Media do të ishte e kontrolluar. Televizionet kryesore do të jepnin vetëm lajme pozitive për qeverinë dhe negative për opozitën. Aq shumë do të fajësohej opozita sa njerëzit pa kuptuar do të arrinin në përfundimin se opozita nuk po qeveris mirë vendin. Gazetarët nuk do të kishin mundësi të raportonin as sukseset e qeverisë, sepse këto raportime do t’i vinin të gatshme nga vetë qeveria.
Po të mos jetonim në demokraci, do të mbyteshim nga propaganda 24 orë!
Nëse nuk do të jetonim në demokraci, do të kishim një situatë ku populli do t’i këndonte këngë liderit për të mirat dhe begatitë që po gëzon.
Po të mos jetonim në demokraci, zgjedhjet nuk do të ishin një garë idesh, alternativash dhe platformash, ku pozita dhe opozita garojnë në kushte të barabarta loje, siç po ndodh sot, por do të kishim një situatë të pa imagjinueshme, ku qeveria, gjykatat, institucionet të pavarura, do të bënin çmos të pengonin opozitën për të marrë pjesë në zgjedhje edhe formalisht.
Po të mos ishim demokraci, zgjedhjet do të bëheshin vetëm për të konfirmuar liderin në detyrë dhe për të ndëshkuar ca të çmendur që u shkon mendja të organizohen në parti me synim “rrëzimin e pushtetit”.
Po të mos jetonim në demokraci, do të kishim përdorim arbitrar të pushteti nga një njeri që nuk i përgjigjet askujt, do të kishim një situatë të paimagjinueshme me kapriçot e një njeriu që do të bënte çfarëdo që do t’i shkonte në mendje pa i shkuar kurrë mendja për ligjin, rregullin, procesin e rregullt gjyqësor dhe opinionin publik.
Po të mos jetonim në demokraci ku sundon shteti i së drejtës, korrupsioni dhe nepotizmi, fenomene që në nuk i njohim, do të mbysnin konkurrencën e lirë, dhe do të shkurajonin investitorët vendas e të huaj.
Po të mos jetonim në demokraci, çdo gjë do të ishte përmbys. Në demokraci sa më e madhe të jetë oferta aq më shumë ulet çmimi, po të mos vepronte ky “ligj” i tregut, e imagjinoni dot të blini një shtëpi me 3000 apo 4000 euro metra katrorë?
Po të mos jetonim në demokraci, njerëzit do të largoheshin në masë nga Shqipëria në kërkim të vendeve demokratike ku ka ekonomi tregu, media të lirë, gjyqësor të pavarur, shoqëri civile të gjallë, e institucione të forta.
Po të mos ishim në demokraci, gjysma e shqiptarëve do ta kishte lënë vendin.
Sa me fat jemi që jetojmë në demokraci.