Janë prezantuar tre kandidatë me rrënjë shqiptare për zgjedhjet parlamentare të 22 tetorit: Islam Alijaj (SP), Përparim Avdili (FDP) dhe Reis Luzhnica (SP)
Pjesëmarrja e shqiptarëve me të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare (dhe të tjera) të Zvicrës, dhe në përgjithësi, angazhimi i tyre në politikën zvicerane lë shumë për të dëshiruar. Statistika në këtë drejtim tregon shifra shumë të ulëta në raport me numrin relativisht të madh të shqiptarëve me pasaportë zvicerane.
Që kjo gjendje sadopak të ndryshojë dhe që komuniteti ynë të sensibilizohet më shumë me jetën politike të vendit ku jeton prej dekadash, platforma mediale Albinfo.ch ka organizuar të dielën në Cyrih një debat interesant publik.
Shkasi konkret i këtij debati ishte prezantimi i tre kandidatëve me rrënjë shqiptare për zgjedhjet për Parlamentin e Zvicrës që mbahen më 22 tetor 2023. Fjala është për kandidatët: Islam Alijaj (SP), Përparim Avdili (FDP) dhe Reis Luzhnica (SP).
Gazetari i njohur, redaktor në gazetën zvicerane Tages Anzeiger, Enver Robelli, ka mbajtur një fjalë paraprijëse lidhur me temën e debatit. Ai ka bërë një vështrim të gjerë mbi nevojën e pjesëmarrjes më të madhe të shqiptarëve në jetën e këtushme politike. Sipas tij, rritja e përqindjes së votuesve shqiptarë në Zvicër paraqitet si një nevojë me urgjencë të konsiderueshme, nëse nuk duam të mbetemi në pozitën e atyre që dinë vetëm të ankohen. Pjesëmarrja e shqiptarëve si kandidatë për një vend në Parlament, sipas tij, duhet të shërbejë si një shtytje më e madhe për të hequr dorë nga komoditeti që na karakterizon ne, shqiptarëve me të drejtë vote në Zvicër.
Prezantimit të kandidatëve për deputetë i ka paraprirë një debat i gjallë me përfaqësues nga jeta shoqërore e kulturore e komunitetit, shkruan albinfo.ch. Moderatorja Shqipe Sulejmani ka sjellë në skenë aktivisten e njohur shoqërore, themeluese të shoqatës “Parandalo”, Valdete Hoti Selimi, mjekun e shquar, drejtor i Spitalit Universitar të Cyrihut, Prof. Dr. Omer Xhemali, dhe komikun Taulant Gashnjani.
Pjesëmarrësit e përmendur kanë folur për gjendjen aktuale të komunitetit tonë në Zvicër, shkallën e integrimit, pengesat dhe paragjykimet që shoqërojnë procesin e integrimit dhe stabilizimit të këtij komuniteti në shoqërinë zvicerane etj. Në këtë kontekst, Valdete Hoti Selimi ka përmendur barrierat që ajo, si person me nevoja të veçanta, si pjesë e një komuniteti me sfond migracioni dhe si shqiptare. Ajo ka folur për një diskriminim të trefishtë, qoftë direkt ose indirekt, me të cilin ajo ballafaqohet në jetën e përditshme.
Dr. Xhemali ka përshkruar gjendjen nga pozita e tij si mjek i shquar që para se të vinte në Zvicër ka jetuar në Gjermani. Ai ka vënë theksin në nevojën për një qasje më autokritike të shqiptarëve në Zvicër, shkruan albinfo.ch. Ka vërtet paragjykime ndaj shqiptarëve, por nuk guxojmë të mohojmë ekzistimin e disa shkaseve që ne si shqiptarë i japim ekzistimit të këtyre paragjykimeve. Megjithatë, ka vazhduar ai, të gëzon rritja e pranisë së shqiptarëve të brezit të dytë e të tretë në të gjitha sferat e jetës zvicerane, përfshirë këtu edhe nivelet e larta, jo vetëm në politikë.
Dr. Xhemali ka nënvizuar se kur jemi te zgjedhjet aktuale, nuk duhet të krijojmë iluzione se kandidatët me rrënjë shqiptare po u zgjodhën, duhet të merren në radhë të parë me komunitetin. Kjo, për faktin se ata zgjidhen si përfaqësues të partive respektive dhe jo si shqiptarë.
Komiku Taulant Gashnjani ka folur për paragjykimet më tipike, të cilat i ka përjetuar edhe ai në lëkurën e tij, si i ri dhe pjesëtar i komunitetit shqiptar. Po kështu, ai i ka përpunuar këto stereotipa edhe në paraqitjet e tij publike prej komiku.
Debati i tre kandidatëve për Parlamentin e Zvicrës
Pyetjes së moderatores për arsyen e kandidimit të tyre për zgjedhjet nacionale, Islam Alijaj nga SP i është përgjigjur: “Unë nuk dua që fëmijët e mi të rriten në një shoqëri në të cilën babai i tyre është perceptuar si njeri me më pak vlera. Për këtë arsye unë angazhohem për më shumë inkluzion (përfshirje) dhe për këtë unë dua të jem pjesë e Parlamentit Nacional”.
