Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt një punëtori lidhur me përgatitjet për procesin e riakreditimit të programit studimor Arsimi Fillor.
Takimi u thirr nga U.d. dekanja e Fakultetit të Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Nerxhivane Krasniqi, me qëllim koordinimin e aktiviteteve dhe informimin e stafit për hapat dhe kërkesat e procesit të riakreditimit.
Gjatë takimit, një prezantim i detajuar i punës dhe përgatitjeve për këtë proces u bë nga bartësit e programit, Prof. Ass. Dr. Fitore Malaj, Prof. Ass. Dr. Shqipe Avdiu dhe Prof. Ass. Dr. Habib Rexhepi. Ata para stafit akademik dhe përfaqësuesve të zyrave kyçe administrative të Universitetit, elaboruan angazhimet e deritanishme, dokumentacionin përkatës si dhe hapat e mëtejmë që duhet ndërmarrë për përmbushjen e standardeve të akreditimit.
Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet stafit akademik dhe administrativ, si dhe angazhimi i përbashkët për garantimin e cilësisë dhe vazhdimësisë së programit Arsimi Fillor, në përputhje me standardet e Agjencisë së Akreditimit dhe misionin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”. /Gjilani INFO/





