Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Për të vdekurit, fjalët më të pa – zgjedhura: Është një thënie latine se: “Për të vdekurit, fjalë më të zgjedhura ..”!
Shqiptarët janë të paparë në këtë drejtim, sidomos kur deklarohen për vlerat e vërteta njerëzore dhe kombëtare sikur edhe kur duan t’i mbrojnë kundërvlerat apo ndryshkun njerëzorë, moral dhe kombëtar. Nëse e bëjmë një skanim të figurave kryesore kombëtare të historisë së re, hiç këtu pellazgët, ilirët dhe kohën e Skenderbeut del se pjesa dërrmuese e këtyre figurave janë vrarë, burgosur, internuar apo eliminuar politikisht nga Ahmet Zogu bashkë me Nikolla Pashiqin apo kontin Çano, Enver Hoxha bashkë me Stalinin, Titon dhe Bandën e Katërshit Kinez sikur që në kohën e “Demokracisë” që ka pasur eliminime kryesisht politike por jo me pasoja fizike.
Ahmet Zogu i ka cferrë thuaja të gjithë patriotët shqiptarë të asaj kohe për të ikur pastaj nga Shqipëria pa e çkrepë qoftë edhe një plumb të vetëm. Është e dhimbshme dhe për njerëz normal e pabesueshme që thuaja 70% të nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë, ose janë vrarë, internuar dhe mbajtur në burgjet e Shqipërisë për dekada me radhë nga ish-sistemi komunist në krye të të cilit ishte Enver Hoxha, i katapultuar politikisht nga Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviq, antishqiptarë të përbetuar dhe dhunues të çdo drejteje kombëtare, politike dhe njerëzore në Shqipëri. Kosova, pas masakrave të shumta të patriotëve të vendosur shqiptarë në Drenicë, Anamoravë, Llap dhe Dukagjin e që nuk pajtoheshin të mbesin nën Jugosllavi dhe Serbi në një Kuvend të Prizrenit “vendosën” të mos i bashkohen Shqipërisë por të mbesin si pjesë e Jugosllavisë. Realisht, në këto masakra ndaj shqiptarëve të Kosovës, duart i përgjakën edhe partizanët nga Shqipëria përkatësisht Brigada e Shefqet Peçit dhe alishukritë, sinanhasanët, fadilhoxhët, hivzisylejmanët, gjergjekët, xhavitnimanët, mehmetmaliqët, hamzajt, si bashkëpunëtorët e të gjitha regjimeve.
Me një fjalë nxirrnin kuadro që luftonin çdo frymë kombëtare për interes të socializmit vetqeverisës jugosllavë dhe serb. Përkundër terrorit të vazhdueshëm, lufta për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar asnjëherë nuk u shua dhe pikërisht patriotët e mëdhenj, duke u sakrifikuar vet e mbajtën gjallë frymën liridashëse kurse ata që mbetën gjallë e ndriçuan këtë rrugë duke u shkrirë sikur qiriri nëpër llogoret e ish-Jugosllavisë. Demonstratat e vitit 1968, 1074, 1981 dhe të vitit 1989 e gjetën në burg apo llogoret jugosllave Kuptimin dhe Përmbajtjen e Luftës për Liri dhe Bashkim Kombëtar, Bacën Adem Demaçi që i bënte hapat e fundit të një Marathomaku politik thuaja 30 vjet, si i burgosur politikë.
Në vitin 1990, Baca Adem Demaçi u lirua nga një “burg i vogël për t’u kthyer në një burg të madh të quajtur Kosovë..” Në kohën e dhunës së madhe ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi, nga një bërthamë e ish komunistëve shqiptarë dhe anëtarëve të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës në me krye Ibrahim Rugovën dhe alter egon politike, Fehmi Agani. Paraqitja në skenën politike e një partie politike që nuk pajtohej me poziten e shqiptarëve dhe e cila kërkonte më shumë të drejta politike u përkrah nga të gjithë.
Në vitet e ‘90-ta, të burgosurit politikë shqiptarë kishim kredi të madhe politike dhe nëse do të kishim vendosur t’i bëjmë rivalitet LDK-së do të shkaktonim përçarje të madhe dhe pikërisht këtë Baca Adem e kundërshtonte dhe në zgjedhjet e para thuaja të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë e votuan LDK-në dhe Ibrahim Rugovën. Edhe unë veprova në atë mënyrë dhe ky ishte votimi im i vetëm. Kurrë më nuk kam votuar për asnjë parti e për asnjë politikan.
