Instituti SINK, në kuadër të projektit “Promovimi i mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të gjuhëve në Kosovë”, realizuar në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut (NJKDNJ) në Komunën e Kamenicës mbështetur nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët, ka organizuar një takim për të diskutuar mbi zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ky ligj, si një e drejtë thelbësore e garantuar nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës, ishte në fokus të diskutimit, duke adresuar gjithashtu sfidat dhe problemet praktike që hasen gjatë zbatimit të tij.
Takimin e hapi koordinatorja e NJKDNJ-së, znj. Nazmije Demolli Kastrati, e cila përshëndeti të pranishmit duke theksuar se Kamenica respekton të drejtën për përdorimin e gjuhëve.
“Në shumë aspekte, Kamenica është një shembull i rrallë i bashkëjetesës në Kosovë. Si një komunë e vogël, por me vizion të madh dhe një nivel të lartë qytetërimi, Kamenica respekton në mënyrë të veçantë të drejtën për përdorimin e gjuhëve. Prandaj është zgjedhur nga Instituti SINK për të trajtuar çështje të rëndësishme që lidhen me këtë temë”, ka thënë ajo.
Gjatë takimit, z. Valdon Bytyqi, zyrtar nga Ministria e Drejtësisë, njëherit edhe ligjërues prezantoi temat kryesore mbi:
• Të drejtën e gjuhës si e drejtë universale;
• Përdorimin e gjuhëve sipas Kushtetutës së
Republikës së Kosovës;
• Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, zbatimin e tij dhe sfidat kryesore që e shoqërojnë.
Kamenica, si një komunë multietnike e cila përfaqëson diversitetin etnik dhe gjuhësor, u përzgjodh për këtë takim duke pasur në qendër rëndësinë e trajtimit të të drejtave gjuhësore në një kontekst të tillë. Diskutimet shërbyen për identifikimin e sfidave dhe eksplorimin e zgjidhjeve konkrete për të garantuar zbatimin e plotë të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave gjuhësore të të gjitha komuniteteve./GJILANI INFO/


