“Libri im i titulluar “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, ( “Media, ethics, reporting on sensitive situations, investigations and legal notions in journalism”), tashmë doli nga shtypi dhe jam shumë i lumtur, që pas një pune intensive dhe tejet përkushtuese, e angazhuese, arrita ta kurorëzojë këtë projekt timin kapital, jetësor e shumë profesional”, ka bërë me dije Musa Sabedini, përmes një postimi në profilin e tij.
Sipas tij, libri i dedikohet studentëve të zellshëm të gazetarisë, studiuesve të aftë të medias, gazetarëve të guximshëm e hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, hetuesve të sinqertë, prokurorëve të guximshëm e gjyqtarëve me etikë profesionale.
Ja postimi i tij i plotë:
Miq të respektuar,
Libri im i titulluar “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, ( “Media, ethics, reporting on sensitive situations, investigations and legal notions in journalism”), tashmë doli nga shtypi dhe jam shumë i lumtur, që pas një pune intensive dhe tejet përkushtuese, e angazhuese, arrita ta kurorëzojë këtë projekt timin kapital, jetësor e shumë profesional.
Libri i dedikohet studentëve të zellshëm të gazetarisë, studiuesve të aftë të medias, gazetarëve të guximshëm e hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, hetuesve të sinqertë, prokurorëve të guximshëm e gjyqtarëve me etikë profesionale.
(This book is dedicated to passionate students of journalism, competent media scholars, daring investigative journalists, professional editors, sincere investigators, and courageous prosecutors and judges with professional ethics).
Botues i librit është UBT dhe i ka hiq më pak se 532 faqe.
Recensent të librit janë kolegët e respektuar Ahmet Maloku dhe Safet Zejnullahu.
Më poshtë e keni parathënien e librit dhe vlerësimin e dy recensentëve.
Ju falënderoj nga zemra të gjithë juve që më mbështetet gjatë kësaj periudhe për mua shumë sfiduese. Libri është më shumë se sakrificë, por sot po ndihem i gëzuar e i lumtur që ndodhem para këtij kapitulli të përfunduar.
Parathënie
I respektuar lexues,
Libri me një titull mjaft problematik dhe aktual në fushën e gazetarisë erdhi dhe po vjen si rezultat i punës sime shumëvjeçare në gazetari, e ndërtuar nga përvoja e gjatë edhe gjatë raportimit nga fusha të ndryshme nga tereni, duke përfshirë këtu qindra procese e seanca gjyqësore, edhe të karakterit ndërkombëtar.
E kam parë të udhës që ky libër të dali në dritë dhe t`i prezantohet studentëve të gazetarisë, ekspertëve dhe studiuesve të kësaj fushe, redaktorëve e kryeredaktorëve të medias së shkruar dhe asaj online, me të vetmin qëllim dhe synim, që të njohim profesionalisht problemin dhe mënyrën e të raportuarit për situatat e ndjeshme e të jashtëzakonshme.
Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online janë vërejtur defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen. Ky libër, nuk do të thotë që është i përkryer ose që nuk ka nevojë për prezantime shtesë, por jam i sigurt se për studentët dhe ata që e kryejnë gjatë gjithë jetës këtë profesion delikat, do të kenë mundësi që të jenë të pagabuar gjatë raportimit.
Nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda. Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, andaj kjo agjendë dhe ky libër iu mundëson ta njihni më afër problemin, ta trajtoni me dinjitet e përgjegjshmëri çfarëdo dukurie jetësore, sociale, ekonomike, politike, kulturore e religjioze.
Libri i titulluar: ”Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, patjetër që i referohet problemeve në teren që has çdo gazetar. Etika mbetet problemi më delikat i mënyrës së raportimit, sepse jo përherë mediet e kryejnë misionin dhe detyrën me ndershmëri e relevancë.
Shpresoj shumë që libri do t’u duhet të gjitha gjeneratave, sepse shtjellon, trajton e studion raste nga më të ndryshmet, bazuar e nisur edhe nga përvoja ime mbi 32- vjeçare.
Gazetarinë e mirë e ndërtojnë mediet profesionale, por në teren janë kronistët ata që bëjnë lajmin, kronikën, raportin dhe investimi në këtë drejtim është obligim profesional i yni.
Andaj raportimi për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, padyshim që paraqet njërën nga sfidat më të mëdha të medias, e në veçanti të gazetarit që ballafaqohet drejtpërdrejt me këto situata.
Natyra e krimeve është e llojllojshme dhe fenomenet e raportimeve ndryshojnë nga rasti në rast. Gazetari kosovar duhet të mendojë mirë kur raporton për situatat e rënda nëpër gjykata, për proceset e mëdha gjyqësore, për krimet politike, vrasjet e rënda, tragjeditë familjare, sëmundjet e rënda e zhvillime të tjera emocionale.
