Përfaqësues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan morën pjesë në një sesion informues të organizuar nga Kolegji Ndërkombëtar Universum, në kuadër të projektit DELTA – Avancimi i Aftësive për të Dhëna dhe Inovacionit në Ballkanin Perëndimor.
Ky aktivitet mblodhi së bashku partnerë, profesorë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, për të diskutuar rëndësinë e aftësive për të dhëna (data literacy) dhe për të eksploruar mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushat e arsimit, kërkimit dhe inovacionit në Kosovë.
Nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, morën pjesë, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, Petrit Canaj, Sekretar i Njësisë Akademike, si dhe profesorët Blerim Haziri dhe Berat Dermaku. Në aktivitet morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues nga sektori i biznesit, ndër ta Refik Ramadani (Led-Com.ch & UKZ), Asdren Toska (Toska Electronics), Vedat Morina (Telkos) dhe Amir Rama (Omi Kitchen).
Ky bashkëpunim nënvizon rëndësinë e partneriteteve ndërmjet akademisë dhe sektorit privat në ndërtimin e një baze të qëndrueshme për vendimmarrje të bazuar në të dhëna, si dhe në përgatitjen e brezave të rinj për ekonominë digjitale./GJILANI INFO/


