Nga: Alfred Çapaliku
“Musine Kokalari afirmohet vendimtarisht në vijen e mirë të letërsisë shqipe , jo si relativitet femeror, si mund ta shohë dikush, por si vlerë absolute.” – Mitrush Kuteli
Musine Kokalari (Adana, 10 shkurt 1917 – Rrëshen, 13 gusht 1983) është e para femër në historinë e letërsisë shqipe e cila shkruan dhe boton një libër artistik. Në vëllimin me skica e tregime “Siç më thotë nënua plakë” (Tiranë 1939), shkrimtarja e re 22 vjeçare arrin të realizojë në sinkroni të menduarit dhe të shkruarit gjinor nëpër arketipat feministë. Dallimi i stilit të Musines tek 80 faqet e veprës, në krahasim me mbarë teksturën artistike të autorëve më në zë të letërsisë së viteve 1930-‘40, lind nga të shprehurit e veçantë gjuhësor. Është një modalitet depërtues, një pikë shikimi e dalluar mes grave dhe burrave, e shprehur gjer në limite për t’u lexuar në çelësa femërorë.
Dhjetë skenat e mikrotregimeve etnografike, skicave portretizuese, vizatimeve profilizuese, ndodhive fragmentare, kallëzimeve minimaliste, rrëfenjave intriguese, rrëfimeve apologjike, kujtimeve të sakta, përshkrimeve të imëta dhe të thashathemeve krejt flu, kanë në qerthullin e tyre veç dy figura femërore. Ato gra e vajza ndodhen vazhdimisht në një mjedis të mbyllur familjar: brenda një shtëpie prej guri apo këndej një dritareje prej qelqi, në një odë pritjeje apo në një kuzhinë karakteristike, poshtë një shkalle mbi rrugë apo rreth një oborri me avlli, te një prag porte prej druri të gdhendur apo te një cep mëhalle të shtruar me kalldrëm. Femrat zhvillojnë më shumë monologë sesa shkëmbejnë dialogë, mbasi njëra flet pa pushim e tjetra pohon apo mohon, me ndryshime në gjestikulacione dhe me transformime në mimikë.
Në fabulat tregimtare, shoqëruar rrallë me përshkrim e peizazh, personazhet janë çift: gjyshja me mbesën, dy fqinjet inatçore, dy kunatat, dy gratë e reja, dy mëhallalijet, vjehrra me nusen, nëna me të bijën, dy shoqet, dy motrat e martuara, apo dy qytetaret gjirokastrite. Galeria e miniaturave aq origjinale nga gruaja tek gruaja me subjekt gjinor, imazhet letrare të natyrës e botës femërore, si dhe kundërshtimi i dukshëm qartë i ideologjisë patriarkale tradicionale, befasuan lexuesit e zakonshëm dhe tërhoqën vëmendjen e kritikëve letrarë të gjysmës së parë të shekullit XX, si Filip Fishta, Vangjel Koça, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, etj.
SIÇ MË THOTË NËNUA PLAKË
Pyetja kurioze e mbesës ndaj gjyshes, sesi jetonte ajo kur ishte çupë, vërtit përqeshjen e nënos plakë ndaj vajzave e nuseve të kohëve të reja. Kundërvënia e gjyshes ndaj femrave të ditës është i plotë. Ai përfshin çdo veprim të qortueshëm: si vishen, si ecin , si zbaviten, sa janë vajza. Dhe kur martohen, nënua plakë u numëron nuseve vargun e të metave: si rrinë gjithë ditën e ditës shtrirë, si nuk zënë punë me dorë, si nuk e vrasin mënden fare, si s’ ngrenë qimen nga qulli. Për të gjitha këto fajin e kanë jo vetëm zivo-gavot e shkollës, por edhe burrat që u bënë gra. Si kritizere e pandreqshme gjyshja s’kursen as mbesën e saj, që gjatë ngjarjes pa lëvizje e dëgjon të moshuarën në heshtje të plotë.
