“Sot pata kënaqësinë të jem në qytetin e Pfullendorf ku zhvillova një takim të rëndësishëm me Bernd Mathieu, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik, Komuna e Pfullendorf. Takimi kishte si qëllim kryesor diskutimin dhe Bashkëpunimin midis dy institucioneve, me synim përmirësimin e infrastrukturës ekonomike dhe shëndetësore në Pfullendorf dhe Gjilanit”, ka thënë Zarife Asllani, Kryetare e Gruas së AAK-së, në Gjilan.
Ajo tha se në takim u diskutua për rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e zhvillimit ekonomik dhe shëndetësor.
“U theksua nevoja për organizimin e seminareve dhe punëtorive të përbashkëta që do të mundësojnë trajnimin dhe zhvillimin profesional të palëve të interesuara. Palët ranë dakord për të bashkëpunuar në aplikimin për fonde ndërkombëtare që do të mbështesin projekte të përbashkëta”, ka thënë ajo.
E para e Gruas së AAK në Gjilan ka bërë me dije se takimi u përmbyll me shprehjen e gatishmërisë për një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm që do të sjellë përfitime të ndërsjella për Pfullendorf dhe Gjilan.
“Ky bashkëpunim pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarët e të dyja komuniteteve”, thotë Zarife Asllani, Kryetare e Gruas së AAK-së, në Gjilan./GJILANI INFO/