Adem Nimani
Për realizimin e qëllimeve të veta të zeza, UDB-ja – jo një herë, por shumë herë – vrau fëmijët serbë dhe ky nuk është sekret. Se sa herë UDB-ja ka kurdisur eksese ndëretnike, këtë e dinë goxha shumë njerëz. Por, kjo nuk mjafton. Askush nuk mund të thotë se e di saktë se sa shqiptarë ka vrarë e zhdukur ky shërbim terrorist. Ky shërbim ka nxitur vrasjet mes shqiptarëve me metoda të njohura e të panjohura, por edhe ka shtuar mënyrat tjera për ta nxitur dhe për ta mbuluar krimin.
Sa vrasje kanë ndodhur në Kosovë pas hyrjes së trupave ushtarake ndërkombëtare? Ishin ca hetime, por në gjykimet e rastit rrallë mund të jetë dëgjuar ndonjë dyshim se UDB-ja ka pasur dorë në ato vrasje.
UDB-ja e ka njohur dhe e njeh mirë edhe mentalitetin shqiptar, futjen e lehtë të përçarjes të cilën e ka shfrytëzuar për më shumë se 100 vjet. Ndërkaq, qe krijuar një bindje se shqiptarët po vriten mes veti. Dhe, ashtu vazhdon deri më sot.
Para pak kohësh, Vuk Drashkoviqi ka thënë se UDB-ja likuidonte edhe shqiptarët luajalë ndaj Serbisë, me qëllim të vetëm që ta thellonte urrejtjen serbe ndaj shqiptarëve dhe që krimet t’ua vishte shqiptarëve. Në këto pak fjalë të Drshkoviqit, fshihet enigma me të cilën nuk u morën asnjëherë ata që duhet. Sidomos pas luftës, pakkush e ka zënë në gojë veprimtarinë kriminale të shërbimeve serbe.
Pse e kanë ftuar në bisedë informative në Prokurori, ajo punë duket si përpjekje për të mbuluar veprimet e regjimit të Beogradit dhe për të vajtuar rusët që po vriten në Ukrainën e tij “të dashur”. Gjatë intervistës thekson së në qytetin Bahmut – ku po zhvillohen luftimet e ashpra – ka popullatë serbe të dëbuar në kohën e pushtimit austro-hungarez të Serbisë, gjatë Luftës së Parë Botërore. Krejt paraqitjet e tij kanë në fokus hutimin e shqiptarëve, kinse Serbia e tij po demokratizohet. E, paraqitjet e tij edhe po shpërndahen me të madhe, pa asnjë analizë.
Çdo lajm a informatë, për cilëndo masakër serbe, në cilën do pjesë të Kosovës nuk cilësohet si p. sh. Masakra serbe në Izbicë, por si Masakra e Izbicës. Pse të quhet Masakra e Rezallës apo Masakra e Poklekut e jo Masakra serbe e Rezallës apo Masakra serbe në Poklek”? Nga këta tituj të painformuarit mund të fitojnë përshtypjen se ata fshatarë janë vetëmasakruar. Vetëm në vazhdim të informacionit (më vonë), dëgjojmë a lexojmë ndonjë fjalë a fjali se kush i masakroi shqiptarët në shtëpitë e veta.
Nga informatat që ka Drashkoviqi nga dora e parë, nxjerr vetëm fjalitë që i duhen. Edhe Drashkoviqi, ashtu si Vuçiqi, e di saktë se ku janë varrosur shqiptarët e vrarë e të zhdukur gjatë luftës nga ushtria dhe policia serbe? Drashkoviqi, i cili ishte shumë aktiv e në funksione të larta të shtetit serb, pikërisht gjatë kohës së luftës, e di mirë se cila është e vërteta kur thotë: Ishte e hënë, 14 dhjetor i vitit 1998, disa minuta pas mesnate kur nëpër rrugët e qytetit të Pejës patrullonin ushtarët e RFJ-së, forcat paramilitare të Serbisë, hamerët e njësitet e policisë speciale serbe (JSO) të Millorad Ulemek-Legisë. Në një kafene me emrin “Panda”, afër gjimnazit “Sveti Sava”, ndërhynë terroristët. “Ua!” – u gërvallen ata dhe shtinë me armë, pastaj vrapuan në rrugë. Askush nga ushtarët dhe policia nuk i ndaloi. U dëgjuan sirenat e hamerëve të JSO-së. ‘’Afër karrigeve, ku ishin ulur nxënësit, ishin shtrirë gjashtë nxënës serbë të vdekur, e dy të plagosur”, tha Drashkoviqi. “Shumë shpejt, për ta ndërprerë katastrofën humanitare të shqiptarëve, pasoi bombardimi i Serbisë nga NATO. Afër 800 mijë shqiptarë Serbia i dëboi nga shtëpitë e veta për në Shqipëri, për në Maqedoni dhe në Mal të Zi, ndërsa mijëra të tjerë, varfanjakë duarthatë, pleq, gra e fëmijë që i vranë serbët, i morën dhe hodhën nëpër lumenj dhe nëpër liqene të Serbisë, në varreza masive sekrete – si ajo në poligonin e policisë në Beograd”. “Millosheviqi e humbi luftën me NATO-n. Ai e nënshkroi kapitullimin, ndërsa me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, Serbia, si shtet banditësh, u dëbua nga Kosova, ndërsa Hitleri serb vdiq në burgun e Hagës”, shton ai.
Pushteti serb vazhdoi ta përkujtonte masakrën në çdo përvjetor, ashtu si në ditën kur ndodhi, duke trumbetuar lajmin si në ditën e krimit dhe duke e konsideruar si vepër të “terroristëve shqiptarë”. Krejt papritmas, 15 vjet pas vrasjes së nxënësve serbë në “Panda”, me 28 dhjetor 2013, Aleksandër Vuçiqi – asokohe nënkryetar i Qeverisë së Serbisë dhe koordinator i shërbimit të sigurimit – kur po i drejtohej opinionit të Serbisë kumton se këtë masakër nuk e kanë kryer shqiptarët, as shërbimet e huaja sekrete, dhe se Serbia do të tronditet kur ta kuptojë të vërteten. Vuçiqi, edhe si kryeministër apo si president i Serbisë, e ka përsëritur këtë deklaratë, por emrat e terroristëve dhe të atyre që urdhëruan vrasjen e nxënësve serbë vazhdojnë të mbesin enigmë. Vuçiqi as nuk i priti prindërit e atyre fëmijëve fatkeq serbë dhe as nuk e zbuloi kurrë të vërtetën, siç duhet.
Ndoshta vet ai ka marrë përgjigje nga prokurori i shtetit?