Nga : Gani Bajrami
Pasi e lexova dhe e rilexova dorëshkrimin e Gani Zagragjes, të cilin ai synonte ta publikonte si një broshurë familjare, ndërrova mendjen. Pse ky dorëshkrim të mos jetë një libër modest për lexuesit, pasi rrugëtimi jetësor i autorit del tejet i bujshëm dhe me plot gjurmë nderi e krenarie? Pse lexuesit të mos i ofrohet një libër nga pena e këtij autori, emri i të cilit nuk është i panjohur për opinionin, sepse pos mësues, arsimtar e profesor i disa brezave shkollarësh të komunës së Istogut, ai një kohë të gjatë ushtroi në Prishtinë edhe profesionin e gazetarit dhe redaktorit.
Edhe mënyra se si Gani Zagragja i qaset jetëshkrimit të tij, ma forcoi bindjen se ky libër autobiografik, pos për kujtesën historike jetësore të familjes së autorit, mund të jetë i dobishëm edhe për kujtesën historike të gjithë trevës sonë shqipfolëse, sepse rikujton dhe pasqyron disa ngjarje më të hershme dhe më të vonshme të nënqiellit tonë kosovar. Sepse, në këtë libër autobiografik, autori duke prezantuar kujtimet, përvojat dhe momentet më të rëndësishme të jetës së tij dhe të familjes, ai jep edhe shumë informacione për zhvillimet që kanë kaluar shqiptarët në ish-Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore.
Duke shkruar për vetveten dhe familjen e tij, autori Gani Zagragja në librin “Shkundje kujtese” pasqyron një rreth të gjerë ngjarjesh e dukurish nga jeta, situata dhe karaktere të ndryshme, që shtjellohen dhe ndërlidhen me kohën e me jetën e shoqërisë. Para lexuesit paraqiten, në disa rrafshe, pamje e tablo jete të bujshme të autorit dhe të bashkëkombësve, si dhe tipizohen edhe disa personazhe karakteristike të kohës. Nëpërmjet kujtimeve autori Zagragja me rrëfimin e tij shpërfaq edhe dramën e madhe që luhej në kurriz të shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare që mbeten të pushtuara nën ortodoksit sllavo-grek.
Libri “Shkundje kujtese” përbëhet nga dy pjesë dhe një shtojcë. Pjesa e parë, që është bazamenti i librit autobiografik, ka pesë kapituj, të shkruar me një stil të thjeshtë, por të rrjedhshëm, në të cilët pasqyrohet jeta dhe veprimtaria e autorit, si dhe disa të dhëna kryesore për familjen e tij. Në pjesën e parë të librit pasqyrohen momentet kryesore të jetës: lindja e vendlindja, vitet e rinisë, shkollimi fillor dhe i mesëm, studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, veprimtaria e tij si mësimdhënës në Zallq, Gurrakoc e Istog dhe pastaj si gazetar e redaktor në Radio Prishtinë dhe në “Gazeta e delegatëve”. Në pjesën e dytë janë prezantuar disa pikëpamje e vështrime të autorit në formë të opinioneve të tij. Është kjo një përmbledhje e disa shkrimeve të përzgjedhura, të emetuara apo të botuara në mediat tona, që si sasi nuk përbën as 10 % të shkrimeve të këtij autori gjatë dy-tre dekadave të fundit. Ato shkrime lexuesit i prezantohen pa ndërhyrje, pra duke ruajtur shenjën e kohës apo periudhës kur janë shkruar. Në fund të librit është dhënë një shtojcë që i kushtohet aktivitetit të Shoqatës “Vëllezërit dhe miqtë e Dr. Ibrahim Rugovës” me themelimin dhe punën e së cilës është ngushtë i lidhur emri i Gani Zagragjës. Pra, libri paraqet dy anë të medaljes: njërën që ndriçon pjesë të rrugës jetësore të autorit bashkë me familjen për shumë dekada, duke kaluar nëpër sfida të ndryshme dhe tjetrën si gjakim individual dhe kolektiv për një të ardhme që do të sillte çlirim dhe bashkim kombëtar të shqiptarëve si popull i vjetër me kulturë perëndimore i Gadishullit të Ballkanit.
