Close Menu
Gjilani Info
  • Ballina
  • Lajme Lokale
  • Lajme Qendrore
    • Rajonale
    • Botërore
  • Zgjedhjet 2025
  • Kronikë
  • Diasporë
    • Kosovë Lindore
  • Kulturë
  • Sport
  • Opinione
  • Tjera
    • Shendetesi
    • Lifestyle
    • Komerciale
    • VIP
    • Kuzhina
Të reja

Komuna e Gjilanit, fillon me inseminimin artificial dhe vaksinimin e kafshëve

June 20, 2025

Në ndërtesën e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan u vendos pllaka me mbishkrimin Shtëpia-Bazë e UÇK-së

June 19, 2025

Arrestohet për abuzim seksual një person në Artanë

June 19, 2025
Facebook X (Twitter) Instagram
Të fundit
  • Komuna e Gjilanit, fillon me inseminimin artificial dhe vaksinimin e kafshëve
  • Në ndërtesën e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan u vendos pllaka me mbishkrimin Shtëpia-Bazë e UÇK-së
  • Arrestohet për abuzim seksual një person në Artanë
  • Është gjetur pa shenja jete trupi i një personi në Kllokot
  • Kryetari Hyseni: 12 parqe, frymëmarrje për qytetin tonë
  • Komiteti për Politikë dhe Financa në Viti mbajti mbledhjen e gjashtë të rregullt
  • Kuvendi Komunal ka mbajtur seancë solemne me rastin e 26 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kamenicës
  • Kryetari Hyseni: Bujqësia, shtyllë kryesore e qeverisjes sonë
Facebook X (Twitter) Instagram
Gjilani InfoGjilani Info
  • Ballina
  • Lajme Lokale
  • Lajme Qendrore
    • Rajonale
    • Botërore
  • Zgjedhjet 2025
  • Kronikë
  • Diasporë
    • Kosovë Lindore
  • Kulturë
  • Sport
  • Opinione
  • Tjera
    • Shendetesi
    • Lifestyle
    • Komerciale
    • VIP
    • Kuzhina
Gjilani Info
Home»Kulturë»Në mëmëdhe – Ku mjalta është më e ëmbël se balta
Kulturë

Në mëmëdhe – Ku mjalta është më e ëmbël se balta

adminBy adminNovember 23, 2022No Comments
Facebook Twitter Pinterest LinkedIn WhatsApp Reddit Tumblr Email
Share
Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

 

NGA: THANAS JORGJI

Kisha katër vjet që nuk pata shkuar në vendlindje për shkak të Covidit dhe vajtjen e prisja me padurim. Përjetoja një ndjenjë të përzier malli dhe kureshtjeje. Si do t’i gjeja shokët? (megjithëse sot teknika e ka bërë të mundur të flasim dhe të shihemi përditë në kamera, por gjithësesi) Po shtëpinë time të vjetër në qytetin tim të vogël si do ta gjeja?

Po Shqipërinë?

Mbi të gjitha, Shqipërinë!

Isha kureshtar ta shihja Tiranën. Si harmonizoheshin kullat e larta me urbanistikën e qytetit, një temë gjithnjë e nxehtë në debatet e studiove televizive.

Dhe ja ku erdhi dita e shumëpritur për të shuajtur kureshtjen.

Pasi arrita në shtëpi dhe u çlodha, dola të shihja Tiranën. Pashë një qytet të rrëmujshëm dhe të pisët që kutërbonte nga era e plehrave dhe nga duhma e qelbur fekalesh të lumit të Lanës në të cilën ende derdhen ujërat e zeza si në asnjë vend të Europës.

Me njerëz të stresuar dhe të tjerë që rrëmonin tek kazanët e plehrave. Me trotuarë të shkatërruar, ku në kohë të thatë pengohesh tek pllakat e dala vendit, ndërsa në kohë shiu të kërcen uji deri tek gjunjët.

Pashë një qytet ku gjithandej ndërtimi bëhej me brutalitet. Ku mafia e ndërtimit ndërtonte duke e sfiduar hapur shtetin dhe njerëzit. Sikur u thoshte: as që çaj kokën për ju! As më plas për ju! Pa mbylleni gojën! Do bëj atë që dua unë dhe basta!

