Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan po ndërmerr hapa të rinj drejt forcimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor me institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.
Në këtë kuadër, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Selim Daku, dhe prodekani Blerim Haziri, pritën në takim profesorin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Skënder Demaliaj. Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor, kujtesës historike dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua librit “Masakra e Gjilanit”, i cili sjell kujtimet dhe dëshmitë e Shaban Haxhisë, dëshmitar i Masakrës së Gjilanit. Të pranishmit theksuan rëndësinë e dokumentimit dhe ruajtjes së dëshmive historike, veçanërisht për brezat e rinj dhe për studiuesit që merren me trajtimin e ngjarjeve historike.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësinë që kjo vepër të jetë e qasshme për institucionet publike, bibliotekat dhe individët e interesuar, me qëllim të pasurimit të burimeve që kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës historike.
Një tjetër rezultat i rëndësishëm i takimit ishte dakordimi për përfshirjen e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në Konferencën Shkencore “Flaka e Janarit”, e cila do të organizohet në Gjilan në janar të vitit 2027.
Pjesëmarrja e profesorëve dhe hulumtuesve nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë në këtë konferencë pritet të krijojë mundësi të reja për shkëmbimin e përvojave akademike, prezantimin e rezultateve të kërkimit shkencor, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe inicimin e projekteve të përbashkëta shkencore.
Takimi ndërmjet përfaqësuesve të Fakultetit të Shkencave Sociale të UKZ-së dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë u vlerësua si një hap konkret drejt ndërtimit të një bashkëpunimi më të qëndrueshëm akademik e shkencor ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Shqipëri./Gjilani INFO/