Detyrimisht, çdo gazetarë që merret me këto fusha, pashmangshëm duhet të jetë i përgatitur mirë profesionalisht, për t`iu bërë ballë këtyre obligimeve të rrezikshme.
Gazetari që ka përgatitje fizike, psikologjike, emocionale dhe intelektuale, shumë më lehtë dhe më mirë i tejkalon këto rreziqe.
Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja derisa raportojmë për vrasjet, dhunimet, plagosjet, trazirat, trafikimin, korrupsionin, prostitucionin, por emocionet në gazetari dhe paragjykimet gjatë raportimit, janë e keqja më e madhe e gazetarisë.
Raportimi për situatat e ndjeshme, pastaj raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë.
Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale dhe të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është pak e mundimshme në rrafshin profesional. Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve.
Natyrisht që secila media ose secili gazetarë do të ndihej i lumtur nëse në këto raportime zbulohet dhe thuhet e vërteta, se fundja këtë synim e ka gazetaria.
Por a mund të raportojmë për situatat e ndjeshme e konfliktuoze, e të mos japim paragjykime. Sigurisht që është e mundur dhe patjetër që synim dhe qëllim final mbetet për secilën media që ta avancojë këtë fushë. Dhe ky libër synon këtë orientim për gazetarët, studentët, studiuesit e medieve, ekspertët dhe profesionistët e kësaj fushe.
Në librin tim do të kujdesem që me shumë shembuj dhe praktika të veçanta dhe atraktive për mediet të dominojë realiteti dhe e vërteta.
Libri përbëhet nga shembuj të shumtë, raste konkrete për të gjitha kategoritë e ndjeshme, duke filluar me Kapitullin e parë, që flitet për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike.
Në Kapitullin e dytë kam trajtuar dhe analizuar më shumë raportet medie, polici, prokurori dhe gjykatë, pastaj termet juridike, i ndaluar i përkohshëm, i dyshuar, i burgosur, i akuzuar, i dënuar, i dëmtuar, hetimet policore, veprimet policore, kallëzimi penal i policisë, obduksioni i kufomës, ngritja e aktakuzës, raportet media – prokuror, përkufizimet juridike, dilemat e gazetarëve, udhëzues, manual e agjenda për të shkruarit nga gjykatat, avokatët mbrojtës, publiku, i pandehuri, organogrami i gjykatave, roli i Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Prokurorial të Kosovës, udhëzues praktik për shkrimet për mediet online, TV e Radio, njohja me seancat gjyqësore, trupin gjykues, fjalët përfundimtare gjatë një seance gjyqësore, llojet e aktgjykimeve dhe aktgjykimet e Gjykatës së Apelit.
Kurse në Kapitullin e tretë janë dhënë informacione më koncize për përkufizimet, termet dhe nocionet juridike, veprat penale të terrorizmit, krimeve të rënda si dhe nocionet më shpesh të përdorura në gazetari.
Shpresoj shumë që libri do jetë një udhëzues, manual, agjendë mediale për t’a pasuruar fjalorin tuaj, duke shfrytëzuar edhe shumë shembuj e raste praktike.
Librin e kam bërë me shumë pasion, dashuri e motiv të pashoq. Është përvoja ime mbi 32-vjeçare, janë katër çmime të fituara për gazetarinë hulumtuese, përvoja mbi 11- vjeçare si profesor në degën e Medias në UBT, moderator i mbi 300 debateve e tryezave me karakter vendor e ndërkombëtar, mbi 20 vite themelues dhe udhëheqës i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”, autor i tre librave, ”Vrasja e drejtësisë në Kosovë”, “Vrasje dhe dëshmi” dhe “Monografi për Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu”, themelues dhe editor në portalin “Rajonipress”, i trajnuar për gazetari Hulumtuese në Columbia Misuri të SHBA-së.
Botimi i këtij libri nuk ka qenë i lehtë dhe pa sfida, për çka e falënderojë pafund familjen time nga zemra për mbështetje dhe përkrahjen.
