Në përmbyllje të fushatës “16 Ditë të Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” ,Prokuroria Themelore në Gjilan përmes Koordinatorit per Dhunë në Familje Prokurorit Rozelida Manastiri në bashkëpunim me Zyren për mbrojtjen e Viktimave, zyrtaren Viola Kadriu, Policinë e Kosovës, Qendrën për punë sociale në Gjilan, Agjencinë për ndihmë juridike në Gjilan, është mbajtur një aktivitet me nxënësit e shkollës fillore ‘’Selami Hallaqi’’ në Gjilan
Gjatë këtij aktiviteti u theksua rëndësia e fushatës, e cila shënohet në mbarë botën dhe përfshinë të gjithë zinxhirin institucional dhe shoqëror në adresimin, parandalimin dhe vetëdijesimin kundër dhunës me bazë gjinore, me qëllim që përmes këtyre aktiviteteve të ndikohet drejtpërdrejt në rritjen e vetëdijes dhe në krijimin e një kulture shkollore më të sigurt dhe më mbështetëse. Gjithashtu, është bërë thirrje për reflektim dhe veprim, duke nënvizuar se dhuna në çfarë do forme qoftë fizike apo psikike, mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në botë.
Aktiviteti ynë vijoi me një diskutim të hapur, i cili u pasua me pyetje dhe përgjigje nga nxënësit dhe përfaqësuesit institucional, duke krijuar një hapësirë konstruktive për shkëmbim mendimesh rreth sfidave dhe mundësive në adresimin e dhunës në përgjithësi si dukuri e me theks të veçantë me bazë gjinore.
Në përmbyllje, përfaqësuesit e institucioneve vlerësuan lart pjesëmarrjen aktive të nxënësve dhe përkushtimin e tyre për të qenë pjesë e ndryshimit shoqëror dhe falënderuan Drejtorin e Shkollës z. Liridon Ismajli dhe arsimtaren Emine Alili për organizimin e këtij aktiviteti në bashkëpunim me institucionet përkatëse me qëllim krijimit të një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës të nxënësve nga gjenerata të ndryshme në kuadër të kësaj shkolle./Gjilani INFO/



