Marjeta Shatro Rrapaj
Dielli më mbështjell me mantelin e artë të rrezeve
e një ritëm i gëzuar fantazish më rrëmben.
Ora e lumturisë kumbon në veshë
e zjarri i ëndrrave për jetën ndizet.
Cicërima zogjsh bëjnë rezonancë me shpirtin
e natyra me gjymtyrë e trup zjarrmon
nga dëshira e çmendur e mosndaljes së vrullit,
mrekullisht e bukur, pafundësisht e brishtë!
Humbas ngjyrave e aromave,
përqafuar nga krahët e pasionit.
Me buzëqeshje në buzë, këndoj me shpirt
vargjet që digjen brenda meje që nga antikiteti,
magjepsur prej madhështisë natyrë e heshtur,
rilind tek unë një tjetër njeri.