Portreti i nënos, fiksuar pas të shkuarës, u projektua si filmi në ekran tre vite më pas, më 1942, tek poema satirike “Hanko Halla” e Ali Asllanit, ku shohim sozien e saj: hankon e rënë nga vakti, mbajtur pas derës së madhe. Dallimet mes profileve të dy plakave spikasin jo vetëm nga teknikat e ndryshme të aktshkrimit: në rreshta apo në vargje, por edhe në aspektet e ndryshme të letërsisë gjinore. Prozatorja Musine Kokalari paraqet këndvështrim femëror në personazhen stoike të Nënos: “Pse më dridhen ashtu, ç’janë ato roba që më bëjnë pas trupit , sikur do t’u çahen veshur. Ç’janë ato nisëla, ata të kuq e të bardhë që më vënë, po për nusëri çdo të lënë. … Të thom, u-bëra kaqë, nuk di se si është të thënit e emërit të burrit. U-bëra me gjashtë fëmilë, nuk thaçë di fjalë radha me të ndjerin: na, ama, merre, jepe, atë, këtë, këto qenë fjalët t’ona”.
PËR MUSTAQET E ÇELOS
Fqinjet grindavece, zonja Hava dhe Merushja, zhurmojnë në faqet e tregimit si dallgë. Qetësia vjen kur ndërhyn me takt plaka e urtë, teto Shekua, të cilën e dëgjojnë të mëdhenj e të vegjël: “… dhe jeni gra të shkuara edhe na muartë mënden me marrëzitë t’uaja”.
Por vetëm pas një çasti ngatërresa midis tyre vazhdon si tallaz. Të dyja s’mund të rrinë pa folur, ngaqë llafazanllëkun e kanë ves dhe zënkën e kanë mënyrë jetese. Avazi i tyre është gërryes e me hedhje të shpeshta degë më degë. Ndërprerja e fjalëve të njëra – tjetrës sjell devijim të bisedës gjer në absurditet… Atëherë e moshuara plot mend, por e privuar nga fuqia fizike, thërret në ndihmë shoqet e saj Paqon e Huznon, dhe të trija bashkë i fusin me zor brenda dyerve të rënda dy shamataxheshat.Tregimi ngrihet mbi antitezën e goditur mes grave të urta fjalëpakta dhe atyre bjerraditëse fjalëshumta, që zihen në sokak: “… gjëthënjë po ato dhe për se?”.
Poeti Lasgush Poradeci e analizoi tregimin në kuadrin e gjithë përmbledhjes me prozë të shkurtë të Musine Kokalarit: “Gruaja e l a g j ë s – e dyerve dhe e portave, vizitonjësja e vatrës dhe oborit, fjalamania tradicionale që përfaqëson tipin e përbashkët dhe të përditshëm të intrigonjëses, të intrigantes, të asaj që bën intriga, që fut fitila, që shtje spica, që shan dhe theth në sherr dhe shtyn në ndarje – kjo: m ë h a l l a x h e s h a shqiptare e pavdekur për gjithë herën dhe për gjithë kohën, përbën fondin e inspirimit të librës S i ç m ë t h o t ë n ë n u a p l a k ë … Ç’duhet përfunduar prej kësaj prove shkrimi femëror? Ne i falemi nderit me gjith zemër për paraqitjen letrare të këtyre subjekteve të neveritura, veçanërisht për stilin e ri, substancial, që i-u ka përshtatur me aq vërrejtje shpirtërore dhe që është në gjithë kuptimin e fjalës shenja e një talenti të pamohuarshëm.” (1)
BURRI SHOKU QENIT
Martesa e një vejani në qytet as dyzet ditë pas vdekjes së të shoqes ndesh në kundërshtimin moral të dy kunatave, meqë në ritualin e mortit ai ishte betuar me qarje: “… do të rrit fëmilën vetë”.
Tre fëmijët shpërndahen si zogjtë e korbit tek nënëdajua dhe tek xhaxhesha. Ndërsa vajza e madhe e mbahet në shtëpi vetëm për t’u shtruar në punë si robinjë nga njerka dërdëllitëse: “… jam e re dhe s’kam gëzuar të rit’ e mi, do të bëj qejf si shoqet e mija”.
Dhimbja e thellë e kunatave për nënën fatzezë e jetëshkurtër përzihet me qesëndisjen e talljen ndaj burrave me dy fytyra:“Sa i zihet besë gjarpërit, aqë i zihet dhe burrit. Ngreje nga mendja, sa pa kthier krahat, pa u mbillur ndënë dhe, se u harove. Mirë thoshin të parët, flori e kishin fjalën: burri shoku qenit”.
