Nga Albulenë Muji
Opozita kërkoi president konsensual, por refuzoi edhe emra me profil të lartë si ai i Feride Rushitit
Opozita kundër kandidaturës së Rushitit, pavarësisht reputacionit ndërkombëtar
Në mesnatën e së martës, ka përfunduar afati për zgjedhjen e presidentit të vendit. Por, fatkeqësisht klasa politike nuk arriti të zgjedhë presidentin e vendit, ku me këtë rast vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje propozoi për president të vendit Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun, por partitë opozitare insistuan për një president konsensual.
Më pas, Konjufca dhe Kollçaku u tërhoqën, dhe nga LVV u propozuan dy emra të rinj: Hatixhe Hoxha dhe Feride Rushiti.
Hoxha dhe Rushiti nuk janë emra të panjohur për opinionin. Hoxha ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës për dy mandate radhazi (2001–2004 dhe 2004–2007).
Kurse, Rushiti njihet më shumë për rolin e saj në shoqërinë civile, si dhe është themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ku për punën e saj është nominuar për Çmimin Nobel.
Por, asnjëherë këta emra nuk e bindën opozitën; madje këta të fundit as nuk morën mundin të propozojnë ndonjë kandidat për president, përkundër faktit që Kurti ka ofruar 15 nënshkrime për kandidatin e tyre.
Analistët vlerësojnë se, opozita në Kosovë vepron kryesisht sipas interesave partiake dhe jo atyre shtetërore, ndërsa pushteti shihet si më i drejtpërdrejtë në qëndrimet e tij, por me polarizim të thelluar politik.
Po ashtu, mes tjerasg theksohet se mungesa e mbështetjes për kandidatura me reputacion të lartë, përfshirë edhe rastin e Feride Rushitit, shihet si pasojë e përplasjeve të forta politike dhe jo domosdoshmërisht e vlerësimit profesional.
Në përgjithësi, analistët kritikojnë klasën politike për degradim të klimës politike, rritje të ndasive dhe pasoja negative për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
Mehmeti: Refuzimi i Feride Rushitit tregon thellimin e krizës politike
Opinionisti Gani Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar partitë politike duke thënë së opozita udhëhiqet më shumë nga interesa personale e partiake sesa shtetërore, ndërsa LVV paraqitet si më e drejtpërdrejtë dhe e hapur për qëllimet e saj.
“Politika e partive politike në Kosovë nuk është e njëjtë. Nëse nisemi nga zhanri popullor, vetë fjala politikë, lë të kuptosh një lloj rrene, një dashuri me plot gënjeshtra (me rrena), ku përbrenda kësaj “dashurie” ka plot urrejtje, por ka diçka që, megjithatë i bashkon. Thuhet edhe se, rrenci rrencin nuk mundet me e rrejt! (Nga populli). Disi si të tilla më dalin partitë opozitare. Këto dy parti i bashkon interesi personal e partiak, jo aq për interesin shtetëror, sepse është parë për njëzet vite nga çlirimi, apo për 12 vite pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Tutje, Mehmeti ka vlerësuar se hendeku mes LVV dhe opozitës është thelluar shumë, duke bërë që opozita të mos mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga LVV, madje as figura me reputacion si Feride Rushiti.
“Më shumë është thelluar hendeku mes LVV dhe partive tjera së bashku nga këto mënyra të politikës, sa që ka ardhur, po shihet deri ku.
Opozita nuk e mbështeti asnjë figurë politike të kandiduar nga LVV, ndoshta sikur të kandidonte edhe cilindo nga partitë e tyre, duke menduar se ai njeri qenka bërë i LVV-së. Aq i thellë e i madh është krijuar hendeku mes tyre. Pikërisht për këtë, opozita nuk përkrahu as kandidimin e Feride Rushitit për kryetare të Republikës së Kosovës, përkundër reputacionit të saj politik e humanist ndërkombëtar, pra që ka kaluar caqet kombëtare.