Pashë një qytet tipik të Botës së Tretë.

Tek të cilët në njërën anë ngrihen grataçielat madhështore, në anën tjetër shtrihen malet e plehrave ku rrëmojnë njerëzit e varfër për të gjetur diçka ende të ngrënshme, apo një rreckë që ende mund të vishet.

U nisa për tek parku që shtrihet midis Hotel Dajtit dhe Bar-Restorant Taivanit me të cilin më lidhin shumë kujtime të bukura në vitet e mia të Tiranës. Në atë park dikur me pisha të larta dhe lëndina të blerta të përshkuara me rrugina, anash të cilave ndodheshin stolat ku njerëzit e ngeshëm uleshin për t’u çlodhur paraditeve, pasditeve e buzëmbrëmjeve.

Nxitova të shkoja atje, me ndjenjë padurimi, sikur do takoja një mik a mike të dashur për të cilën ndjejmë mall.

Në atë park të këndshëm e prehës ku dikur gjyshet e ulura në stola ia tirnin bisedës shtruar me mikeshat e veta, ndërsa nipat e mbesat loznin të shkujdesur mbi bar.

Ku një student apo studente ulej në stol dhe shfletonte një dispensë apo një revistë.

Ku gjatë bisedës dy të rinj njihnin më mirë mikun apo mikeshën e saponjohur.

Ku një i ardhur nga rrethet, pasi kish mbaruar punët për të cilat pat ardhur në kryeqytet, kishte një apo dy orë kohë, deri sa të vinte ora e nisjes së trenit apo autobusit dhe mund t’i kalonte atje, në hije dhe në qetësi.

E pra, e doja atë park!

Atë park prehës dhe të bleruar i cili dikur kishte vend për të gjithë.

Por… padashur hapat m’u ngadalësuan.

Në vend të lëndinave të bukura me rrugina dhe me stola anash, gjeta një hapësirë të mbushur plot me gropa dhe me gunga.

Mbajta këmbët dhe nisa të vështroja me keqardhje e trishtim pamjen që kisha përpara. Ku ishin lëndinat e blerta dhe të bukura? Ku ishin rruginat? Ku ishin stolat përgjatë tyre?

Ata stola tek të cilët rrinte studentja e bukur?

Ata stola ku rrinin gjyshet me nipat e mbesat që loznin të shkujdesur në lëndinë?

Ku të rinjtë e dashuruar i pëshpërisnin njëri-tjetrit fjalë të ngrohta dashurie?

Ku i ardhuri nga rrethet kalonte ulur në stol nën hijen e pishave nja dy orë të këndshme në kryeqytet?

Asgjë prej tyre nuk ishte më.

Lëndina dukej si e kafshuar pamëshirë si e rrahur nga predha artilerie.

Ç’ishte ajo shije perfide pushtetari që e kish katandisur në atë gjendje atë oaz të bukur idilik?

Normalisht ndodh e kundërta: vendi gunga-gunga rrafshohet, mbillet me bar dhe anash rruginave vendosen stolat. Që njerëzit të mos detyrohen të mbyllen në kafene me ajër të qelbur duhani por të rrinë në ajër të pastër, në natyrë.

Por ja që në Mëmëdheun tonë të çuditshëm, ku mjalta është më e ëmbël se balta, veprojnë ligje të tjera graviteti: ligjet e Xhunglës së Parallinjve!

Ajo lulishte e masakruar sikur më thoshte: në këtë qytet dy rrugë i mbeten njeriut: ose shko në lokal të paguash çdo minutë me pará, ose shko mbyllu në shtëpi. Rrugë tjetër nuk ka.

Dhe si të mos „lulëzojnë“ kafenetë pastaj!

Ku të rrinë njerëzit? Në gropat dhe gungat?

Me aparatin fotografik në dorë rri mbi bordurën e ulët dhe shikoj pamjen. Ato gropa e gunga si të rrahura mizorisht nga artileria e rëndë më kujtojnë Verdunin, qytetin e betejës së famshme të Luftës së Parë Botërore midis Francës dhe Gjermanisë ku u vranë dhjetëra mijëra ushtarë.

Atje, në Verdun, janë lënë ENKAS gropat e gungat nga rrahjet e predhave të artilerisë.