Letërsia gjinore e Musine Kokalarit përmes ironisë, sarkazmës, satirës dhe humorit të zi arrin gjer në një mohim ekstrem të elementit mashkull.
Kjo qe shprehur tepër rrallë më parë artistikisht në traditën tonë; si me regjistra të tjerë te poezia “Fshati im” e Çajupit: “Moj e mjera grua, / ç’e do burrë zinë…”
ËSHTË E THELLË
Gruaja e re Bedo rrëfimin e saj në formë diptiku ia bën një shoqeje të ardhur për vizitë në shtëpi. Në fillim i ankohet për kunatën e pamartuar që “vënd s’lë pa futur turitë” dhe që “shpon ndënë dhe” kundër saj tek i vëllai. Në fund ajo i përshkruan asaj dhunën në familje nga i shoqi, të cilin e përmend me përemrat “ai” dhe “ki”:
“S’e hapa golën, erdha e mbeta, dhe zura ta veshtronja … kur fiu …sahanin që kish përpara, të mos kisha ulur kokën do t’më kish bërë suratin çikë – çikë, por më ra në dorë … Për atë kohë si s’lëshova zënë, por mendova se do t’na dëgjonin jashtë”.Në këtë mizanskenë të pabarazisë gjinore gruaja hyn e del si figurante, mbasi aktor kryesor është burri i xhindosur nga shpifja dhe nga pija.
Kritiku gjirokastrit Dalan Shapllo e ka profilizuar bukur dhe saktë shkrimtaren: “… mënyra e të treguarit, atmosfera janë veshur me një endje artistike, emocionale, me qëndrimin e fshehur e të përmbajtur hera-herës të autores, çka dëshmon për një art të mirëfilltë të shkallës së lartë … letrare e shquar, e cila iu përkushtua anëve të jetës që njihte më mirë, duke ndjerë se këto mjedise dhe kjo atmosferë i mungonin letërsisë shqipe.” (2)
PAÇ FATIN E SË LIGAVET
Kjo skicë monologuese është e mbushur me ankthin e teto Behijes për vajzën që s’i del fati dhe me shqetësimin se: “… atje ku e kishin sinë ja rëmbien nëpër duar”.
Mëhallallia më e re, Firuzeja, e dëgjon e hesht, mbasi nëna e nxehur, për shkak të vajzës që i ka mbetur brenda, nuk i lë radhë të flasë. Mllefet e magjitë, mallkimet e pakënaqësitë, sharjet e talljet, ankimet e qarjet, netët pa gjumë dhe ditët e shprishura, inatet e shpeshta dhe mburrjet e pafund të Behijes bëjnë që ajo ta shohë botën të përmbysur vetëm ngaqë vajzës i humbi një rast i artë për fejesë:“Ç’e do, kush ma prishi punën e vajzës s’ime mos pastë hair në shtëpi, e gjeftë nga mos pandehtë… Mirë thoshte rahmet pastë nëna, paç fatin e së ligave” .
Studiuesi Ali Xhiku, gjithashtu nga Gjirokastra, vëren:“E ndërgjegjshme… se psikologjia e gruas gjirokastrite mund të pasqyrohej më mirë prej një shkrimtareve, që vërente me vëmendje e me këmbëngulje sjelljen e saj të përditshme, Musine Kokalari i ndërtonte tregimet e saj mbi një ngjarje të rëndomtë që nuk ishte veçse një shkas për dialogun dhe më rrallë monologun, të cilët ajo i sillte si të regjistruar, pa i shoqëruar thuajse fare me shpjegime autoriale.” (3)
UDHËN E MBARË PASTË
Në rrëfimin e vjehrrës ndaj të resë së saj luhet akti i parë i dramës së dhimbshme të mërgimit; ai i përcjelljes së kurbetçiut një natë para nisjes. Tendosjen e nënës nga ikja e djalit, të nuses nga vetmia e burrit, të fëmijëve nga mungesa e prindit e fashit ceremoniali i përcjelljes në odën e madhe: sjellja e llokumeve nga gratë vizitore, sofrat e mbushura plot lloje gjellësh, vallet e gëzueshme të vajzave, këngët prekëse të nuseve… Trokitja në të gdhirë e qiraxhiut në portë ndërpret çdo tingull muzike. Por mes përqafimit të fundit me nënën, gruan, djemtë s’ndalet dot kënga popullore:
U nis Serveti për udhë
Udh’ e tij margaritar, udh’ e tij margaritar
Tek të shkeli këmb’ e kalit
U-bëftë flori e ar, u-bëftë flori e ar”.