Ky libër autobiografik është shenjë fare e vogël për veprimtarinë e shumanshme dhe ndihmesën e madhe që ka dhënë autori në zhvillimin e arsimit shqip jo vetëm me ushtrimin e profesionit të mësuesit, arsimtarit e profesorit, por edhe të sekretarit të parë të Bashkësisë së Arsimit të Komunës së Istogut, si dhe të gazetarit në Radio Prishtinë dhe në “Gazeta e delegatëve”. Mendoj që në këtë libër kërshërinë e lexuesit do ta ngjallë fakti i shkollimit të autorit në rrethana shumë specifike për kushtet dhe kohën e tij.
Për lexuesin nuk do të mbetet e pavërejtur këmbëngulësia e autorit për ta mbaruar fakultetin dhe për ta fituar titullin e profesorit duke u radhitur ndër të parët me diplomë fakulteti në komunën e Istogut, ndërsa i pari nga vëllazëria Zagragja e Vuli (Kelmendi) që ishte një komuniteti jo aq i vogël muhaxhirësh nga Toplica, që arriti të mbajë lidhje gjaku të pashkëputura për më shumë se një shekull e gjysmë.
Lexuesi nuk do ta ketë të vështirë ta portretizojë dhe ta pasqyrojë rrugëtimin e një shkollari të parë jo vetëm të fisit Zagragja, por edhe më gjerë të komunës së Istogut, një pishtari të arsimit që shpërndante rreze diturie gjithandej ndër breza shkollarësh, një intelektuali të kohës së pas Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët po i kuronin plagët e luftës, plagët e tradhtisë së komunizmit dhe plagët e analfabetizmit. Aty në mes të atyre njerëzve me plagë lexuesi do ta imagjinoj përpëlitjen për mbijetesë të të riut Gani Zagragja, i cili jo që nuk po dorëzohej vet, por prapa po tërhiqte breza shkollarësh të përgatitur për t’u ballafaquar me errësirën e paditurisë dhe me pushtuesin e atdheut tonë.
I tillë ishte në rini Gani Zagragja dhe i tillë mbeti, si një forcë e pandalshme motivuese për rrugëtimin drejt vlerave kombëtare e njerëzore. Ai, kudo që ishte e vepronte, mbante vetëbesimin e plotë për t’u përballë me valët e jetës e të fatit. Çdo gjë e bëri me përkushtimin e me shpirtin prej patrioti dhe asnjëherë nuk ndjeu lodhje, e kurrë nuk u kthye prapa, e as përgjegjësinë e vet nuk e adresoi te të tjerët. Këto virtyte të dalluara të tij nuk ka qenë vështirë t’i hetojnë te Gani Zagragja jo vetëm ata që punuan e bashkëvepruan me të, por edhe ata që e njohën. Prandaj nuk ishte e rastit që Ganiun edhe ta kishin lakmi për këtë virtyt që rrallë e hasim te të tjerët.
Duke e lexuar librin “Shkundje kujtese” lexuesi i vëmendshëm heton se autori tërë jetën synoi dhe punoi, që atdheu i tij, Kosova, duke qenë i ndarë padrejtësisht me kufijtë politik nga trungu etnik, të ndihej e të mendonte si shteti amë, Shqipëria, për çështjet kyçe, siç janë: gjuha, flamuri e kombi. Këtu lexuesi mund të mësojë se edhe në kohët më të rënda të diktaturës serbo-komuniste dhe të hegjemonizmit serb, autori nuk stepej nga puna dhe vizioni i tij. Përkundrazi ai del njeri i guximshëm që i kundërvihej në atë kohë me kurajën intelektuale edhe kuadrove të partisë, bile duke u dalë edhe në krahë atyre që i goditi partia vetëm pse ishin shqiptarë dhe angazhoheshin për prosperitetin e përgjithshëm të shqiptarëve.