Pashmangshëm që në këtë rrugëtim timin dhe për botimin e këtij libri duhet ta falënderojë mikun tim dhe rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizin, një falënderim për recensentin dhe konsultimet profesionale shkon për Ahmet Malokun, Safet Zejnullahun, Jetish Malokun, Agron Ukën, Arben Kadriun, Afrim Shalën, Shemsedin Pirajn, Hamdi Jasharin, Ajshe Qorrajn, Sabit Shkodrën, Albert Zuka, Arbër Salihun, Ismet Hashanin dhe Enver Sadikun, për kujdesin e lekturimit dhe korrektimit të librit.(autori)
Nga recensioni i Pof. Asoc. dr. sc. Ahmet Maloku
Profesor në katedrën penale në Fakultetin Juridik në UBT
Prishtinë – Kosovë
Libri: Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari
Autori: Mr.sc. Musa Sabedini
Recension
Vepra me titull: “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” është rezultat i një trajtimi shumëvjeçar shkencor-teorik dhe empirik në fushën e gazetarisë nga përvoja shumëvjeçare në gazetari të autorit të këtij libri, mr.sc. Musa Sabedini.Versioni origjinal i librit përbëhet nga gjithsej 421 faqe, nga të cilat 391 faqe i referohen përmbajtjes teorike të tekstit të librit, ndërsa pjesa tjetër është literatura dhe burimet dhe shtojcat e caktuara. Kështu, literatura në libër ka gjithsej 17 faqe, kurse shtojcat, pjesa tjetër e tekstit, deri në 485 faqe.
Libri është konceptuar në tre kapituj të veçantë, të cilët pasqyrojnë më së miri vetë titullin e librit, i cili shprehet me emërtimet e mëposhtëm:
– KAPITULLI I PARË: MEDIAT PËRBALLË RAPORTIMEVE PËR KRIMET, DHUNËN DHE SITUATAT E NDJESHME, SI TË RAPORTOJMË?;
– KAPITULLI I DYTË: MEDIET DHE GAZETARËT, RAPORTET ME INSTITUCIONIN E POLICISË, PROKURORISË DHE GJYKATËN?;
– KAPITULLI I TRETË: PËRKUFIZIME, NOCIONE DHE TERMINOLOGJI JURIDIKO – PENALE PËR GAZETARË.
Në parathënie, autori jep një shpjegim të arsyeve të shkrimit të kësaj vepre dhe çfarë e shtyu atë të zgjedhë këtë lloj vepre. Gjithashtu, ai thekson probleme të rëndësishme që dalin gjatë shtjellimit të temës që ka të bëjë me problemet në terren që has çdo gazetar, me etikën që mbetet si problemi më delikat i mënyrës së raportimit ne gazetari.
Për më tepër, në kapitullin e parë autori shqyrton parimet bazë të gazetarisë, etikën në gazetari, flet për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike.
Kapitulli i dytë titullohet MEDIET DHE GAZETARËT, RAPORTET ME INSTITUCIONIN E POLICISË, PROKURORISË DHE GJYKATËN, në të cilin shtjellohet dhe analizohet diversiteti i raporteve Medie, Polici, Prokurori dhe Gjykatë, i termeve juridike më të shpeshta që hasen në punën e gazetarit me polici, prokurori dhe gjykatë. Autori me tutje në këtë kapitull analizon organogramin e gjykatave, rolin e Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Kapitulli i tretë i librit paraqet informacionet më koncize për përkufizimet, termet dhe nocionet juridike të përdorura më së shpeshti gazetari. Shpjegimi dhe analizimi i këtij kapitulli do t’u shërbejë përdoruesve për të kuptuar më mirë këtë terminologji, një terminologji e cila është bukur e gjerë dhe delikate për gazetarë.
Në këtë kapitull autori ka bërë një përpjekje që në përzgjedhjen e shprehjeve të kësaj lëmie të përfshihet ajo terminologji e cila më së tepërmi përdoret nga organet e ndjekjes gjatë punës së tyre të përditshme, me të cilën më së shumti ballafaqohen gazetarët gjatë kryerjes së detyrës.
Në fund të librit, literatura dhe burimet dhe shtojcat janë renditur si pjesë përbërëse e librit.
Duhet theksuar se vepra shkencore “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” ofron përgjigje për shumë pyetje të teorisë dhe praktikës metodologjike, e cila ka në fokus mediat përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme. Në këtë mënyrë jepet një kontribut i rëndësishëm në studimin dhe zhvillimin e shkencës së gazetarisë për studimin e asaj dukurie. Libri përfaqëson një nga dorëshkrimet e rralla që trajton këtë lloj përqasjeje shkencore në kuptimin e përcaktimit, studimit dhe kërkimit të fenomenit të raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, dhe pikërisht për këtë ka vlerën dhe njohjen e tij shumë domethënëse shkencore dhe profesionale.
