Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, në seancën e sotme, ka diskutuar për raportin e punës së kryetarit për vitin 2025, raportin e punës së kryetarit janar – qershor 2026, sikurse edhe raportin financiar janar – qershor 2026, ndërkaq ka miratuar planin ndërkomunal për menaxhimin e integruar të mbeturinave për Rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt, rishqyrtimin dhe harmonizimin e vendimit për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa (kërkesë e MAPL-së), kërkesën nga Njësia e të Drejtave të Njeriut për themelimin e Komitetit për Barazi Gjinore e kërkesën për aprovimin e vlerësimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për periudhën mars-qershor 2026.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, teksa ka paraqitur raportin për vitin 2025 dhe raportin gjashtëmujor 2026 para kuvendarëve për secilën drejtori, veç e veç, ka theksuar projektet e shumta komunitare të realizuara në të gjitha fushat, ku pozita (LVV me partnerët) i kanë dhënë përkrahje këtyre raporteve, derisa opozita (LDK, PDK e AAK), ka paraqitur vërejtjet e shumta të tyre.
Në këtë seancë është miratuar edhe propozim vendimi për emërimin e Komisionit për zgjedhjen e këshillave lokalë, propozim vendimi për emërimin e Komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, propozim vendimi për emërimin e Komisionit për plotësimin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave si dhe për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave, propozim vendimi për emërimin e Këshillit Komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i komunës së Gjilanit, propozim vendimin për emërimin e Komisionit të përhershëm për përcaktimin e listës së lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve e simboleve dhe propozim vendimi për shpalljen e interesit publik të një parcele afër gjimnazit “Xhavit Ahmeti”.
Në seancën e sotme kanë marrë pjesë me diskutime, pyetje e rekomandime edhe anëtarët e Kuvendit, Riad Rashiti, Gentrit Murseli, Bujar Nevzati, Fitim Guda, Arbër Ismajli, Sami Ahmeti, Fatos Ramadani, Artan Cani, Muhadin Haziri, Gresa Avdiu, Bekim Salihu, Besnik Shala, Astrit Sherifi e Fadil Ademi, të cilëve u është përgjigjur kryetari Alban Hyseni dhe drejtorët komunalë, Eljesa Rashiti, Kushtrim Ibrahimi, Jeton Rexhepi, Mimozë Kadriu Qerimi dhe Avdyl Kastrati.
Ndryshe, në këtë seancë e ka dhënë betimin anëtari më i ri i Kuvendit, Andi Shkodra (LVV) i cili e zëvendëson Arianit Sadikun, pasi ky i fundit u emërua në pozitën e nënkryetarit të Komunës. /Gjilani INFO/