Vëmendjes së lexuesit nuk do t’i ikë fakti se në fillim të viteve 60 të shekullit të kaluar, Gani Zagragja shenjëzohet si një i ri ambicioz, me një të ardhme premtuese dhe si i tillë përzgjidhet për avancim, pikërisht nga komunistët e hegjemonizmit serbë, sigurisht me hile dhe me prapavijë të caktuar. Fillimisht e rekrutojnë për shkollim për oficerë rezervë gjatë shërbimit ushtarak dhe më vonë e angazhojnë edhe në politikë, për ta udhëhequr një komitet lokal të PKJ-së (Partisë Komuniste të Jugosllavisë), por duke e mbajtur vazhdimisht në shënjestër bashkë me familjen e tij, e cila pa hamendje po vazhdonte traditën e atdhedashurisë. Djalin e madh, Burimin, ia burgosen më 1976 derisa ishte adoleshent, nxënës i gjimnazit, si dhe më 1981, për të dytën herë, në kohën e demonstratave. Dhe të dy, babë e bir, ndiqeshin politikisht njëri për shkak të tjetrit,
Pushtuesit sllavë, nëpërmjet UDB-së dhe partisë komuniste, Gani Zagragjën e ndoqën politikisht derisa e shpallën ideopolitikisht të papërshtatshëm. Si i përndjekur politik, Ganiu i pati në qafë në vazhdimësi hienat e UDB-së serbo-sllave derisa e përjashtuan nga partia, ia morën gradat e oficerit rezervë dhe e larguan nga puna si tepricë teknologjike 2-3 vjet para pensionimit,
Mirëpo, djaloshit ambicioz dhe më vonë burrit shumë të autoritetshëm që ëndërronte lirinë e barazinë dhe arsimimin e kombit të vet, nuk i shkoi mundi kot. Ai la gjurmë nderi e krenarie me kontributin që dha në arsim, në zbutje të shkallës së lartë të analfabetizmit dhe në luftë për barazi e liri kombëtare. Ishte kjo një jetë e mbushur me sakrificë, sfida e përpjekje të vazhdueshme, me guxim e qëndrim të pamposhtur. Ishte epoka e tij kur kreu misionin e vet me shumë pasion dhe përkushtim, dhe u bë shumë i dashur për të gjithë ata që e njihnin, punonin dhe vepronin me të.
Në jetëshkrimin autobiografik të Gani Zagragjës të bie në sy çiltërsia e autorit, i cili me shumë sinqeritet dhe dashuri, shkruan jo vetëm për familjen e vet, duke qenë shumë falënderues për prindërit, veçmas babin, dhe motrat e tij, që asnjëherë nuk e bënë të ndihet i vetmuar, por ai është shumë mirënjohës për të gjithë ata që e ndihmuan, madje duke i veçuar disa prej tyre, Nëpërmjet këtij libri lexuesit do ta njohin jo vetëm jetën dhe veprimtarinë e këtij personaliteti, që do të mbetet model për t’u ndjekur nga brezat e rinj, por do të mësojnë edhe ç’vend zë kjo veprimtari në tërësinë e arsimit dhe kulturës shqiptare. Njëkohësisht do të mësojnë rrëfimin për rrugën e qëndresës jo vetëm të individit, por edhe të një populli të plagosur rendë, që ec e nuk ndalet deri të bëhet zot i fatit të vet.
Prandaj, nuk ishte e rastësishme dëshira e Gani Zagragjës që një libër të tillë jetëshkrimor, apo autobiografik, t’ua lë trashëgimtarëve të vet duke ua përcjellë mesazhin se nuk duhet të humbet shpresa dhe besimi, se me punë e përkushtim arrihet çdo gjë, se në jetë çdo gjë është e mundur aty ku investohen koha, vullneti dhe shpirti.