Të nderuar familjarë, miq, bashkëveprimtarë, bashkëfshatarë e bashkëqytetarë!
Sot, me zemra të rënduara, kemi ardhur t’i japim lamtumirën një shoku tonë të paharruar – Nijazi Ramadanit.
Për ne, që e kemi njohur që në rininë e hershme, kjo humbje është e dhembshme, sepse po ndahemi nga një njeri me të cilin kemi ndarë idealet, kujtimet, angazhimet dhe ëndrrat e një brezi të tërë.
Ne e njohëm Nijaziun si djalë të ri e modest nga Kokajt, i përkushtuar pas leximit, librave, por gjithnjë i gatshëm për shoqëri, për bisedë, për ide të reja. Qysh atëherë, ai spikaste me fjalën e tij të etur, me mendjen e kthjellët, me sjelljen fisnike dhe me guximin për t’u përballur me çdo padrejtësi.
Rinia jonë nuk ishte e lehtë. Ishte kohë sfidash, kohë kur duhej zë, kur duhej qëndresë. Dhe Nijaziu ishte aty – i qetë në natyrë, por i palëkundur në qëndrim. Për veprimtarinë e tij kombëtare, ai u përball me ndjekje, presione e burgim, pavarësisht se ende në moshë fëmijërore. Ai ishte prej atyre që nuk kërkonin lavdi, por e ndjente se duhej lënë gjurmë veprimtarie.
Pastaj, me kalimin e viteve, Nijaziu vazhdoi të rritej në fjalë, në krijimtari dhe në ndikim. Ai u bë poet i dashur, gazetar i respektuar, studiues i përkushtuar, krahas punë së tij si edukator e mësimdhënës. Nuk është se e kemi ndjekur në detaje gjithë veprimtarinë e tij, por e dinim se ai nuk po shkruante vetëm letra – por ai po shkruante frymën e kohës sonë, frymën e brezit tonë. Ne të gjallët mund të shpresojmë se do të bëjmë ende pjesën tonë të borxhit, por Nijaziu ka përmbushur shumë zbrazëtira, ndonëse ai mund të jepje edhe më, sikur sëmundja e jeta të priste pak më gjatë.
Intelektualiteti dhe krijimtaria shpirtërore e letrare, poezitë, romanet, publicistika e gjerë, kritikat – të gjitha flasin për të njëjtin njeri që ne e kemi njohur: të ndjeshëm, të sinqertë, të drejtë, të përkushtuar. Njeriu që e donte këtë tokë, këtë kulturë, dhe që e ndjente si detyrim moral ta mbrojë e ta lartësojë atë. Sot trupi yt Nijazi i është kthyer rrënjëve, vendlindjes sate të dashur, së cilës ti i kushtove edhe një monografi, si një kujtesë, si një monument, si një dëshmi e përkushtimit tënd. Unë sot jam për herë të dytë në vendlindjen tënde, ndërsa për herë të parë isha bashkë me ty e shokët tjerë, atëherë kur kishim vendosur të vepronim së bashku, në kohën e viteve të tetëdhjeta, kur ti Isa dhe Nexhati kishit barrën e mikpritësve për të gjithë ne.
Por sot, për ne shokët e tu, më shumë se çdo titull, më shumë se çdo vepër, rëndon kujtimi i njeriut. Ai i një shoku. Që ndan hallin me ty, që të përkrahte në mundësitë e tij e që të kuptonte. Ishe njeri zemërgjerë, dhe kjo është ajo që mbetet përgjithmonë.
Nga zbrazëtia e largimit tënd Nijazi do të na ngushëlloj vepra që le pas, veprat që do të jetojnë shumë më gjatë se ne dhe kujtimet që nuk do t’i zbehë koha.
Nijazi modestia jote duhet çmuar, po ja që ne si shoqëri sikur nuk i japim vëmendjen dhe çmimin që duhet të ketë, por sikur e konsiderojmë si dobësi, sepse për ty në shenjë respekti e nderimi, më e pakta do të do të duhej të bëhej, do të ishte një mbledhje përkujtimore qoftë nga shkolla, ku ke derdhur djersë e shpërndarë dije, qoftë nga dega e Shoqatës së Shkrimtarëve, ku ke lënë një duzinë e larmi veprash si dhe institucionet komuna, apo të gjitha së bashku.
Nijazi, shoku ynë, ne shokët tu, të degdisur nga jeta, sot nuk jemi këtu shumë në numër si dikur, por unë po e marr të drejtën që në emër të tyre të të falënderojmë për rrugën që kemi bërë bashkë, për kohët e mira e të vështira, për idealet që kemi ndarë dhe për dritën që ke lënë pas. Ne do të të kujtojmë gjithmonë me respekt, me mall dhe me mirënjohje.
Qoftë i përjetshëm kujtimi yt dhe i lehtë qoftë dheu i vendlindjes -Atdheut ku do të prehesh.
Lamtumirë, Nijazi, shoku i rinisë sonë!
Ngushëllime familjes së ngushtë e të gjerë, kolegëve, miqve e gjithë juve të pranishëm!
Kokaj, 23.11.2025
Nga: Nevzad Isufi – /Fjala e lamtumirës në varrimin e Nijazi Ramadanit/


