Close Menu
Gjilani Info
  • Ballina
  • Lajme Lokale
  • Lajme Qendrore
    • Rajonale
    • Botërore
  • Zgjedhjet 2025
  • Kronikë
  • Diasporë
    • Kosovë Lindore
  • Kulturë
  • Sport
  • Opinione
  • Tjera
    • Shendetesi
    • Lifestyle
    • Komerciale
    • VIP
    • Kuzhina
Të reja

Prokuroria Themelore Gjilan ka ngritur 4 aktakuza kundër 4 personave

January 23, 2026

Kryetari Hyseni, vlerëson lartë partneritetin që kanë me Islamic Relief Kosova dhe mbështetjen

January 23, 2026

UP “Kadri Zeka” forcon bashkëpunimin ndërkombëtar përmes projektit me Peace Corps

January 23, 2026
Facebook X (Twitter) Instagram
Të fundit
  • Prokuroria Themelore Gjilan ka ngritur 4 aktakuza kundër 4 personave
  • Kryetari Hyseni, vlerëson lartë partneritetin që kanë me Islamic Relief Kosova dhe mbështetjen
  • UP “Kadri Zeka” forcon bashkëpunimin ndërkombëtar përmes projektit me Peace Corps
  • Për 24 orë mbi 2 mijë e 690 gjobitje për kundërvajtësit në trafik rrugor
  • Ata që blejnë vota shesin interesa
  • Kryetari Rahimaj merr pjesë në Konferencën e Biomasës së Europës Qendrore në Graz
  • Moti sot
  • Shkolla e Mesme “Kongresi i Manastirit” në finalen kombëtare të mendimit kritik
Facebook X (Twitter) Instagram
Gjilani InfoGjilani Info
  • Ballina
  • Lajme Lokale
  • Lajme Qendrore
    • Rajonale
    • Botërore
  • Zgjedhjet 2025
  • Kronikë
  • Diasporë
    • Kosovë Lindore
  • Kulturë
  • Sport
  • Opinione
  • Tjera
    • Shendetesi
    • Lifestyle
    • Komerciale
    • VIP
    • Kuzhina
Gjilani Info
Home»Kulturë»Arti dhe letërsia si identitet i vetvetshëm
Kulturë

Arti dhe letërsia si identitet i vetvetshëm

adminBy adminMarch 14, 2024No Comments
Facebook Twitter Pinterest LinkedIn WhatsApp Reddit Tumblr Email
Share
Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

 

Nga: Josif Papagjoni

Pashë para do kohëve një fytyrë të krekosur në TV që e quante çdo vlerë të krijuar nga arti dhe letërsia e para viteve 1990, si kriminale, të zezë, që s’duhet lejuar t’i shkojë lexuesit dhe spektatorit. Dikush, madje nga zelli për të mohuar gjithçka, e quan atë me një term a metaforë zoologjie si “mishngrënëse”.

Gjithë këta mbi 30 vjet pas pluralizmit vjen e rivjen po ai debat nëse duhen apo jo të shfaqen, për shembull, filmat shqiptarë të prodhuar para vitit 1990. Ose, a ia vlen letërsia, poezia më e bukur e kësaj kohe të ribotohet, të futet në tekste shkollore, të përcillet te gjeneratat e reja?!

Më është dukur përherë një debat shterp, madje i manipuluar njëanësisht.

Ç’janë këta kinse kritikë e kinse estetë, me grada a pa grada, që gjykojnë letërsinë dhe artet kaq vrazhdë. Me një të rënë shpate a lapsi këta kinsa duan të suprimojnë gjithë mundin, talentin, djersën, idetë, emocionet e shkrimtareve dhe artistëve shqiptarë, vlerat estetike e humane të shënuara me aq pasion e fantazi, madje me mençuri dhe jo rrallë me gjuhen ezopike të alegorive etj. Kaq budallenj qenkan njerëzit sot, pas 34 vjetëve, se na u influencuakan nga ideologjia komuniste me një shkelje syri dhe nuk e dalluakan dot atë dinozuar që u rrëzua nga kalbja dhe stërpesha e vet?! Po, pse, artin vetëm me kritere politike hala do ta vlerësojmë, si dikur?

