Intervsitë me deputetin shqiptar në parlamentin serb, Shaip KamberiKamberi: Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet zona më e pazhvilluar ekonomikisht dhe pjesa më e shtypur dhe e diskriminuar politikisht në Serbi
Në një intervsitë për “Bota sot”, ka folur Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë.
Deputeti Kamberi mori një vendim për bojkotimin e punimeve në Parlamentin e Serbisë, për t’u sensibilizuar edhe pozitën e vështirë të komunitetit shqiptar e boshnjak që po shkaktohet nga pushteti autoritar i Vuçiqit dhe regjimit të tij.
Tutje, ai shtoi se shqiptarët e Luginës prej vitesh kërkojnë të drejta përmes marrëveshjeve që Serbia nuk i zbaton. Në vend të zgjidhjeve reale, Beogradi vendos “shqiptarë të pranueshëm” për t’ua zbehur zërin. Pa ndalimin e pasivizimit dhe garantimin e të drejtave themelore, pjesëmarrja në qeveri është farsë.
Këtë veprim të tij, Kamberi nuk e sheh si dobësim, ai thotë se bojkoti i Kuvendit nuk do të thotë pasivizim politik. “Përkundrazi, ne mbetemi aktivë përmes iniciativave konkrete – si dorëzimi i rezolutës për Srebrenicën – për të sfiduar glorifikimin e kriminelëve dhe për të kërkuar drejtësi. Aktiviteti ynë synon të mbrojë komunitetin dhe të rikthejë vëmendjen ndërkombëtare te Lugina, duke përdorur çdo mjet demokratik në dispozicion”.
Ndërsa, për dialogun Kosovë-Serbi, thekson se reciprociteti në të drejta është kusht për paqe të qëndrueshme në rajon. Nuk mund të ketë privilegje për serbët në Kosovë, ndërsa shqiptarët në Luginë mbeten të diskriminuar.
Kurse, për mbështetjen Kosovës dhe Shqipërisë, Kamberi thotë që përkrahja për Luginën është e mirëseardhur, por ende e pamjaftueshme përballë shtypjes së vazhdueshme. Ai veçon Kosovëm për të cilën thotë se ka qenë e qëndrueshme në ndihmë, por fondet po bllokohen nga autoritetet serbe dhe disa faktorë lokalë.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e vlerësoni sot gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
Shaip Kamberi: Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet zona më e pazhvilluar ekonomikisht dhe pjesa më e shtypur dhe e diskriminuar politikisht në Serbi. Ndërsa në pjesë të tjera të vendit, Qeveria e Beogradit dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq tërheqin investitorë të huaj dhe mbështesin zhvillimin ekonomik, në Luginën e Preshevës e njëjta qeveri pengon edhe përpjekjet minimale për privatizimin e ndërmarrjeve të shkatërruara shtetërore. Këto ndërmarrje mbahen si gërmadha, për të mos lejuar që ndonjë investitor shqiptar, qofshin edhe vendorë, të mund të investojë dhe të gjenerojë zhvillim lokal.
Në aspektin politik e social, shqiptarët vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Mosnjohja e diplomave të Kosovës, pasivizimi masiv i adresave dhe përjashtimi nga institucionet publike kufizojnë rëndë të drejtat e tyre. Vetëm një shqiptar është punësuar në policinë multietnike që nga viti 2016, ndërsa në shumë institucione shtetërore nuk ka asnjë shqiptar të punësuar, ose janë të pranishëm vetëm në mënyrë simbolike.
Kjo gjendje reflekton një realitet politik të brishtë dhe një situatë sociale që po thellohet në mungesë shprese dhe perspektive.
“Bota sot”: Çfarë ju shtyu të merrni vendimin për të mos marrë më pjesë në punimet e Parlamentit të Serbisë?
