijnë të investojnë në Gjilan?
Alban Hyseni: Në qeverisjen progresive, që investon në arsim duke u bazuar në nevojat e tregut të punës, në qeverisjen e pastër e të ndershme, në qeverisjen që investimet dhe projektet i ka zhvillimore.
Albinfo.ch: Çfarë u premtoni bashkatdhetarëve në kohën e pushimeve të tyre në Gjilan, ndoshta këtë verë nuk do t’i sanoni rrugët në kohë të pushimeve si vitin e kaluar?
Alban Hyseni: Komuna e Gjilanit asnjë projekt të vetëm nuk e ka realizuar në kohën kur kemi pasur pushime dhe bashkatdhetarë në vendlindje. Ju e keni fjalën për projekte që janë edhe të kontraktuara, por edhe në kompetencë të MMPHI (Ministria e Infrastrukturës). Kur kanë filluar punimet në vitin e kaluar, pavarësisht që ne nuk jemi kompetent dhe nuk janë kontrata të Komunës së Gjilanit, kemi ftuar për takim kompaninë, për t’u siguruar që punimet të përmbyllen para kohës së pushimeve. Ne kemi marrë këtë zotim nga ata, por ai nuk është përmbushur. Kemi njoftuar ministrinë për këtë dhe kemi kërkuar që të merren masa ndaj operatorit.
Këtë vit kemi shumë projekte transformuese për qytetin dhe punimet do të fillojnë. Mos harroni që projektet e mëdha e transformuese nuk mund të realizohen pa penguar qarkullimin. Por jemi siguruar që realizimi i tyre të përcillet me një dinamikë që nuk shkakton probleme në afate të gjata kohore!
Albinfo.ch: Cilat projekte keni realizuar gjatë qeverisjes tuaj në komunën e Gjilanit?
Alban Hyseni: Është e vështirë të numëroj të gjitha projektet. Janë mbi 9 milionë euro investime kapitale, gjithandej komunës. Në vitin 2022 realizimi i buxhetit për investime kapitale është rreth 96%, ndërsa në 2023 rreth 70%!
– Nga 15 fshatra pa ujë të pijes tash janë kryer 5 sosh!
– Miliona euro të investuara në arsim. Rreth 700 mijë euro vetëm në shkollën e mesme teknike ku numri i nxënësve të regjistruar është dyfishuar.
– Në shëndetësi po ashtu investime milionëshe. Niveli primar shëndetësor tashmë ofron shërbimin e mamografisë dhe PAP testin. Rreth 1500 gra e vajza kanë marrë shërbime pa pagesë në 6 muajt e fundit.
– 135 mijë euro janë ndarë nga Fondi për Ndërmarrësit e ri për 45 përfitues, 38 gra e vajza dhe 7 burra kanë përfituar nga.
– Në Bujqësi, nga 400 mijë buxhet të trashëguar në 2022, në vitin 2023 buxheti për këtë sektor ishte mbi 1.5 milionë euro. Nga 2500 fermerë të regjistruar, kanë përfituar 1500 brenda vetëm një viti.
– Të gjithë këto punë dhe shumë të tjera, i kemi realizuar me performancë të jashtëzakonshme buxhetore. Nga 26 milionë euro borxhe, prej të cilave 12 milionë borxhe reale dhe 14 milion borxhe kontingjente, kemi arritur të paguajmë 10 milionë në vetëm dy vitet e para. 8.705.501 euro janë shpronësime, të tjerat projekte të realizuara por të lëna si obligim nga e kaluara.
– Në të hyrat komunale, në dy vitet deri më tani kemi tejkaluar planifikimet për qindra mijëra euro.
Albinfo.ch.: E dimë që nuk është në kompetencën tuaj, por a mund të na thoni kur mendoni se do të bëhet realitet autostrada shumë e përfolur e Gjilanit?
Alban Hyseni: Sikur të gjitha projektet e tjera madhore, edhe autostrada është projekt i trashëguar e me shumë probleme. Janë trajtuar një pjesë e madhe e tyre dhe buxheti në tërësi është në dispozicion. Nga ajo që më është thënë në Ministrinë e Infrastrukturës, projekti i autostradës deri në Bresalc të Gjilanit do të përfundojë këtë vit. Ndërsa në planifikim të buxhetit është edhe vazhdimi deri te pika kufitare Dheu i Bardhë.