Nuk di njeriu i sotëm, i njëmijë e një dritareve, qasjeve, hapësirave, të bëjë diferencimin e vet dhe të kuptoj ç’është shtinjake, e mbivendosur dhe e imponuar, nga ajo që është thelb i artit të letërsisë dhe kinemasë, nga imazhi, mjedisi, zakonet, doket, historia, etika, gjesti social, humanizmi, marrëdhëniet në familje, dashuria e plot e plot vlera të tjera?

Po cili nga këta liliputë e zëvendëson madhështinë e letërsisë së Kadaresë. E shajnë dhe e stërshajnë Kadarenë, marrin pozat e njohësve të letërsisë, madje bëjnë vetë letërsi, shkruajnë romane paçavure, mediokre, krejt në fasha ideologjike e politike, sa me zor e shtyn leximin e tyre. Letërsia e këtij madhori të letrave shqipe sikur i verbon, i budallalleps dhe xhelozinë e tyre e çon në ligësi. Kush e shkruan aq bukur dhe me aq guxim një Pallat i ëndrrave, një Gjeneral i ushtrisë së vdekur, një Prill i thyer. Kush e arrin gjuhën e Kadaresë, atë koreografi të fjalës, atë sintaksë vallëzuese, atë ligjërim që të rrëmben e s’të lë ta mbyllesh librin, atë sugjestion, magji dhe tërheqje që ti ndjen kur i lexon veprat e tij: Po si t’ia bëjmë hallit të kësaj letërsie që nderon gjeniumin e krejt një kombi?! Si t’ia bëjmë Anagnostit, Gjikës, Priftit, Milkanit, Çashkut etj., që janë të një siperanie dhe formati që vështirë të përsëriten si Përrallë nga e kaluara, Lulëkuqet mbi mure, Udha e shkronjave, Koncert në vitin 36, Mësonjtorja, Në shtëpinë tonë, Duaje emrin tënd, Kur xhirohej një film, Kapedani, Nëntori i dytë, Flutura në kabinën time etj., për të ardhur në dhjetëra të tjerë që fal talentit të kineastëve tanë janë bërë pjesë e kujtesës kulturore dhe shikohen me endje dhe sot.
Spektatori dhe lexuesi i sotëm di të ndaj grurin nga egjra, pa i bërë “leksione” të mërzitshme si nëpër shkolla apo “informacionet politike” të dikurshme, që u bënë aq të neveritshme dhe qesharake atyre kohëve. Nëse ka diçka që ndihet se është një gënjeshtër, mashtrim, iluzion i rremë, propagandë, vetëdija e spektatorit të sotëm është e aftë të bëjë skualifikimin. Por, ai mund të marrë nga ato romane, poezi dhe filma gjësende të tjera që konvergjojnë me përjetimet e tij të sotme, sepse letërsia dhe arti, ndryshe nga konjuktura politike dhe propaganda, ja që kanë edhe atë tharm universal që i bën të riciklohen dhe t’i qasen mendjes dhe shpirtit të publikut të sotëm.