Sapo kali zhduket pas kodrës me diell, hidhërimi i fshehur gjer në atë çast kthehet në lot e në vaj. Musine Kokalari është mjeshtre në dhënien e luhatjeve kontrastuese të zemrës femërore.
Studiuesi Sabri Hamiti shprehet kësisoj: “Muza shqiptare”, siç u paraqit në fillim me pseudonim, krijon një tip tregimi të veçantë, ku zotëron rrëfimi popullor dhe një ndjeshmëri për ambientin e një emocion i krahasueshëm me emocionin poetik”. (4)
KULLOI ODAJA
Përmes të folurit të gjallë mes plakës që s’del dot nga shtëpia me vajzën e sapokthyer nga një ceremoni varrimi fiksohet një pjesë tipike e antropologjisë kulturore femërore: vajtimet mortore. Vdekja e vëllait të vetëm ndër gjashtë motra e tejkalon çdo mbajtje zi. Nëna e tij e qan me zë tri herë duke i thënë fjalët me radhë dhe gratë e farefisit ia shoqërojnë këngën e trishtuar. Nga lotët e nga vaji i përzishëm kullojnë muret e odës. Kjo hiperbolë e goditur e Musine Kokalarit i afrohet realitetit përmes imazhit të fuqishëm artistik që krijon:
“Ç’u-këput ili nga hëna,
Djali seç u-nda nga nëna …
Ç’u-këput ili e rà,
Mbeti babai pa kra …
Hamdi dashi me kumborë,
Të zgjodhi Zoti me dorë …”.
Shkrimtarja e talentuar dhimbjen e nënës nga njerëzore, tokësore e bën hyjnore, kozmike. Kumbimin e vargjeve folk ajo e shkrin me ritmin e prozës poetike.
Për të gjitha këto tipare të dukshme albanologu italian Profesor Carlo Tagliavini e motivon kësisoj parapëlqimin e tij për shkrimtaren e re Musine Kokalari: “Mua si linguist më intereson në mënyrë të veçantë përmbajtja dhe forma e veçantë që paraqet libri në gjuhën popullore të dialektit gjirokastrit. Mund t’ju them se ju jeni bërë prej kohësh një zë i veçantë në letërsi.” (5)
NJË QEN QË HAMULIT NUK HA
Prozatorja origjinale Musine Kokalari në këtë skicë ka arritur të krijojë rrethin vicioz të bisedave boshe përmes gojës së fjalamaneve. Vizita e plakës Xhevro te shoqja e fëminisë Razo bëhet vetëm për të vrarë kohën. Pyetjet e saj me ngjyresa femërore, për again (burrin), djalin, vajzën, nusen, fëmijtë, motrën dhe nipin mbyllen me hatërmbetjet pa shkak nga Nazua, një tjetër muhabetçare si ato. Pasi kryejnë edhe bisedat mbi sëmundjet e të afërmve, dy fjalëshumtat ia zënë derën për kryeshëndosh shtëpisë së xha Ivziut, jo më me llafe për të gjallët, po për meitët. Rutina e të përditshmes tipizohet qartë.
Kjo është arsyeja që albanologu austriak Maximilian Lambertz e çmoi gjithë përmbledhjen “Siç më thotë nënua plakë” si letërsi dhe e vlerësoi veçanërisht për gjuhën e saj. (6)
MOS QOFSHIN VJEHRAT E ZEZA
Motivi i këtij tregimi është përgjithësues. Nusja e re pret ardhjen e motrës së martuar për t’iu ankuar për vjehrrën plakë. Grindjet seriale, moskuptimet e vazhdueshme, fjalët e hedhura pa pushim kundër njëra – tjetrës, krijojnë acarimin nuse – vjehërr, të pazbutur dot as nga vjehrri, as nga djali. Plaka gjen zgjidhje me ikjen për pak kohë tek shtëpia e vajzës. Ndërsa nusja e zemëruar mburr veten “një këmbë te djepi, një këmbë te puna”, viktimizon vjehrrën:“pse më prishi gjakun pse më bëri gjismë njeri?” dhe proteston ndaj normave tabu: “këto mure nuk më mbajnë brënda”.
