Kreu i AAK-së së Gjilanit, Nazim Gagica, njëherësh edhe kandidat për kryetar komune në zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor, ka njoftuar se pjesë e listës së këtij subjekti politik, në garën për asamble komunale, do të jetë edhe Ilmi Mustafa.
“Ilmi Mustafa, bashkëqytetari ynë nga Gjilani, prej vitesh është një afarist i suksesshëm në Gjermani, ku drejton një biznes të qëndrueshëm me një numër të madh punëtorësh. Përvoja e tij menaxheriale, puna e ndershme dhe përkushtimi ndaj komunitetit janë vlera që e bëjnë të veçantë”, ka thënë Gagica.
Sipas tij, është thënë se Ilmiu sjell në Gjilan modelin evropian të punës, disiplinës dhe zhvillimit afatgjatë – një model që funksionon dhe që mund të transformojë qeverisjen lokale.
Tutje thuhet se Ilmi Mustafa e njeh nga afër realitetin e mërgatës, por kurrë nuk është shkëputur nga vendlindja. Ai tani do të kontribuoj drejtpërdrejt në të ardhmen e qytetit tonë.
“Ilmi Mustafa nuk është vetëm një kandidat por është një mundësi reale për një Kuvend më të përgjegjshëm, më pragmatik dhe më afër qytetarëve.Na priftë e mbara”, ka thënë kreu i AAK-së, Nazim Gagica./GJILANI INFO/