Si një monument kujtese dhe alarmi që njerëzit të mos harrojnë kurrë katastrofat e luftës.

Po në atë park në zemër të Tiranës për çfarë janë krijuar ato gropa e gunga? Për çfarë u shërbejnë njerëzve? Çfarë mesazhi të heshtur por TË FORTË DHE BRUTAL u japin njerëzve të zakonshëm të cilët nuk kanë të holla në xhep për të shkuar në lokale?

Mesazhi i ashpër dhe brutal është ky: qërrohuni ju o morracakë!

Ju brekëgrisur e xhepazbrazët! Në këtë qytet nuk ka vend për ju!

Ngrita aparatin drejt gropave e gungave dhe e shkrepa disa herë. Si për të patur njëfarë dëshmie nëse dikush do më pyesë më vonë: Përse nuk shkon në Tiranë?

Shtyji këto ditë dhe kthehu sa më shpejt andej nga ke ardhur, miku im! – i thashë vetes. – Ky qytet nuk ka vend më për ty dhe për njerëzit e thjeshtë.

Ky qytet ka vend vetëm për parallinjtë e parave të pista të cilëve u ofron gjithçka: deri edhe ato të ndaluarat nga ligji.

Sepse ligji është I TYRE dhe vetëm I TYRE.

Ndërsa njerëzve të thjeshtë, pa të holla në xhep, ky qytet i ofron vetëm LARGIMIN.

Me hapa të ngadalshëm dhe me trishtim në shpirt u largova prej andej dhe këmbët më shpunë drej Pallatit të Kulturës. Atje ku dikur shkoja përditë në Bibliotekën Kombëtare dhe kaloja pasdite të këndshme.

Dhe ja ku këmbët m’u ndalën përsëri. Përpara një mënxyre tjetër.

Shiheni foton!

Çfarë mund të jetë ky objekt? Peron treni? Por atje nuk kishte kurrfarë stacioni treni!

Stacion autobusi? Por atje nuk dukej asnjë autobus!

Atëhere për çfarë ndodhej atje kjo sajesë misterioze dhe e shëmtuar?

A propos, Stacioni i Trenit.

Dikur ai ndodhej në zemër të Tiranës. Tashi e kanë degdisur diku pranë Vorës. Që njerëzit të mos shkojnë dot tek stacioni pa lodhje dhe pa shpenzime. Por të shkojnë me vuajtje dhe duke futur dorën në xhep.

Të nesërmen që në mëngjes e lashë Tiranën dhe shkova në Golem me nxitjen për t’u larguar sa më parë prej atje, në një vend më të qetë. Ku të paktën të kishte ajër, ai ajër që tashmë i mungon Tiranës për shkak të ndërtimeve kaotike.

Ditët në Golem kaluan gjithsesi më mirë. Të paktën deti ishte po ai. I kaltër, miqësor. U çmalla me të si me nje mik të vjetër dhe ditën e kthimit dola në stacionin e autobusit për t’u kthyer në kryeqytet.

Dhe ç’ndodhi?

Për të shkuar nga Golemi në Tiranë së pari duhej të hipja autobusin urban për të shkuar tek Plepat ose në Durrës.

Bileta kushtonte një mijë lekë të vjetër.

Nga Plepat ose Durrësi duhej të hipja një autobus tjetër, atë të Tiranës.

Ky kushtonte dy mijë lekë të tjerë.

Por nuk mbaronte me kaq. Autobusi vendin e qëndrimit e kishte në Kamzë dhe duhej të hipja një autobus tjetër që më shpuri deri në Unazën e Tiranës dhe ky kushtoi edhe 400 lekë të tjerë.

Dhe për të shkuar në shtëpi, duhej të merrja edhe një autobus tjetër me 400 lekë të tjerë.

Gjithësej tre mijë e tetëqind lekë të vjetër.

Plus tre orë të humbura duke ndërruar autobusat.

Plus mundimin duke zvarritur nga një autobus në tjetrin valixhet e çantat!

Dhe të gjitha këto mundime, për një distancë prej 30 kilometrash!

Për 30 kilometra KATËR NDËRRIME!

