Me kërkesë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, u mbajt sot mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), me qëllim të shqyrtimit të situatës së sigurisë në komunë, pas përshkallëzimit të saj gjatë ditëve të fundit dhe ngjarjeve të fundit tragjike.
Në këtë mbledhje mori pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Enver Dugolli. Të pranishmit u informuan nga afër për rrethanat dhe detajet e rasteve të fundit nga drejtori rajonal i Policisë, z. Agron Rukiqi, si dhe komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, z. Besim Rexhepi.
Gjatë diskutimeve, u rekomandua rritja e kontrolleve policore për parandalimin dhe identifikimin e armëmbajtjes pa leje, si dhe shtimi i prezencës policore në shkolla, me qëllim të garantimit të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor.
Institucionet komunale kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me organet e rendit dhe të sigurisë, duke e konsideruar mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve prioritet kryesor.
Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet përgjegjëse dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ruajtjen e qetësisë, rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve në të gjitha pjesët e komunës.
Siguria e qytetarëve tanë dhe mbrojtja e fëmijëve mbeten përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore./Gjilani Info/