Për Përparim Avdilin politika është një aktivitet me të cilin merret prej vitesh dhe si e tillë ajo e shënjon gjithë jetën e tij. Ai konsideron se ka çështje, të cilat mund të trajtohen më shumë në nivel nacional se sa në atë lokal ose kantonal, dhe kjo është arsyeja përse ai ka vendosur të kandidojë për këtë nivel.
Reis Luzhnica po ashtu jeton prej kohësh me politikën. “Politika, sikur te një pjesë e madhe e komunitetin, ka qenë e pranishme edhe në shtëpinë time”. Po ashtu unë dëshiroj që jo vetëm politika të merret me mua, por që edhe unë të bëj ndikimin në politikë. Për këtë dhe arsye të tjera po kandidoj për Parlamentin e Zvicrës.
Të tre kandidatët në fjalën e tyre kanë folur për përvojat e tyre në fushat përkatëse, ku janë angazhuar më shumë krahas punës së asamblistit në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut, raporton albinfo.ch.
Islam Alijaj, siç dihet, është lobist i njohur në nivel vendi kur bëhet fjalë për përpjekjet e tij në drejtim të realizimit të të drejtave të barabarta për personat me nevoja të veçanta. Ai është një luftëtar i pakompromis që synon “inkluzionin”, përfshirjen e kësaj kategorie në të gjitha sferat e jetës dhe perceptimin e saj si një pjesë normale, e nënkuptueshme e shoqërisë.
Përparim Avdili, përveç punës së tij si asamblist dhe kryetar i FDP-së për Cyrih, njihet si bartës i shumë aktiviteteve shoqërore që lidhen, veç tjerash edhe me komunitetin shqiptar të Zvicrës. Ai bën pjesë edhe në kreun e klubit futbollistik të Cyrihut “FC Kosova”, është bashkiniciator i subjektit “Swissalbs” që bën bashkë sipërmarrësit shqiptarë të Zvicrës etj.
Duke folur për rolin e politikanit të ri si model, shembull për t’u ndjekur nga të rinjtë me prejardhje të huaj, respektivisht nga ata shqiptarë, Avdili ka thënë se ai ka zhvilluar shumë aktivitete drejt arritjes së këtij synimi. Por, ka shtuar ai, pjesëtarët e komunitetit tonë nuk mjafton vetëm të kënaqen me të drejtat që u ofron pasja e pasaportës zvicerane. Ata duhet të jenë të gatshëm të bartin edhe detyrime, si shtetas të këtij vendi, shkruan albinfo.ch.
Reis Luzhnica po ashtu krahas detyrës si asamblist, është parë në shumë aktivitete të tjera, kryesisht brenda komunitetit të këtushëm shqiptar. Ai njihet si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në Zvicër dhe kontribuues në lidhjet në mes të qendrës së kësaj lëvizjeje në Prishtinë dhe partisë të cilës i takon, (Partia Socialdemokrate SP), në Zvicër.
Duke iu referuar identifikimit të tij me partinë të cilës i takon, Luzhnica ka thënë se kjo parti (SP) ndihet më shumë se të tjerat “shtëpi” e kategorive të pafavorizuara. Dhe në këtë kategori hyjnë njerëzit me prejardhje të huaj dhe ata me nevoja të veçanta, ku ka përmendur si shembull pikërisht Islam Alijajn, kandidatin tjetër nga kjo parti për zgjedhjet nacionale.
Vetë Islam Alijaj ka folur gjithashtu për rolin e modelit që politikanët kanë për masat, kryesisht të rinjtë. “Kur ata shohin se unë (në rrethanat në të cilat jam) ia kam dalë, do të marrin guximin për të luftuar që ta arrijnë këtë gjë.
Ai më tutje ka thënë se detyrë e politikës është që të mundësojë barazinë e shanseve për të gjithë, përfshirë këtu edhe personat me aftësi të kufizuara (me nevoja të veçanta). Për këtë arsye ai e sheh të nevojshme të jetë pjesë e politikës dhe të kandidojë për një vend në Parlamentin Federal.
Si emërues i përbashkët i qëndrimeve të tre kandidatëve, edhe pse vijnë nga dy parti të ndryshme, siç doli nga debati, është zotimi i tyre që të bëhen zë i atyre që më së paku u dëgjohet zëri, në Zvicër. E ata janë të huajt, dhe në veçanti shqiptarët, komunitet, pjesë e të cilit janë edhe ata.
Në pauzat mes debatit, instrumentisti virtuoz i kitarës klasike, Ron Atiqi, është paraqitur me disa pika të zgjedhura muzikore.
Paltaforma albinfo.ch online&print ka transmetuar live debatin, shikoni videon: https://fb.watch/m_UhDhnNdN/
Fotograf: Armend Berisha