Në këtë kontekst mund ta shohim edhe romanin tjetër me titull “Palimpsest për Dush Kusarin” ku sërish e vë në spikamë individin në raport me shoqërinë. Në fakt romani ka të bëjë me Kadri Kusarin, njërin nga veprimtarët e kauzës kombëtare pas Luftës së Dytë Botërore, të cilin e nxjerr nga harresa e rëndë duke e rindërtuar nga fillimi heroizmin dhe sakrificën e tij dhe duke e shndërruar në hero të romanit si prototip të veçantë. Pra, autori udhëhiqet nga shtysa e rehabilitimit, për ta shpërfaqur individin ashtu siç është në kohë dhe në hapësirë. Në të vërtetë, ky është metateksti i tij, palimpsesti i fshirë dhe i rishkruar, ku heroi del në mënyrë triumfale.
Po ashtu edhe në fushën e dramaturgjisë, Teki Dervishi dëshmoi fuqinë dhe magjinë krijuese duke e transformuar atë si zhanër, si koncept krijues dhe si përmbajtje. Me anë të dramave siç janë “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, “Bregu i pikëllimit”, “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit”, “Pranvera e librave”, “Eshtrat që vijnë vonë” etj., ai solli substancën e ekzistencës sonë kombëtare dhe historike, duke prekur në nervin kryesor të ontologjisë kolektive me qëllim që të shpaloste imazhin tragjik të saj nëpër kohë e hapësirë. Në këtë mënyrë vlen të themi se dramaturgjia e tij është një dekonstruksion i realitetit tragjik, çjerrje e tisit të mistereve me anë të kodeve e nënkodeve poetike. Diskursi dramatik i tij është intrigues dhe provokues, të fut në thellësi të gjërave e fenomeneve për të bërë autopsinë psikologjike. Nëpërmjet personazheve të tij krijon imazhin e gjallë të asaj që ndodh në rrethana të vështira. Dhe, në këtë mënyrë arriti të krijojë një komunikativitet të ri me spektatorin e teatrit, duke e mishëruar atë me botën tragjike për ta ndjerë dhe për ta kuptuar fatin e vet.
Kjo do të thotë se Teki Dervishi nëpërmjet veprave dramatike të tij arriti ta transformojë edhe teatrin si një institucion kulturor dhe shoqëror, si frymë ndërgjegjësuese dhe emancipuese. Pikërisht për shkak të dramave të Teki Dervishit, teatrot shqiptare, sidomos në Prishtinë dhe në Shkup, u bënë institucione joshëse për spektatorët. Këtë e dëshmojnë shfaqjet e tij të cilat nuk hoqën me vite të tëra nga skena e teatrit.
Pa dyshim, ndihmesa e Teki Dervishit nuk është më pak e rëndësishme as në fushën e publicistikës. Këtë e themi për arsye se shkrimet dhe kolumnat e tij ishin një dritare e vërtetë për lexuesit në përgjithësi. Nëpërmjet vrojtimeve dhe botëkuptimeve intelektuale ai dëshmoi një pjekuri dhe largpamësi duke i pikatur çështjet në thellësi dhe në largësi, duke i vënë ato në shënjestrën ironike e parodike, por edhe duke dhënë alarmin e rrezikut prej tyre. Periudha dramatike nëpër të cilën kaluan shqiptarët ishte tema kryesore e shkrimeve të tij. Ai u bë determinuesi i gjërave, sugjeruesi dhe këshilltari jonë, vizionari dhe profeti i pakundshok. Shumë gjëra që i parashikoi, dolën tmerrësisht të sakta. Dhe, si rezultat i kësaj shkrimet e tij u bënë shumë të besueshme, pragmatike dhe utilitare, ndaj shpesh shërbenin edhe si një udhërrëfyes paradigmatik në përmasa kolektive. Me anë të tyre ai shkundi ndërgjegjen e shqiptarëve, u dha grushtin shkallmues politikanëve mediokër e analfabetë. Prandaj, publicistika e tij do të mbetet si një dëshmi e kohës gjegjëse, por aq më tepër edhe si vlerë historike e kombëtare e cila do të lexohet e studiohet edhe në të ardhmen. Ai dëshmoi se ishte një publicist në kuptimin më intelektual të fjalës, sepse shihte më larg se të tjerët. Ishte një shkollë më vete prej së cilës mësuan shumë intelektualë e publicistë të tjerë. Dhe në këtë aspekt meriton të vlerësohet e respektohet në mënyrë të denjë.