Albanologu Profesor Angelo Leotti, në letrën nga Bolonja të 27 korrikut 1940, e spikati zonjushën Musine Kokalari me një entuziazëm të lartë: “Kam lexuar e rilexuar librin tuaj të mrekullueshëm “Siç më thotë nënua plakë”. Është shkruar shumë mirë dhe unë ju përgëzoj me gjithë zemër.” (7)
ULURIMA E QENIT
Një kronikë e zezë, ku bestytnia bëhet realitet. Lehja e qenit tërë natën, shenjë e moçme se dikush do të ikë nga kjo botë, shqetëson gjithë mëngjesin teto Hasifen dhe sidomos teto Nafisen, mbasi të afërmit i ka larg: “As në derën e hasmit mos të dëgjoj të ligën”. Në drekë parandjenja fatkeqe kthehet në lajm: djali i xha Hasanit po jep shpirt. Në darkë kobi përhapet me ulurimën tashmë të familjarëve. Menjëherë dy fqinjet nisen në ksoll për të ndenjur atje gjer në mëngjes, kur: “Erdhën njerëzija si miz’ e lisit. Në mes të kujove muarnë xhenazenë”. Kështu jeta e vështirë e grave bëhet edhe më e rëndë nga pllakosja e vdekjes, me ritet e ngurta të saj. Ndaj autorja e sintetizoi librin e saj të parë: “… pasqyrë e një bote të perënduar, shtegu i kapërcimit nga vajzëria midis këngëve, një nusëri për ta hedhur gruan prapë në vargonjtë e rëndë të robërisë e të fanatizmit.” (8)
MBYLLJE
… Më 1984, të përjashtuarës nga sistemi i letrave shqipe, i doli nga shtypi në Livonia, Miçigan, SHBA, përmbledhja më e suksesshme e saj: “Siç më thotë nënua plakë”. Në vitin 1995, shkrimtarja Eglantina Mandia nxori në qarkullim në kryeqytet rrëfimin letrar “Sonata e hënës”, kushtuar personalitetit të manifestuar të Musine Kokalarit. Më 2004, në Prishtinë, prozatores së spikatur iu ribotuan të tre librat artistikë tek përmbledhja autoriale e saj “Vepra”. Më 2009, në Tiranë, iu publikuan në dy vëllime, krijimtaria e njohur dhe dorëshkrimet e çmuara. Më 2017, po në Tiranë, dolën në dritë botimi letërkëmbimet, shënimet dhe kujtimet e shkrimtares së shquar, për të cilat mbesa e saj Bibika Safet Kokalari (Shaska) do të shprehej: “Musinea ishte largpamëse. Ajo ishte e sigurt se një ditë do të shfaqej interes për veprën e saj. E dinte fare mirë, që gjërat në vite mund të transformoheshin apo tjetërsoheshin. Ndaj, me vetëdije të plotë, la të shkruar gjithçka. Ajo nuk donte që dikush tjetër të fliste për të! Ajo e tregoi vetë historinë e saj!” (9)
Bota femërore e Kokalarit vazhdon rrotullimin …
_______________
REFERENCA:
-
Lasgush Poradeci. “Siç më thotë nënua plakë”. Gaz. “Bota e re”. Tiranë. Nr. 1, 30 korrik 1940, f. 6-7.
-
Dalan Shapllo. “Vrojtuese e thellë e jetës”. Musine Kokalari. Vepra. Prishtinë, 2004, f. 8.
-
Ali Xhiku: Letërsia shqipe si polifoni. Tiranë, 2004, f. 253.
-
Sabri Hamiti. Vepra letrare 8. Letërsia moderne. Prishtinë, 2002, f. 726.
-
Novruz Xh. Shehu. “Parathënie”. Musine Kokalari. Vepra. Vëllimi i parë. Tiranë, 2009, f. 50.
-
Dalan Shapllo. Idem, f. 10.
-
Novruz Xh. Shehu. Idem, f. 49.
-
Robert Elsie. Histori e letërsisë shqiptare. Tiranë – Pejë, 1997, f. 348.
-
Bibika Kokalari: “Si e njoha hallë Musinenë dhe jetova me hallet e saj nga marsi i vitit 1951 deri në korrik të 1983-shit”. Musine Kokalari. Letërkëmbime, shënime, kujtime. Tiranë, 2017, f. 17.