E pse na duhet ta flakim filmin Rrugë të bardha, meqë aty flitet për solidaritet njerëzor që një fillerojtës mbetet i ngrirë në një shtylle kinse për “përgjegjësinë ndaj detyrës”, d.m.th. na qenka një hero i trilluar komunist apo një i ashtuquajtur “njeriu i ri”? Pse vallë, nuk kishte njerëz të tillë atëherë që e shkrinë jetën e tyre nën sakrificë, që ishin punëtorë të mirë, heshtakë, të përkorë, dhe bash aty që pikërisht dhe vlera e tyre morale, etike? Pse duhet ta hedhim poshtë heroin lirik të poezisë së Drirëro Agollit, që do barin, fushën, lopën, bujkun, gruan, njeriun. Po poezia meditative e mbushur me trope letrare e Fatos Arapit. Ku ta çojmë shollohovin shqiptar, Jakov Xoxën?! E pse mos të na pëlqejë, madje, edhe filma si Horizonte të hapura, paçka se ka aty një hero të politizuar si tepër, Uranin, që vdes duke u kujdesur për Bigën Lundruese ku punonte. Vallë, s’di njeriu të kuptojë se ky hero, nëse ia heq ca fraza prej komunisti, është, megjithatë, një njeri i mirë, solidar, i thjeshtë, që sakrifikon. Po të tjerët në këtë Bigë e atë kantier, a nuk e shprehin kohën e tyre bukur mirë? Dhe, kështu do të vijoja me romane, tregime, poezi e filma të tjerë, ku vërtet ka ndotje e një inkontaminim të pashmangshëm nga idetë e kohës, vërtet heroi detyrohet të gëlltit mendësi e slogane në dialogje që vinin nga trysnia e një utopie të shpëlarë, të rrejshme të realizmit socialist, ndonjëherë dhe të ndotura keq nga cipa e jargët e propagandës, por, nga ana tjetër, teksa i shikojmë në qasjet etike, humane e të brengave shpirtërore, nuk kemi pra pse t’i flakim. Mund të përftohen syresh hepimet dhe drithërimat e shpirtit njerëzor për të kërkuar pak klorofil në blerimin e munguar të asaj kohe dhe jete.

Ç’është ky idiotizëm që përsëritet shpesh nga ndoca njerëz që kujtojnë se me një kinse “terapi shok” do shpëtojnë publikun nga kultura e djeshme, duke harruar se kështu e lënë këtë vend “pa kulturë”, pa letërsi dhe art, njësoj siç bënë dje komunistët me Fishtën, Koliqin, Konicën, M. Frashërin, Merxhanin, Malëshovën e plot të tjerë; se gjithçka dje ka qenë veçse një hiç i madh e i rrumbullt, se gjithçka duhet nisur nga fillimi i fillimit, për të mbërritur te “fillimi i ri”, kjo psikozë spekulative që ende s’na lë të kthjellojmë arsyetimin, posaçërisht kur jemi në rrafshin estetik dhe gjuhën e artit. A s’paska kjo gjuhë, pra, një “pavarësi” nga koha kur bëhet dhe se, për fatin e mirë të letërsisë dhe arteve dje, ka fuqinë e universialitetit me pritësin e vet të kohës tjetër, për shkak të bulbeve humane e shpirtërore të personazheve dhe ngjarjeve që paraqiten.
Por, këtu është edhe vlera e tyre njohëse, që s’mund të nënvleftësohet e të tejkalohet. Nuk ka shpjegim që bashkë me ujin të hedhim dhe fëmijën nga govata, pra talentin dhe shpirtin krijues të kineastëve shqiptarë. E si t’ia bëjmë romanit dhe filmit Beni ecën vetë, edhe ai komunist na qenka?! Po Tela për violine? Unë po them edhe tregimin e ngrohtë të Agollit, Njeriu i mirë, i bërë film, ani pse ka diku atë mbishtresimin propagandistik te njeriut që vjen nga “baza” etj., a nuk na flet për ca gjera të vërteta të kohës? Dakord, e ka përsipër një cipëz morali të kohës, po dashuria e tij, karakteri i tij, ngjarja që ndodh, meskiniteti i Kiço Peles?! Këto e dëmtojnë vallë publikun e sotëm? Po vlerat e tjera, po thelbi, po bukuria estetike, duhet t’i flakim nga filma të tjerë sivëllezër? Ta hedhim poshtë romanin dhe filmin Njeriu me top, se ky Mato Gruda u bashkua me komunistët në luftë? Ja, kujtoni pak romanin Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo. Eja e shkruaje një roman të ngjashëm si ky për nga gjetja, karakteri i zyrtarit të atrofizuar nga sloganet, vetëmburrja, burokracia, mitomania, por dhe nga humori brilant popullor. Ja ashtu, me atë ironinë dhe satirën e tij, ky roman si shumë të tjerë, i hiqte regjimit “gurin e fundit” duke përqeshur gjithë teprimet, shtrembërimet dhe idiotësitë e tij.
Veç me një shikim të shpejtë të letërsisë dhe artit të hershëm, dhe fill zemërimi të pushton për atë mendësi përjashtuese që, bën-ç’bën, nxjerr kokën dhe tund bishtin. Ç’janë këto budallallëqe dhe ky ekstremizëm i ri që po shfaqet, kinse nën sloganin e rrezikut nga ndikimi komunist, dukë e bërë dhe ribërë “gogol”, si dikur Marksi, por në tjetër kontekst.