Shaip Kamberi: Serbia ndodhet në një krizë të thellë shoqërore dhe institucionale. Tragjedia e ndodhur në nëntor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 qytetarë, nxiti protesta masive të udhëhequra nga studentë dhe qytetarë të shumtë anembanë vendit. Në këtë fazë kur parlamentarizmi u bë jofunksional dhe parlamenti u shndrrua në një institucion pa kompetenca, ndërmorëm këtë hap për të sensibilizuar edhe pozitën e vështirë të komunitetit shqiptar e boshnjak që po shkaktohet nga pushteti autoritar i Vuçiqit dhe regjimit të tij.
Përfaqësuesit e pakicave kombëtare, përfshirë mua si deputet shqiptar dhe kolegët boshnjakë të SDA Sanxhakut, vendosëm të ndjekim të njëjtën rrugë, por për arsye shtesë: shkeljet sistematike të të drejtave të pakicave, diskriminimin e përhershëm ndaj komuniteteve tona dhe refuzimin e çdo iniciative për përmirësimin e ligjeve që do të avanconin pozitën e pakicave në Serbi.
Deri tani kemi dorëzuar tri iniciativa ligjore që janë bllokuar pa asnjë arsye në procedurat parlamentare. Kështu, bojkoti është një formë legjitime proteste kundër këtij mohimit të vazhdueshëmdhe njëkohësisht një sinjal drejtuar ndërkombëtarëve për më shumë vëmendje në Luginën e Preshevës.
“Bota sot”: A është ky një akt proteste apo një mesazh politik për institucionet serbe dhe opinionin ndërkombëtar?
Shaip Kamberi: E konsideroj si të dyja: një akt proteste dhe një mesazh politik, si për institucionet vendore ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar. Që nga viti 2001, shqiptarët e Luginës kanë ndërmarrë përpjekje politike për përmirësimin e pozitës së tyre, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Janë nënshkruar tri marrëveshje me qeveritë serbe, përfshirë “Planin 7 pikësh” në vitin 2013, por asnjëra prej tyre nuk është zbatuar.
Qeveria e Serbisë nuk ka treguar asnjëherë vullnet politik për t’i respektuar këto marrëveshje. Në vend të kësaj, qeveria preferon të ndërhyjë në politikën lokale dhe të instalojë figura “shqiptare” në qeverinë qëndrore që nuk përfaqësojnë interesat e komunitetit. Kjo qasje është reminishencë e viteve ’90, kur shqiptarët e pushtetit ishin të zgjedhurit e Millosheviqit, duhej të ishe “shqiptar i ndershëm” për të qenë i pranueshëm.
Ngjashëm tani, përmes ministrave kukull dhe “dreqërve në radhët e tona” po tentohet të deligjitimohet lufta jonë e drejtë për të drejta e baraza, duke tentuar imponimin e “shqiptarëve të pranueshëm”.
Para se të flitet për pjesëmarrje e shqiptarëve në qeveri, duhet të ndalohen pasivizimet, të njihen diplomat dhe të garantohet përfaqësimi i drejtë në institucionet shtetërore në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
“Bota sot”: A mendoni se mungesa juaj në Kuvend dobëson zërin e shqiptarëve në arenën institucionale?
Shaip Kamberi: Jo, aspak. Bojkoti nuk nënkupton pasivizim politik. Bashkë me kolegët nga SDA e Sanxhakut dhe Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, ne vazhdojmë aktivitetin tonë politik dhe institucional. Së fundmi, më 3 korrik, dorëzuam për shqyrtim rezolutën për Srebrenicën, në prag të 30-vjetorit të gjenocidit, me qëllim që Kuvendi i Serbisë të dënojë zyrtarisht krimet dhe të parandalojë glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Kërkuam që Serbia përfundimisht të pranojë gjnocidin dhe të ndërpresë kulturën politike të glorofokimit të kriminelëve të dënuar. Reagimet u panë menjëherë në shtypin proqeveritar, të cilët këtë iniciativë e cilësuan si akt kundër poppullit serb.
