Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me stafin komunal dhe Drejtoreshën e Arsimit, Arta Ajeti, priti ekipin e projektit “KosEd” Robert Blease, zëvendës-udhëheqës i projektit, dhe Arjeta Rexhepi Alidema, eksperte e angazhuar në këtë program.
Robert Blease ndau gjetjet nga monitorimi i mbi 75 shkollave në vend, duke theksuar se arsimi në Kosovë po përballet me ngecje të theksuara, veçanërisht në fushën e leximit. Sipas tij, shumë nxënës nga klasa e gjashtë e lart kanë vështirësi të theksuara, ndërsa shkollat kanë nevojë për më shumë fokus në lexim, infrastrukturë adekuate dhe materiale mbështetëse. Ai shtoi se rritja e cilësisë kërkon një menaxhim më të mirë të shkollave dhe qasje të reja mësimore, pasi përdorimi vetëm formal i kurrikulës nuk mjafton për rezultate.
Kryetari Haliti vuri theksin te domosdoshmëria e veprimeve konkrete dhe bashkëpunimit të sinqertë institucional. Ai u shpreh se mungesa e koordinimit mes Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive komunale ka ndikuar në mungesën e përparimit dhe se ky bashkëpunim duhet të forcohet në mënyrë që arsimi të marrë drejtimin e duhur.
Drejtoresha Arta Ajeti vlerësoi angazhimin e ekipit “KosEd” dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se përmirësimi i cilësisë së arsimit kërkon punë të përbashkët dhe mbështetje të vazhdueshme.
Arjeta Rexhepi Alidema prezantoi aspektet kryesore të qëllimit të këtij projekti të financuar nga zyra e BE-së, i cili ka për qëllim funksionalizimin e një mekanizmi që aktivizon vlerësimet e brendshme kolegiale, vlerësimet plotësuese të udhëhequra nga kolegët dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve me bazë në shkollë.
Në fund, palët u pajtuan të thellojnë bashkëpunimin dhe të ndërmarrin hapa të qartë për avancimin e arsimit në Viti. Robert Blease falënderoi kryetarin Haliti për mikpritjen dhe angazhimin e tij, duke shprehur vlerësimin për punën e përbashkët që po zhvillohet./Gjilani INFO/




