Orën e mësimit të gjuhës angleze, mësueses Valbona Ibishi shpesh i bie ta mbajë me vetëm një nxënës në klasë.
Kjo mësimdhënëse e ciklit fillor punon në dy shkolla të Komunës së Podujevës – pjesa verilindore e Kosovës – për të arritur normën prej 20 orësh mësimi në javë.
Shkolla në fshatin Brainë ka vetëm 25 nxënës nga niveli parashkollor deri në klasën e nëntë.
Klasa e pestë dhe e shtatë në këtë shkollë kanë vetëm nga një nxënës, ndërsa në të gjitha klasat tjera nuk kalohet numri prej katër nxënësish.
Naim Bajrami, drejtor i Shkollës “Zahir Pajaziti” në Orllan, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo situatë nuk është e mirë as për nxënësit, as për mësimdhënësit.
“Vështirë është edhe për mësues. Me një nxënës të punosh 40 minuta, nuk është e lehtë. Pastaj, edhe nxënësi nuk ndihet mirë sikur në shoqërinë e 12 apo 13 nxënësve të tjerë”, thotë Bajrami.
Edhe ai, edhe kolegia e tij thonë se, pavarësisht rrethanave, mbajtja hapur e shkollës në Brainë është e një rëndësie të veçantë, pasi, sipas tyre, është e vetmja gjë që po i mban aty banorët e pakët të kësaj zone. Fshati Brainë ka rreth 12 shtëpi të banuara.
Në Kosovë, rënia e numrit të nxënësve është në trend të rritjes, tash e sa vite.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në vitin shkollor 2020/2021 kanë qenë mbi 47 mijë nxënës më pak se në vitin shkollor 2015/2016.
Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, arsyet për këtë janë të ndryshme: nga rënia e natalitetit deri te migrimi i popullsisë – qoftë jashtë, qoftë brendapërbrenda.
Por, rënia e numrit të nxënësve ka nisur të paraqesë probleme edhe në funksionimin e sistemit arsimor, për shkak të, siç thuhet, tepricës së mësimdhënësve.
MASHTI bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se tepricë janë rreth 2,000 mësimdhënës në komuna të ndryshme të Kosovës.
Megjithatë, sipas ministrisë, “kjo nuk nënkupton se mësimdhënësit nuk janë të angazhuar në sistemin arsimor”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një seancë të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 28 prill, ka paralajmëruar se institucionet do të bëjnë një hulumtim të gjerë, për të pasur një pasqyrë më të qartë të problematikës.
“Nga muaji i ardhshëm [maj], ne do të fillojmë një vizitë, bashkëpunim dhe një kontroll, për të parë situatën reale në komuna, të shohim ku kemi tepricë teknologjike, e ku, nga ana tjetër, kemi mungesë të numrit të mësimdhënësve”, ka thënë Nagavci.
Nga MASHTI nuk është bërë e ditur nëse ky hulumtim ka nisur tashmë.
Në Kosovë, menaxhimi i sistemit arsimor parauniversitar bëhet kryesisht nga niveli komunal. Por, MASHTI udhëheq krijimin e politikave që prekin edhe këtë nivel arsimor.
Çfarë janë mësimdhënësit tepricë?
Puna e mësimdhënësve në Kosovë rregullohet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe me Kontratën Kolektive, që Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë e ka të nënshkruar me Ministrinë e Arsimit.
Kjo kontratë shpjegon çështjen e mësimdhënësve tepricë ose të quajtur ndryshe “tepricë teknologjike”.
Një mësimdhënës mund të futet në kategorinë e tepricave teknologjike në disa raste, që përfshijnë: mbylljen e klasave apo të shkollave, e që mund të çojnë pastaj në eliminimin e orëve të mësimit/punës që një mësimdhënës ka.
Sipas kësaj kontrate, nëse një mësimdhënësi i shuhet vendi i punës, varësisht nga përvoja e punës së atij mësimdhënësi, i paguhen disa paga mujore, derisa mësimdhënësi pret krijimin e orëve mësimore për të.
Me kontratë, Drejtoritë Komunale të Arsimit obligohen që të mundohen t’i sistemojnë mësimdhënësit dhe t’i kompletojnë orët e tyre mësimore. Ato nuk kanë të drejtë të hapin konkurs për të njëjtën pozitë pune, pa u sistemuar një mësimdhënës që është tepricë teknologjike.
Një mësimdhënës mund të jetë i angazhuar me normë të plotë prej 20 orësh në javë apo gjysmë norme prej 10 orësh.