Në bazë të këtyre denoncimeve, patriotin e madh kombëtar dhe doajenin e të burgosurve politikë për Llap, Xheladin Rekaliun e pati keqtrajtuar mizorisht pikërish Rade Noviçeviq që kishte punuar më herët (para se të bëhej kryeudbash) me Xhelën në “Ramiz Sadik”. Pas luftës në Kroaci dhe Bosnje u dëshmua qartë se “rezistenca paqësore” e që nuk ishte kurrfarë rezistenec është me mandat të skaduar dhe, që nga viti 1995-96 roli i LDK-së dhe i Ibrahim Rugovës kishte perënduar. Po në atë kohë filluan aksionet e para të armatosura kundër milicësë dhe ushtrisë serbe sikur që filloi eliminimi i spiujve shqiptarë që i shërbenin UDB-së.
U eliminua disa, për bindjen time shumë pak kur dihej që numri i tyre ishte i madh dhe falë angazhimit të tyre shumë shqiptarë – patriotë të asaj kohe u arrestuan , u mbytën nën torturë apo u vranë. Mosgatishmëria e LDK-së dhe Ibrahim Rugovës që të marrin përgjegjësi që kërkonte koha ishte vija ndarëse përfundimtare midis Adem Demaçit dhe Ibrahim Rugovës. Madje, për më keq, LDK-ja bëri çmos ta pengojë luftën e UÇK-së, që është e vërtetë faktike. Po ta merrte Ibrahim Rugova përgjegjësinë, ushtarin më të vendosur dhe krahun e djathtë do ta kishte pikërisht Bacën Adem Demaçi. Mirëpo Rugova nuk ishte i rreziqeve, ishte intelektual josakrifikues që kapej pas fustanellave të popave të “Shën Exhidios” të cilët edhe ia shpëtuan jetën duke e dërguar në Itali.
Me zgjerimin e luftës dhe nevojën që UÇK-ja të kishte një krah politik, Adem Demaçi në Prishtinë hapi Zyren e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së të cilit iu ofrua, pa asnjë hezitim Albin Kurti, njëri ndër udhëheqësit studentorë. Tash shtrohet pyetja pse pikërisht Baca Adem Demaçi ishte në krye të Zyres së UÇK-së në Prishtinë?! Përgjigja ishte dhe është shumë e thjeshtë; në atë kohë nuk do ta gjeni asnjë shqiptar që do të merrte përsipër rrezikun që e mori Adem Demaçi. Në atë kohë edhe Albin Kurti mori rrezikun për jetën. Realisht Adem Demaçi dhe Albin Kurti sikur edhe bërthama e ngushtë e Zyres së UÇK-së në çdo sekondë gjatë 24 orëve e kishin jetën në rrezik.
U zhvilluan siç u zhvilluan ngjarjet, u dëbuan dhunshëm 800.000 shqiptarë me ta edhe Ibrahim Rugova, Albin Kurti me babanë dhe vëllezëritë u arrestuan dhe në shtëpi mbeti vetën nëna e Albinit Arife Kurti e cila nuk humbi asnjë minutë dhe me guxim të jashtëzakonshëm kërkonte të shoqin dhe djemtë e saj. Fehmi Agani kaloi në ilegalitet në Prishtinë deri në kohën kur hypi në tren për Maqedoni dhe pasi Policia serbe e ktheu trenin në Han të Elezit, në livadhin e Bresjes u detyruan të zbresin të gjithë udhëtarët.