Krejt ky mllef, ka ardhur nga inatet dhe nga smira opozitare ndaj LVV pse ajo ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Partitë opozitare nuk do të ishin kundër Feride Rushtitit, sikur të ishte kandiduar nga ata vetë, për do të krenoheshin me të, pse e kanë propozuar vetë ata. Por, atyre as mendja nuk u ka shkuar .
Këtu ka edhe një qëllim pse nuk ka qenë mbështetur kandidimi i Ferides për kryetare të Kosovës. Qëllimi ishte: Rrëzimi i qeverisë Kurti 3! Që ai të bie nga qeveria, sepse nuk do u mjaftonte vetëm posti i kryetarit/res për opozitën, deri sa e kishin mundësinë rrëzimin e Kurtit nga qeveria. Kjo vërtetohet ngase opozita nuk dërgoi asnjë kandidat për kryetar, edhe pas kërkesës së Kurtit”, ka shtuar ai.
Në fund, Mehmeti ka vlerësuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme sjellin pasoja të mëdha politike, ekonomike dhe financiare.
“Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme ka pasojat politike e ekonomike dhe financiare. Pasojat janë për brenda shtetit dhe ndërkombëtare, pse Kosova ka rënë kaq poshtë, sa nuk gjen një njeri për çfarëdo bisedimesh e marrëdhëniesh ndërkombëtare. Pasojat ekonomike janë në zhvillimin e shtetit, në investime të ndryshme dhe pasojat financiare në shpenzimet e mbi 10 milionë euro për zgjedhje, që për Kosovën e varfëruar, janë shumë”, ka përfunduar Mehmeti.
Ndërkaq, një mënyrë tjetër e udhëheqë LVV-ja. Ajo është e drejtpërdrejtë, duke e thënë haptas atë që e mendon për ta bërë. Tani, ka elemente mashtruese, siç po e quajnë disa, apo jo, mbetet për ta parë. Dhe, në ditët e sotme më vështirë e ka ai që tregon realitetin, sepse ia thotë në sy secilit, por tregon edhe synimet e veta”, ka thënë ai.
Zogaj kritikon klasën politike dhe shoqërinë
Edhe, analisti politik, Skender Zogaj ka kritikuar ashpër klasën politike të vendit, duke pretenduar se ajo po kontribuon në realizimin e planeve serbe, qoftë nga paaftësia apo me vetëdije.

“Pas gati dy vitesh të mjegullësive të bujshme politike, të kërkosh rregullsi dhe parim është e pamundur – njësoj si të kërkosh gjilpërën në liqen.
Por ajo që duhet thënë, madje me zë të lartë, është se klasa politike e Kosovës, në tërësi, po shkon drejt përmbushjes së elaboratëve serbë – nga Çubrilloviqi e deri te Aleksandar Vuçiqi. Fatkeqësisht, këto synime po realizohen përmes argatëve të mallkuar shqiptarë, të cilët ose janë vërtet të verbër, ose shtiren si të tillë, dhe kanë vendosur ta zhbëjnë Kosovën, pra ta kthejnë në robëri.
Kjo që them mund të tingëllojë e ashpër, madje vulgare, por është e saktë. Sepse, se shqiptarët nuk do të donin të krijonin shtetin e tyre, këtë askush në botë nuk do ta kishte pritur. Por, ja ku jemi sot: të gjithë shtet e milet kolektivisht, bashkëfajtorë për gjendje e mjerë aktuale !”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, partitë politike jo vetëm që nuk e ndalin këtë gjendje, por edhe e nxisin atë.
“Unë nuk mendoj se bojkotimi është e keqja më e madhe e vendit, por konstatoj se faji qëndron te degradimi i skajshëm moral dhe atdhetar; vërshimi i analfabetëve që kërcejnë si ariu me zinxhir në gojë, nën muzikën e daulles së arixhiut bëjnë turmën injorant që me del për t’u argëtuar kur atdheu është në rrezik si në kohë okupimi. Partive politike po u pëlqen kjo valle dhe po e ndjekin dhe po i shërbejnë me entuziazëm.
Unë dua të theksoj se demokracia ka ligje dhe nuk është anarki”, ka përfunduar Zogaj për “Bota sot”.