Megjithatë, edhe MASHTI, edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë thonë se, aktualisht, nuk ka mësimdhënës me kontratë të rregullt, që kanë mbetur pa orë mësimore.
Problemi qëndron në atë se mësimdhënësit duhet të barten nga shkolla në shkollë për të arritur normën e punës, si dhe u duhet të punojnë në shkolla që kanë numër shumë të vogël të nxënësve në klasa.
SBASHK-u kundër termit “tepricë”
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jashari, thotë se është kundër termit “tepricë” për mësimdhënësit.
“Edhe me ata pak nxënës, mësimdhënësi shkon në klasë dhe e mban orën sikur të ishin dhjetëra nxënës në atë klasë”, thotë Jashari për Radion Evropa e Lirë.
Sipas legjislacionit në fuqi, një klasë mësimore parashihet të ketë minimum 17 nxënës dhe maksimum 32.
Kjo do të thotë se klasat me pak nxënës apo edhe shkollat duhet të mbyllen, ose të bashkohen për të arritur numrin e kërkuar të nxënësve.
Bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Ministria e Arsimit mund të nxjerrë akt nënligjor për caktimin e kritereve për themelimin e institucioneve të arsimit parauniversitar dhe për shuarjen e veprimtarisë së tyre.
Në vitin 2019, për shkak të numrit të vogël të nxënësve, Komuna e Kamenicës ka vendosur për mbylljen e 19 shkollave, nga 29 sa i ka pasur. Ky vendim është përcjellë me protesta dhe pakënaqësi të shumta në atë komunë, sidomos nga komuniteti i mësimdhënësve.
Jashari thotë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë një plan afatgjatë, duke pasur parasysh situatën me zvogëlimin e numrit të nxënësve, dhe jo të marrë vendime të shpejta për mbyllje shkollash apo klasash.
“Mësimdhënësit nuk duhet të lihen në rrugë”, thotë ai.
“Vonesa e institucioneve për të reaguar”
Instituti hulumtues GAP me seli në Prishtinë ka realizuar një hulumtim në vitin 2021, në lidhje me problematikën e mungesës së nxënësve dhe tepricës së mësuesve nëpër komunat e Kosovës.
Në këtë hulumtim janë marrë të dhëna të plota vetëm nga 19 komuna të Kosovës.
Në bazë të tyre ka dalë se janë 340 klasa në Kosovë që kanë pesë e më pak nxënës dhe 642 klasa që kanë më pak se dhjetë nxënës.
Bekim Salihu, nga Instituti GAP, thotë se punësimi i mësimdhënësve nëpër komuna është bërë pa ndonjë analizë për nevojën e tyre.
“Institucionet, në vend se të bënin një lloj ristrukturimi dhe reformimi të sistemit arsimor, e kanë ndjekur logjikën e kundërt, pra nuk e kanë përshtatur aspektin e punësimit me numrin e nxënësve në lokalitetet dhe komunat përkatëse”, thotë Salihu.
Sipas tij, shkollat me pak nxënës e shumë mësimdhënës ndikojnë negativisht në buxhetin e Kosovës, por edhe në përvojën shkollore të nxënësve.
Paga mesatare që marrin mësimdhënësit në arsimin parauniversitar në Kosovë është 470 euro në muaj.
Instituti EdGuard, që merret me çështjet e arsimit në Kosovë, ka bërë po ashtu një analizë në lidhje me strukturimin e sistemit arsimor.
Sipas saj, rreth 17 për qind e institucioneve arsimore në Kosovë kanë më pak se 50 nxënës.
Drejtori i këtij instituti, Rinor Qehaja, thotë për Radion Evropa e Lirë se “projeksionet demografike të popullsisë nuk janë të panjohura për institucionet”.
“Mosreagimi i institucioneve është çudia e vetme”, thotë ai.
Sipas Qehajës, ristrukturimi i shkollave duhet të bëhet në nivel vendi dhe të iniciohet si reformë nga Ministria e Arsimit.
“Çdo iniciativë për ristrukturimin e institucioneve arsimore duhet të ketë për bazë projeksionet demografike, fondin e orëve të mësimdhënësve dhe mirëqenien e nxënësve”, vlerëson ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nataliteti në vend është në rënie të vazhdueshme qysh në vitin 2014. Në atë vit, numri i lindjeve të gjalla ka qenë 25,929. Në vitin 2019 janë regjistruar 21,798 lindje, ndërsa vitin e kaluar 18,188.