Pas fillimit të legjitimimit, me ta mësuar identitetin e Fehmi Aganit, ai u ekzekutua nga policia serbe. Po në të njëjtën kohë njësiti special i UÇK-së ka dashur ta bëjë tërheqjen e Bacës Adem Demaçi nga Prishtina në një vend më të sigurt. Mirëpo Baca Adem nuk ka pranuar në asnjë mënyrë të largohej nga Prishtina dhe Kosova. Edhe me rrezikun e humbjes së jetës. Madje, gjatë shëtitjes së vetmuar të Bacës Adem rrugëve të Prishtinës kur qytetarët largoheshin si lumi një policë i Serbisë i drejtohet Bacës me fjalë: “Demaçi, ode ti narod, kako qe da zhivish sam, idi i ti ..Demaçi, të shkoi populli, si do të jetosh i vetmuar, shko edhe ti…”. Baca më tregonte se përgjigja e tij ishte se edhe nëse në Prishtinë nuk do të mbetej as edhe një njeri i vetëm, ai nuk do të largohej…” Me një fjalë, Fehmi Agani u vra në Bresje, Ibrahim Rugova u transferua në Itali, Albin Kurti u rrah mizorisht dhe përfundoi si rob lufte në llogorin e Pozharevcit.
Baca Adem Demaçi, mbeti në Prishtinë sepse edhe nëse do të bartej dhunshëm jashtë Kosovës, përsëri do të kthehej në Kosovë.
Hamleti apo Miza e Kalit, nga perspektiva e prapanicës së siguruar: Driton Selamanaj është një deputet i LDK-së që njihet me një fjalor të rreptë, të sertë dhe helmues ndaj UÇK-së dhe ushtarëve të UÇK-së. Tash flet me guxim ndërsa nuk ka ndonjë histori që e lidhë me luftën.
Ndoshta mosha është në pyetje mirëpo, ma merr mendja se, së paku, nëse nuk ka pasur mundësi të kapë armën gjatë luftës atëherë ka pasur mundësi ta luajë rolin e Debatikut. Dilemat që i ka ngritur se pse qenka vrarë Fehmi Agani dhe nuk janë vrarë Albin Kurti dhe Adem Demaçi janë dilema të Hamletit në formë të Mizes së Kalit. Atëherë shtrohet një pyetje, pse qenka vrarë Fehmi Agani e nuk qenka vrarë Ibrahim Rugova. A pak i duket Hamletit – Mizes së Kalit vrasja e Adem Demaçit gjatë 30 vjetëve burg të rëndë në llogoret e ish-Jugosllavisë por se qenka dashur që ta vrasin për ta plotësuar tablon paranoike të Mizes së Kalit?!
Edhe sa i përket Albin Kurtit Miza e Kalit nuk mund ta gjejë asnjë vërejtje për Albinin e asaj kohe, as në planin kombëtar, as politikë e as gatishmërisë për t’u sakrifikuar çdo kohë në shërbim të popullit dhe atdheut. Driton Selamanaj ka arsye dhe mundësi të merret me Albin Kurtin, si kryeministër aktual për shumë gjera të bëra dhe të pabëra por nuk ka as edhe kreditin më të vogël moral, kombëtar, politik dhe njerëzorë të merret me Albin Kurtin e Zyres së UÇK-së! Kjo do t’i ngjante një lufte midis buburrecit dhe elefantit! Driton Selmanaj dhe shumë deputetë sot janë ulur në karriken e deputetit falë luftës dhe vuajtjeve të ish të burgosurve politikë, falë luftës së lavdishme të së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare të Kosovës, falë sakrificës së Komandantit Legjendar Adem jashari dhe falë Vetëmohimit dhe Sakrificës Biblike të Bacë Adem Demaçit. Askush nuk mund dhe nuk duhet ta sulmojë Driton Selmanaj se e paska përkrahur Ibrahin Rugovën sepse edhe Rugova është pjesë e historisë ose pse e admiron Fehmi Aganin por se duhet të tregojë respekt edhe për këta që e sollën këtë liri që e kemi, që e shkatërruan vëllazërim – bashkimin dhe e rrënuan socializmin vetëqeverisës jugosllav.
Liria dhe karrika ku është ulur Driton Selmanaj dhe mohues të pacipë të sakrificës ka vetëm një emër: Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të atyre që me sakrificën e tyre kanë kontribuar për këtë emër prej kohës kur ka filluar robëria ndaj shqiptarëve e deri sa janë çliruar. Historia është sport i pamëshirshëm; ta jep mundësinë të hysh në lojë kur luhet loja por nuk lejon të bëhesh pjesë e lojë kur përfundon loja.
Qartazi dikush ka munguar gjatë krijimit të historisë dhe tash vetëm i mbetet ta lexojë historinë! I pëlqeu apo jo!