Nën udhëheqjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, sot është mbajtur mbledhja e 10-të e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF).
Në fillim të këtij takimi, kryesuesi Azizi, ju urojë të gjithë atyre që janë fitues të zgjedhjeve lokale si kryetarit Haliti por edhe këshilltarëve komunal.
Në këtë takim u shqyrtua dhe u votua me shumicë votash propozim vendimi për projekt buxhetin e Komunës së Vitisë për vitet 2026–2028. Ky dokument është prezantuar nga drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Milihate Ajeti kurse pjesë e këtij takimi në emër të ekzekutivit komunal ishte zv. kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu. Ndërkaq jashtë rendit të ditës të paraparë për ditën e sotme u votua edhe Propozim vendimi për shfuqizimin e Vendimit Nr. 01-110/05-1956, të datës 01.10.2025 për miratimin e Planit Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për komunat: Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë, Partesh, Kllokot, Ranillug, Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Hani i Elezit, dhe Shtërpcë, si dhe Vendimin për Pëlqim Mjedisor Nr. 5496-2/25, të datës 20.08.2025 të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit dhe Infrastrukturës për Vlerësimin Strategjik Mjedisor.
Përndryshe u bë me dije se këto pika do të shkojnë për procedim në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Vitisë, që pritet të mbahet me datën: 03.12.2025 në ora 10:00 në Sallën e Kuvendit Komunal në Viti./Gjilani INFO/






