Një delegacion i veteranëve shqiptarë dhe kroatë vizitoi sot Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan, ku bëri homazhe në nderim të dëshmorëve Samet Bogujevci dhe Fadil Salihu, të rënë heroikisht në Gospiq të Kroacisë.
Delegacioni, i përbërë nga gjenerali Esat Qollaku, president i Organizatës UABHDR, Tomë Kaqinari, kryetar i shoqatave vullnetare të luftëtarëve të Kroacisë, si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave të veteranëve, përkujtoi sakrificën dhe kontributin e dëshmorëve në luftën për liri.
Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, së bashku me kryesuesen e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi-Kqiku, shprehën respektin për dëshmorët, ndërsa falënderuan delegacionin për vizitën dhe përkushtimin e vazhdueshëm në ruajtjen e kujtimit të bashkëluftëtarëve të rënë.
Lavdi e përjetshme Samet Bogujevcit, Fadil Salihut dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë!/Gjilani Info/