Nga e gjithë kjo që e theksuam deri tani, mund të nxjerrim një përfundim për rëndësinë e personalitetit të Teki Dervishit.
Së pari, Teki Dervishi është shkrimtar i mirëfilltë dhe shumë i rëndësishëm i letërsisë shqiptare. Ai e emancipoi atë në të gjitha format e saj: në pikëpamje zhanrore, konceptuale, gjuhësore, poetike, filozofike etj. Teki Dervishi i solli letërsisë shqiptare frymën e plotë moderne e postmoderne, duke e nxjerrë nga skemat e thata rrëfimore dhe nga retorika skematike. Ai solli përvojat krijuese të Kafkës, Xhojsit, Borgesit etj. Në të vërtetë, është një postmodernist tipik që u shfaq në kohën kur të tjerët i thurnin lavde e panegjirikë socrealizmit e udhëheqësit “të lavdishëm” e që sot mburren se e kanë sjellë frymën e postmodernizmit. Ai nuk synoi të zbriste në nivelin e lexuesit të rëndomtë, por synoi ta krijojë lexuesin e vet, ta edukojë estetikisht dhe ta ndërgjësojë se në letërsi kryesore është arti, jo tema që e trajton.
Së dyti, prania e tij në jetën letrare, teatrore dhe publicistike ishte shtyllë e fuqishme për ta ruajtur komunikimin thelbësor në mes vlerave të mirëfillta dhe lexuesit si perceptues i tyre. Idetë dhe konceptet e tij u bënë model intelektual për breznitë e reja të cilat shpesh e ndiqnin atë gati në mënyrë epigonike. Dhe si i tillë ai do të mbetet përgjithmonë, natyrisht për ata që kanë shije dhe koncept të shëndoshë për artin dhe estetikën.
Së treti, vendosmëria, guximi dhe dhuntia e tij për t’i thënë gjërat në të gjitha format e shkrimit, tregon për ngulmimin dhe vendosmërinë e tij të fuqishme intelektuale e krijuese. Pra, personalitetin e Teki Dervishit ne mund ta lexojmë e kuptojmë edhe në poezi, edhe në prozë, edhe në teatër, edhe në publicistikë. Shumë herë ai diti që të njëjtat çështje t’i trajtojë edhe nëpërmjet vargjeve, edhe nëpërmjet rrëfimit në prozë, por edhe nëpërmjet shkrimeve publicistike. Dhe në këtë aspekt ai u tregua njëlloj i suksesshëm.
Së katërti, Teki Dervishi meriton të zërë vendin e merituar në shoqërinë shqiptare. Por, për fat të keq, te ne distanca kohore shndërrohet në harresë ose shpërfillje dhe jo në rivlerësim apo studim objektiv. Në kohën kur kryetari apo kryeministri i Kosovës u japin mirënjohje apo dekorata edhe njerëzve që e kanë kontaminuar dhe ndotur jetën tonë kulturore me tallava, Teki Dervishi dhe shumë të tjerë si ai, janë lënë të harresë të plotë, janë shpërfillur e mënjanuar gati në mënyrë armiqësore. Ky paradoks është shumë i shëmtuar dhe i pafalshëm. Por e gjithë kjo e ka një të mirë, është e përkohshme dhe do të tretet bashkë me analfabetët funksionalë që kanë vërshuar gjithandej shoqërinë shqiptare.
Së pesti, meqë Teki Dervishi tanimë e ka mbyllur jetën e vet fizike, kjo do të thotë se krijimtaria e tij e ka hapur rrugën e komunikimit. Ai bëri aq sa mundi gjatë jetës së tij, ishte i pranishëm dhe i papranishëm. Por, nga distanca e sotme kohore na le të kuptojmë se më shumë se shkrimtar i të tashmes, ai është shkrimtar i të ardhmes. Vendosja e tij në rendin e lartë të vlerave kulturore e kombëtare, është e ngadalshme, por tepër e sigurt dhe ngadhënjyese. Emrin e Teki Dervishit meritojnë ta mbajnë shumë institucione arsimore, kulturore, teatrore etj. Veprat e Teki Dervishit meritojnë të jetë në secilën antologji e histori të letërsisë etj. Teki Dervishi meriton t’i botohet një komplet i veprave. Ai është shkrimtar sui generis që e nderon letërsinë tonë kombëtare dhe i siguron perspektivë asaj.