Ndërkohë që vetëm me një ndërrim (madje edhe direkt) njeriu nga Mynihu shkon deri në Barcelonë të Spanjës! – tre shtete më larg!

Pyes:

A është kaq e pamundur që njeriu të hipë diku në një stacion autobusi në Tiranë dhe të shkojë direkt në Golem, apo në Durrës? Duke i kursyer udhëtarit kaq mundim, kaq të holla dhe kaq kohë?

Përse duhe që njeriu të rendë nga një autobus në tjetrin? Të lodhet e të mallkojë veten dhe të fusë dorën në xhep KATËR HERË???

I lodhur nga vapa por më shumë i mërzitur dhe i acarruar nga nervat u nisa për në shtëpi, i kredhur në mendime të zymta. Dhe thosha me vete:

Ky shtet, kjo qeveri, sikur ka marrë përsipër për t’ia bërë jetën sa më të vështirë dhe sa më të padurueshme njeriut të zakonshëm.

Sikur kërkon t’ia sjellë në majë të hundës dhe ta detyrojë me çmos të largohet nga vendi.

Sikur kërkon t’ia rrjepë lëkurën, deri në qindarkën e fundit.

Arrita në shtëpi dhe prita me padurim ditën e IKJES!

Dhe bëj habi.

Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në Shqipëri, si nuk më tha vetëm njëri: këtu diçka ka filluar të ndryshojë për mirë. Gjendja po përmirësohet. Drita e shpresës po shkëlqen në fund të tunelit.

Por të gjithë më thanë të kundërtën:

Vend i shkatërruar. Shtet i falimentuar. Këtu nuk rrihet më!

Në mbyllje të këtyre shënimeve me frymë aspak patriotike dhe të vrazhda për syrin dhe veshin e militantëve të partisë në pushtet, edhe një detaj:

Kur u nisa nga Mynihu për në Tiranë, autobusi kishte TETË VETA.

Kur u nisa nga Tirana për në Mynih, autobusi kishte DYZET E SHTATË VETA.

Komenti është i tepërt. Pasi shifrat flasin më shumë se fjalët.

Image

 

Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Telegram Email
admin
  • Website

Related Posts

Përse…

June 17, 2025

Përmbyllen aktivitetet e Ditës së Çamërisë me panairin kulturor çam

June 10, 2025

Profesori Frederik Dara dhuron libra për bibliotekën e Universtitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

June 3, 2025
Mos humbni
Lajme Lokale

Komuna e Gjilanit, fillon me inseminimin artificial dhe vaksinimin e kafshëve

By adminJune 20, 2025

Sektori blegtoral, po vazhdon të fuqizohet edhe më shumë në Komunën e Gjilanit. 2.8 milionë…

Në ndërtesën e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan u vendos pllaka me mbishkrimin Shtëpia-Bazë e UÇK-së

June 19, 2025

Arrestohet për abuzim seksual një person në Artanë

June 19, 2025

Është gjetur pa shenja jete trupi i një personi në Kllokot

June 19, 2025
Na ndiqni:
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
Demo
RRETH NESH
RRETH NESH

Agjencia e lajmeve Gjilani INFO

Materialet dhe shkrimet e kësaj Agjencie mund të përdoren vetëm duke iu referuar qartë burimit të informacionit. Të drejtat janë të rezervuara.

Botues: HESET ZYMBERI

Email: [email protected]
[email protected]
[email protected]

Kontakti: O44176808

Facebook X (Twitter)
Më të popullarizuarat

Komuna e Gjilanit, fillon me inseminimin artificial dhe vaksinimin e kafshëve

June 20, 2025

Në ndërtesën e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan u vendos pllaka me mbishkrimin Shtëpia-Bazë e UÇK-së

June 19, 2025

Arrestohet për abuzim seksual një person në Artanë

June 19, 2025
Partnere:
© 2025 Gjilani INFO. Designed by Gjilani INFO.
  • Ballina
  • Lajme Lokale
  • Lajme Qendrore
    • Rajonale
    • Botërore
  • Zgjedhjet 2025
  • Kronikë
  • Diasporë
    • Kosovë Lindore
  • Kulturë
  • Sport
  • Opinione
  • Tjera
    • Shendetesi
    • Lifestyle
    • Komerciale
    • VIP
    • Kuzhina

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.