Përfaqësues të Kompanisë Rajonale për ujë KRU “Hidromorava”, i kanë bërë ftesë konsumatorëve, të cilët furnizohen me ujë të pijshëm nga kjo kompani e që kanë obligime, që t’i shlyejnë ato, për të mos pasur nevojë që kompania të ndërmerre masa, si me ndërprerje të lidhjes së shërbimit nga rrjeti i ujësjellësit, inicimi i procedurës përmbarimore si dhe inicimi në organet gjyqësore.
Rina Ahmeti, zëdhënëse e KRU “Hidromorava”, Granit Sylejmani, menaxher i Divizionit për Shërbime me Konsumatorë si dhe Valon Maliqi, menaxher i Divizionit Komercial në KRU “Hidromorava”, përveç ftesës për shlyerje të obligimeve thanë se do të ndërmarrin masa edhe ndaj keqpërdoruesve të ujit dhe ndaj atyre që janë kyçur ilegalisht.
Ajo përmendi me këtë rast masat që mund të ndërmerren si me ndërprerje të lidhjes së shërbimit nga rrjeti i ujësjellësit, inicimi i procedurës përmbarimore si dhe inicimi në organet gjyqësore.
Ahmeti tha se përveç thirrjeve individuale që kanë bë gjatë gjithë kohës duke i ftuar që të kryejnë pagesat të rregullta me mundësi të riprogramimit të borxhit për kryerjen e obligimit me këste, kanë dërguar edhe vërejtje për mos pagesën e ujit, andaj edhe sot i bëjnë thirrje publike të gjithë konsumatorëve individual, bizneseve si dhe institucioneve publike që kanë borxhe të mëdha ndaj kompanisë të kryejnë obligimet financiare sepse nga sot ne fillojnë aksionin intensive për shkyçje nga ujësjellësi duke filluar nga bizneset e tutje.
“Është koha që të reflektojmë dhe është shumë e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e pagesës së faturave të ujit në kohë. Uji është një burim i çmuar, dhe është përgjegjësia jonë e përbashkët të sigurojmë që të gjithë të kenë qasje në këtë burim të vlefshëm për jetën tonë. Kompania e ujësjellësit Hidromorava ndërmerr përpjekje të mëdha për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm të ujit dhe duke e pasur parasysh koston e lartë të trajtimit të ujit, pagesa e faturave është thelbësore për të mbështetur këtë infrastrukturë, pasi te gjitha te hyra shpenzohen për nevoja të kompanisë, prodhimin e ujit si dhe shpërndarjen e ujit tek konsumatorët”, ka thënë Ahmeti.
Zëdhënësja e Hidromoravës shtoi tutje se duke paguar faturat e ujit në kohë, duke raportuar çdo kyçje të paligjshme dhe duke mos e keqpërdor ujin e pijshëm, do të kontribuojmë në sigurimin e një burimi të qëndrueshëm të ujit dhe do te krijohet stabilitet dhe mundësi që kompania të siguroj furnizim të qëndrueshëm të ujit për të gjithë përdoruesit.
Edhe Granit Sylejmani, Menaxher i Divizionit për Shërbime me Konsumatorë foli për rëndësinë e shlyerjes së obligimeve për të mirë të përgjithshme, derisa foli edhe për humbjet e ujit si dhe keqpërdorimet dhe kyçjet ilegale, për të cilat tha se kompania nuk do të ketë tolerime por se do të shtohet edhe më shumë inspektimet dhe se, sipas ligjit, do të ndërmerren veprime ndaj tyre.
Po ashtu ai tha se edhe furnizimi me ujë është i mirë pasi kemi pasur edhe gjendjen e mirë në pendën e Përlepnicës, përkundër që në këto muaj, kur kemi pasur edhe bashkatdhetarët tanë në pushime, ishte shtuar konsumi i ujit, ndërsa foli edhe për investime në rrjet dhe projekte të tjera që parashihen në përmirësim të kushteve në infrastrukturë, por edhe të furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm.
Valon Maliqi, menaxher i Divizionit Komercial në KRU “Hidromorava”, në fjalën e tij u ndalë me tepër te borxhet, që sipas tij i ka amvisëria, bizneset por edhe disa institucione publike. Edhe ai kërkoi shlyerjen e këtyre borxheve, që ka rëndësi për funksionimin e mirë të kompanisë dhe me këtë edhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira për konsumatorë.
Sipas tij, me institucione publike nuk ka probleme pasi ata ose paguajnë në peirudha të caktuara (tremujore), si dhe në fundvit i kryejnë obligimet, por se ai kërkoi sidomos nga bizneset, ato të jenë të përgjegjshme dhe të shlyejnë obligimet, por edhe konsumatorët individual.
Edhe Maliqi bëri me dije se nëse konsumatorët nuk i përgjigjen thirrjes për shlyerje të borxheve do të fillohet me shkyçje, por edhe me masa tjera. /GJILANI INFO/