Komunizmi, or zotërinj, ka vdekur me kohë e me vakt, është thjesht një fantazëm. Kjo është më shume një frikë e një tabu e kalbur brenda trurit të disave, që e shndërrojnë në kalë beteje, në instrument a doktrinë të ashtuquajturin antikomunizmin e tyre, se sa pjesë natyrore të vlerës estetike dhe artit si të tillë, që funksionon dhe mbijeton në marrëdhëniet konkrete me pritësin ë sotëm. U çel edhe një herë ky diskutim kohë më parë dhe u duk i tejkaluar dhe anakronik, ndaj dhe u braktis, e jo më sot. Filmat që publiku i do, i klikon pa urdhrin e askujt. Atë që s’e do, e braktis. Dhe, kjo është zgjidhja. Tutorët dhe tutorizmi s’janë veçse një bezdi më shumë, “kujdestar surrat patate, mirë ia bëmë zotërisë sate”! Nganjëherë këto, edhe pse kane shqetësimin e tyre për të shmangur çdo impakt negativ, janë me shumë keqkuptime a keqinterpretime të vetë artit si të tillë, që të kujtojnë pesë parimet e realizmit socialist e ndër to ndalimin e gjithçkaje që vinte nga jashtë …

Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Telegram Email
admin
  • Website

Related Posts

Lutje ty

January 22, 2026

Ecja tradicionale në nderim të të rënëve që u bënë simbol lirie

January 19, 2026

Arkitektura poetike e një vetëdijeje

January 19, 2026
Mos humbni
Kronikë

Prokuroria Themelore Gjilan ka ngritur 4 aktakuza kundër 4 personave

By adminJanuary 23, 2026

Aktakuzat e ngritura nga e njeta Prokurori kundër 4 personave për vepra penale janë si…

Kryetari Hyseni, vlerëson lartë partneritetin që kanë me Islamic Relief Kosova dhe mbështetjen

January 23, 2026

UP “Kadri Zeka” forcon bashkëpunimin ndërkombëtar përmes projektit me Peace Corps

January 23, 2026

Për 24 orë mbi 2 mijë e 690 gjobitje për kundërvajtësit në trafik rrugor

January 23, 2026
Na ndiqni:
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
Demo
RRETH NESH
RRETH NESH

Agjencia e lajmeve Gjilani INFO

Materialet dhe shkrimet e kësaj Agjencie mund të përdoren vetëm duke iu referuar qartë burimit të informacionit. Të drejtat janë të rezervuara.

Botues: HESET ZYMBERI

Email: [email protected]
[email protected]
[email protected]

Kontakti: O44176808

Facebook X (Twitter)
Më të popullarizuarat

Prokuroria Themelore Gjilan ka ngritur 4 aktakuza kundër 4 personave

January 23, 2026

Kryetari Hyseni, vlerëson lartë partneritetin që kanë me Islamic Relief Kosova dhe mbështetjen

January 23, 2026

UP “Kadri Zeka” forcon bashkëpunimin ndërkombëtar përmes projektit me Peace Corps

January 23, 2026
Partnere:
© 2026 Gjilani INFO. Designed by Gjilani INFO.
  • Ballina
  • Lajme Lokale
  • Lajme Qendrore
    • Rajonale
    • Botërore
  • Zgjedhjet 2025
  • Kronikë
  • Diasporë
    • Kosovë Lindore
  • Kulturë
  • Sport
  • Opinione
  • Tjera
    • Shendetesi
    • Lifestyle
    • Komerciale
    • VIP
    • Kuzhina

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.