Pra, ne do të mbetemi aktivë në përfaqësimin e komuniteteve tona dhe do të përdorim çdo mekanizëm demokratik për të ngritur zërin tonë dhe për të rikthyer vëmendjen ndërkombëtare ndaj çështjes së Luginës. Mospjesmarrja në seancat e parlamentit nuk na merr të drejtën të vazhdojmë me iniciativa e kërkesa dhe për të shtruar tema, sidomos ato që nuk dëshiron t,i ndëgjojë regjimi.
“Bota sot”: Si i shihni efektet e dialogut Kosovë–Serbi në jetën e përditshme të shqiptarëve në Luginë?
Shaip Kamberi: Reciprociteti në të drejta është synimi ynë politik. Pa një trajtim të barabartë të të gjitha komuniteteve, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkan. Nuk mund të kërkohet një status i privilegjuar për serbët në Kosovë, ndërkohë që shqiptarët në Luginë vazhdojnë të jenë komuniteti më i diskriminuar në rajon.
Ne besojmë se çështja e shqiptarëve të Luginës duhet të jetë pjesë përbërëse e dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel. Vetëm përmes një trajtimi të barabartë dhe respektimit të të drejtave themelore mund të arrihet një marrëveshje paqësore e qëndrueshme. Akoma nuk kemi mbrritu deri te ky sinim, por siç shihet, dialogu, me ndërskamcat e Serbisë e bile edhe me tolerancën e tepruar të BE-së ndaj Vuçiqit, gjendet në tërësi në një fazë kritike. Sido që të zhvillohen gjërat, mendoj se trajtimi i të drejtave të shqiptarëve në mënyrë reciproke me ato që Kosova i ka dhënë Serbëve mbetet e vetmja rrugë drejt prosperitetit.
“Bota sot”: A po e ndiejnë shqiptarët e Luginës përkrahjen e duhur nga Shqipëria dhe Kosova?
Shaip Kamberi: Çdo përkrahje është e mirëpritur, por në raport me sfidat e mëdha që përballemi, ajo shpesh rezulton e pamjaftueshme. Për një komunitet vazhdimisht të shtypur siç janë shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkrahja sado e vogël që të jetë është e mirëseardhur në njërën anë, ndërsa sado e madhe që të duket se është, është e pamjaftueshme në anën tjetër. Megjithatë, Kosova dhe Shqipëria janë prezente në Luginë dhe ndihma financiare, veçanërisht nga Qeveria e Kosovës me linjë të veçantë buxhetore, ka qenë e qëndrueshme.
Për fat të keq, një milion euro të dedikuara për bujqit nga Qeveria e Kosovës po mbahen të bllokuara nga autoritetet në Serbi, me ndihmën e disa akterëve politikë lokalë. Ajo që shqiptarët e Luginës presin është unifikimi i politikave të Prishtinës dhe Tiranës dhe hartimi i një platforme të përbashkët për mbështetjen e Luginës. Ne kemi sytë kah kryeqytetet tona kombëtare.
“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për institucionet serbe që kanë injoruar kërkesat dhe shqetësimet e komunitetit shqiptar?
Shaip Kamberi: Shqiptarët e Luginës janë ndër qytetarët më të përkushtuar ndaj orientimit pro-evropian. Bashkimi Evropian është synimi i tyre strategjik. Serbia nuk mund të ecë drejt integrimit evropian pa respektuar të drejtat e pakicave. Çdo hap drejt Evropës kalon përmes zgjidhjes së problemeve që kanë komunitetet jo-shumicë.
Ne nuk kërkojmë ato që Serbia kërkon për serbët në Kosovë. Nuk është logjike të kërkosh për të tjerët atë që nuk je i gatshëm ta japësh vetë.
Ndërkohë, politika e saj e pacifikimit të Luginës së Presheëvs duke imponuar ministra marionetë është e dështuar që në start. Ka dështuar Millosheviqi e do të dështojë edhe Vuçiqi. Dialogu i vërtetë bëhet me të zgjedhurit legjitim të popullatës shqiptare e jo me “shqiptarët e ndershëm” siç po pretendon Vuçiqi.


