Derisa presidenti serb Aleksandar Vuçiq flet shumë për politikë, ai pothuajse asnjëherë nuk deklarohet për krimet e Serbisë mbi popullin e Kosovës. Madje, as Prokuroria serbe nuk tregon për zvarritjen e lëndëve të krimeve të luftës, të cilat me vite të tëra presin në sirtarët e gjykatave në Serbi. Njëri ndër ta është rasti i Qyshkut, për të cilin aktakuza është ngritur në vitin 2010 dhe procedura është ende në vazhdim.
Në Serbi vlerësohet se numri i gjykimeve për krime lufte të kryera kundër shqiptarëve në Kosovë, është i pamjaftueshëm. Si problemet kryesore veçohen mos hetimi, mos pasja e aktakuzave të reja, mos ardhja e viktimave dhe mos sigurimi i dëshmitareve.
“Në Serbi kemi një numër relativisht të vogël të procedurave për krime të kryera kundër shqiptarëve në Kosovë. Në anën tjetër, aktakuza të reja nuk janë ngritur”, deklaron për RTK-në, përfaqësuesja ligjore e viktimave në rastin e Qyshkut, Marina Klaiq.
Sipas Klaiq, gjykimet zgjasin shumë dhe shembulli më drastik është rasti i Qyshkut, në të cilin aktakuza është ngritur në vitin 2010 dhe procedura është ende në vazhdim.
“Aktgjykimi i shkallës së pare (rasti i Qyshkut) është revokuar dhe tani jemi në fazën e përsëritjes. Procedura në shkallë të parë po zgjat shumë. Gjatë vitit 2020 dhe 2021 nuk është mbajtur asnjë seance gjyqësore dhe së fundmi, më 8 korrik, kemi pasur shqyrtimin e parë për atë rast në 2022. Arsye për anulimin e aktgjykimit ishte qëndrimi i Gjykatës së Apelit se Gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë të mjaftueshme për të siguruar pjesëmarrjen e dëshmitarëve dhe palëve të dëmtuara”, tha Klaiq.
Aktakuza e fundit për krimet ndaj civilëve shqiptarë ka qenë ajo për rastin në Tërnje ne vitin 2013, dhe nuk ka aktakuza të reja. Ndërkohë, dy aktakuza janë ngritur, mirëpo, siç tha Klaiq, vetëm formalisht.
“Aktakuza janë ngritur zyrtarisht në vitin 2014 dhe 2019, por të dyja kanë të bëjnë me ngjarjet që lidhen me rastin e Qyshkut. Në vitin 2014 i referohet tre autorëve të rinj të krimeve në Lubeniq, i cili tashmë është përfshirë në procesin e Qyshkut, dhe në 2019 kundër personit që ishte përfshirë në hetim mirëpo nuk ishte në dispozicion të autoriteteve shtetërore. Pra në fakt ne nuk kemi asnjë aktivitet për sa i përket Prokurorisë”, tha ajo.
“Në pyetjen se çfarë ndodh në këto procedime, prokuroria jep një përgjigje të përgjithshme se janë duke vepruar sipas kallëzimit penal dhe se kanë problem të kontaktojnë dëshmitarët dhe viktimat. Pra, për fat të keq, përkundër kallëzimit penal dhe përkundër provave, nuk kemi asnjë reagim nga Prokuroria për Krime të Luftës”, thekson Klaiq.
Bashkimi Evropian më parë në disa raste ka paralajmëruar për ndalje në ndjekje penale të krimeve të luftës ne Serbi. Ekspertët ligjorë që merren me të drejtat e njeriut besojnë se çështja e krimeve të luftës në Serbi është politizuar.
Aleksandar Ollenik, jurist nga Beogradi tha se para dhjetë viteve, në Serbi ka pasur një procedim të krimeve të luftës më të madh, ndërsa sot nuk ka procedura të reja dhe nuk kryhen të vjetrat.
“Sot puna e Prokurorisë për Krimet e Luftës përdoret vetëm për te treguar BE-se se diçka po punohet”, shtoi ai.
Një problem i madh, sipas Klaiq, është ardhja e dëshmitarëve nga Kosova, sepse bëhet fjalë për persona shumë të moshuar ose që kanë probleme shëndetësore.
“Që nga ndryshimi i rolit të misionit të EULEX-it në vitin 2018, nuk ka mundësi të bashkëpunimit si dikur, kështu që ardhja e atyre dëshmitarëve është shumë më e vështirë se në të kaluarën”, tha Klaiq.
Sipas Olllenik, është evidente që ekziston mosbashkëpunimi me viktimat.
“Për ardhjen e dëshmitareve në Beograd duhet të plotësohen një sërë kushtesh, e për një gjë e tillë nuk shihet që ka vullnet politik”, thotë ai.
RTK ka kontaktuar Prokurorinë në Serbi mirëpo deri më tani nuk ka marr përgjigje lidhur me gjendjen e proceseve gjyqësore, çka është bërë deri tani në procedimin e rasteve dhe a planifikohen ndjekje të reja për krimet e luftës të kryera kundër shqiptarëve në Kosovë.