Policia Rajonale e Gjilanit u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë parkimit të automjeteve, me qëllim parandalimin e vjedhjeve.
Sipas Policisë, një nga shkaqet që mund t’u krijojë mundësi keqbërësve është lënia e sendeve me vlerë në vende të dukshme brenda automjeteve.
Policia apelon që qytetarët të mos lënë në veturë, në vende të dukshme, çanta, kuleta, telefona celularë, laptopë, tabletë, dokumente personale apo sende të tjera me vlerë.
Po ashtu, drejtuesit e automjeteve këshillohen që para largimit të sigurohen se dyert janë të kyçura dhe dritaret janë të mbyllura plotësisht.
“Rastet e vjedhjeve nga automjetet ndodhin për shkak se në brendësi të tyre lihen sende me vlerë në vende të dukshme, duke u krijuar mundësi personave keqbërës të dëmtojnë automjetin dhe të përvetësojnë këto sende”, thuhet në apelin e Policisë.
Policia Rajonale e Gjilanit u bën thirrje qytetarëve që, nëse vërejnë persona apo veprime të dyshimta pranë automjeteve ose në parkingje, ta njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës.
Rastet mund të raportohen përmes numrit pa pagesë 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Një moment pakujdesie mund t’ju kushtojë shtrenjtë – ndaj mos lini sende me vlerë në veturë dhe sigurojeni atë para se të largoheni./Gjilani INFO/