Përveç kësaj, duhet theksuar rëndësia e përmbajtjes, qëndrueshmëria dhe qartësia e gjuhës në të cilën është shkruar vepra, e cila lehtëson përvetësimin e njohurive, jo vetëm për njerëzit nga sektorët e gazetarisë, drejtësisë, viktimologjisë, kriminologjisë, kriminalistikës, mjekësinë ligjore, psikologjisë, psikologjisë forenzike etj., të cilëve ajo fushë u është e afërt shkencërisht dhe profesionalisht, por edhe me publikun më të gjerë.
Vepra është jashtëzakonisht e dobishme dhe ka aplikimin e saj të gjerë, duke pasur parasysh se, në kushtet moderne të jetesës, çështja e gazetarisë shtrihet pothuajse në të gjitha sferat e jetës.
Gjithashtu, përmes këtij libri, autori ka treguar një shkallë të lartë njohurish shkencore në fushën e gazetarisë, pastaj në metodologjinë e shkencave shoqërore, por edhe në fushën e drejtësisë, sepse pa një kombinim të tillë të e njohurive nga disa fusha shkencore, nuk do të ishte e mundur të krijohej një vepër shkencore kaq e dobishme dhe e shquar, që do të jepte një kontribut të rëndësishëm në studimin mediave përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme.
Recension nga Safet Zejnullahu
Libri “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, i autorit Musa Sabedini vjen në një kohë kur gazetaria ka arritur një shkallë pothuaj të paparashikuar të zhvillimit të saj, mundësuar nga përparimet kolosale të teknologjisë.
Nisur nga kjo, është e qartë se, ndërsa gazetaria po zhvillohet hovshëm dhe po ndryshon kaq shumë, ajo që duhet ta ndjekë këtë gazetari është qasja profesionale e hulumtimit dhe e analizimit të saj.
Një numër hulumtuesish në fushën e gazetarisë në Kosovë, përmes punimeve shkencore e librave profesionalë, kanë dhënë një kontribut shumë të madh në krijimin e një baze të literaturës së domosdoshme për studentët e gazetarisë, gazetarët rishtarë, por edhe për të gjithë profesionistët e tjerë dhe, sidomos, publikun e të gjitha moshave, që ka sot përballë një media krejt ndryshe nga ajo e viteve e decenieve të shkuara.
Politika, ekonomia, shëndetësia, sporti, kultura e fusha të tjera, duket se janë goditur më pak nga lloji i ri i gazetarisë që zhvillohet në kohën e internetit. Sado që edhe aty ka shumë ndryshime. Fusha më e prekur është ajo e kronikës së zezë, më dominantja në media, pas politikës, e cila përfshin të gjitha zhvillimet që lidhen me individin ose fenomenin, që nga ndodhja e një ngjarje nga kjo fushë, qoftë edhe aksident i zakonshëm, e deri te epilogu që një ngjarje nga kjo fushë merr në sallën e gjyqit.
Duket një rrugë e shkurtër dhe e thjeshtë. Por, në fakt, për individin e përfshirë është një rrugë e stërgjatë. E njëjtë është edhe për median. Për gazetarin. Sepse, çdo përmbajtje gazetareske e shkruar në këtë temë është një fushë e minuar, me mundësi të mëdha për gabime e shkelje të etikës së raportimit.
Autori Musa Sabedini ka një përvojë të gjatë të punës së drejtpërdrejtë nga raportimi nga terreni, si në kohë pushtimi, në kohë aparteidi në median e Kosovës, në kohë lufte, në kohë të gazetarisë së kontrolluar të pasluftës dhe në epokën e internetit.
Këtë përvojë ai e ka përdorur për të mbledhur brenda kopertinave të këtij libri shembuj të panumërt të gabimeve e të shkeljeve etike të bëra në media, qoftë qëllimshëm, qoftë padashtas. Një punë shumë voluminoze e autorit tregon përkushtimin e tij, pikë së pari, për të bërë vetë gazetari profesioniste, por edhe për t’u ndihmuar të tjerëve për ta bërë të njëjtën gjë. Qofshin ata gazetarë fillestarë, qofshin me përvojë.
E ata që do të përfitojnë më së shumti nga ky libër janë studentët, gazetarët e ardhshëm. Që në hapat e tyre të parë, ata do të mësojnë qasjen profesionale ndaj secilës përmbajtje gazetareske.
Më e rëndësishmja, nga ky libër do të mësojnë atë që besoj e ndihmon më së shumti një gazetar. Do të mësojnë si të mos shkruajnë!
Përmbajtja e këtij libri ua mundëson këtë.
Në vargun e librave hulumtues të gazetarisë, libri i autorit Musa Sabedini “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, besoj se do të shërbejë si literaturë profesionale për një kohë të gjatë. /GJILANI INFO/