Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026/27, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka ndërmarrë një sërë masash në kuadër të planifikimeve për rritjen e sigurisë në shkolla.
Masat kanë për qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor, me fokus të veçantë në sigurinë në trafikun rrugor.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Njësia Sektoriale dhe e Komunitetit e Stacionit Policor në Gjilan, në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, sot kanë zhvilluar aktivitete në terren pranë shkollave, veçanërisht në zonat që ndodhen afër akseve kryesore rrugore.
Gjatë aktiviteteve janë shpërndarë fletushka me këshilla dhe udhëzime për sigurinë e fëmijëve, si dhe janë zhvilluar aktivitete të përbashkëta me nxënësit.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është ndërgjegjësimi i nxënësve dhe prindërve për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut dhe rritjen e kujdesit gjatë lëvizjes në dhe pranë zonave shkollore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht te drejtuesit e automjeteve, që gjatë lëvizjes pranë shkollave të shtojnë kujdesin, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit, duke pasur parasysh praninë e shtuar të fëmijëve dhe nxënësve në trafik./Gjilani INFO/


