Kujdesi parësor shëndetësor në Komunën e Gjilanit funksionon përmes një rrjeti prej një QKMF-je, 12 QMF-ve dhe 9 Ambulancave të Mjekësisë Familjare, duke ofruar shërbime për qytetarët në zonat urbane dhe rurale. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë realizuar 94,930 vizita në mjekësinë familjare, ndërsa shërbimet e tjera shëndetësore kanë arritur në qindra mijëra. Në këtë intervistë flasim për gjendjen aktuale në QKMF, fluksin e pacientëve, sfidat gjatë verës, furnizimin me barna, shërbimin e urgjencës, kujdesin për të moshuarit dhe pacientët kronikë, si dhe investimet dhe projektet e reja, thuhet nga Drejtori Dr. Basri Kamberi
Gjilani INFO : Cila është gjendja aktuale e shërbimeve në QKMF të Gjilanit?
Basri Kamberi: Sa i përket fluksit të pacientëve, këtë vit nuk kemi pasur ndonjë rritje të madhe krahasuar me periudhat e mëparshme. Edhe përkundër kërkesave të shtuara sezonale për shërbime shëndetësore, situata është përballuar mirë falë angazhimit, profesionalizmit dhe organizimit të stafit shëndetësor. Ekipet tona kanë qenë të angazhuara në vazhdimësi për të siguruar ofrimin e shërbimeve në kohë dhe për të përballuar kërkesat e qytetarëve, duke ruajtur cilësinë dhe vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor. Në QKMF, QMF dhe AMF ofrohen shërbime të mjekësisë familjare, urgjencës dhe kujdestarisë, infermierisë, stomatologjisë, laboratorit, vaksinimit, barnatores, patronazhës dhe kujdesit shëndetësor në shtëpi, shërbimeve të shëndetit mendor, mamografisë dhe PAP testit. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë realizuar 94,930 vizita mjekësore në mjekësinë familjare dhe 301,350 shërbime shëndetësore. Në kujdestari janë realizuar 38,314 vizita dhe 104,003 shërbime shëndetësore, ndërsa laboratori ka kryer 177,679 analiza. Po ashtu, janë administruar 13,444 vaksina, janë ofruar 42,613 shërbime në barnatore, janë realizuar 413 mamografi dhe 326 PAP teste. Në muajin korrik janë realizuar edhe 25,272 vizita mjekësore dhe 115,177 shërbime të tjera shëndetësore.
Gjilani INFO: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballeni gjatë sezonit të verës?
Basri Kamberi: Gjatë sezonit të verës përballemi me disa sfida. Një ndër to është ngarkesa e shërbimit të urgjencës dhe kujdestarisë nga rastet jo urgjente, të cilat mund të trajtohen gjatë orarit të rregullt. Problem paraqesin edhe rastet kur qytetarët gjatë natës, fundjavave dhe festave paraqiten për infuzione, injeksione apo përpunim plagësh të përshkruara nga institucione të tjera shëndetësore. Kjo krijon ngarkesë shtesë për stafin dhe ndikon në konsumimin e barnave. Një sfidë tjetër është mungesa e printerëve në qendrat shëndetësore. Përkundër shtrirjes së Sistemit Informativ Shëndetësor, mungesa e pajisjeve të printimit bën që stafi të kryejë punë të dyfishtë, duke e përfunduar rastin në sistem dhe më pas duke përgatitur me dorë recetat dhe dokumentet për pacientin. Sfidë mbetet edhe sigurimi i mbulimit të plotë me mjekë në të gjitha QMF-të dhe AMF-të në zonat rurale, sidomos gjatë muajve të verës. Gjithashtu, thirrjet e urgjencës dhe të patronazhës për raste që nuk janë urgjente krijojnë ngarkesë të panevojshme dhe mund të ndikojnë në kohën e reagimit ndaj pacientëve që kanë nevojë reale për ndërhyrje. Një tjetër faktor është se QKMF-ja ofron shërbime edhe për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve të Novobërdës dhe për qytetarë nga Lugina e Preshevës që jetojnë në Gjilan. Kjo e rrit kërkesën për shërbime, ndërsa numri i stafit është përcaktuar sipas numrit të banorëve të Komunës së Gjilanit.
Gjilani Info : A ka rritje të numrit të pacientëve dhe si po menaxhohet kjo situatë?
Basri Kamberi: Po, ka rritje të numrit të pacientëve. Megjithatë, pavarësisht rritjes së kërkesës për shërbime, situata po menaxhohet përmes organizimit të punës në të gjitha njësitë e kujdesit parësor, funksionimit të kujdestarisë 24/7, riorganizimit të stafit sipas nevojave dhe prioritizimit të rasteve urgjente. Stafi shëndetësor është i angazhuar maksimalisht për të siguruar vazhdimësinë dhe cilësinë e shërbimeve, edhe pse gjatë kësaj periudhe përballet me ngarkesë të shtuar për shkak të fluksit të pacientëve dhe mungesave të përkohshme të stafit për shkak të pushimeve vjetore dhe mjekësore.
Gjilani INFO: Cilat janë rastet më të shpeshta gjatë sezonit të verës?
Basri Kamberi: Gjatë verës dominojnë rastet me të vjella dhe barkqitje, përfshirë edhe helmimet nga ushqimi. Shpesh paraqiten edhe raste me temperaturë, dhimbje fyti, simptoma të gripit të zakonshëm, lodhje dhe plogështi. Këto probleme mund të ndikohen edhe nga ndryshimet e mëdha të temperaturës, për shembull qëndrimi i gjatë në ambiente me ajër të kondicionuar dhe dalja më pas në temperatura të larta. U rekomandojmë qytetarëve të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin ndryshimet e menjëhershme të temperaturës dhe t’i kushtojnë vëmendje gjendjes së tyre shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe vërehet edhe rritje e rasteve të aksidenteve të komunikacionit, lëndimeve në vendin e punës dhe reaksioneve alergjike nga pickimet e insekteve. Një apel i veçantë është për sigurinë në komunikacion, sidomos gjatë periudhës kur në Gjilan ka rritje të numrit të automjeteve për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve nga diaspora.
Gjilani INFO: Si është situata e furnizimit me barna dhe materiale shëndetësore?
Basri Kamberi: Situata e furnizimit me barna dhe materiale shëndetësore në QKMF është e mirë. Aktualisht furnizimi me barna nga Lista Esenciale dhe me materiale shëndetësore është i qëndrueshëm dhe mundëson ofrimin e shërbimeve cilësore për pacientët. Furnizimi me barna nga Ministria e Shëndetësisë është në nivelin më të mirë që kemi pasur deri më tani. Furnizimi nga Lista Esenciale është më i qëndrueshëm dhe më i vazhdueshëm, gjë që ka ndikuar pozitivisht në cilësinë dhe vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor. Falë këtij furnizimi, pjesa më e madhe e nevojave të pacientëve mbulohet me barna nga Lista Esenciale.
Gjilani INFO: Sa janë të gatshme shërbimet urgjente në kuadër të QKMF-së?
Basri Kamberi: Shërbimi i urgjencës në kuadër të QKMF-së është plotësisht funksional dhe i gatshëm për ofrimin e kujdesit urgjent 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare. Ekipet kujdestare përbëhen nga mjekë, infermierë dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë dhe janë të gatshme të ofrojnë ndihmë për rastet që paraqiten në kujdesin parësor. Shërbimi është i pajisur me barna, materiale të nevojshme mjekësore dhe autoambulanca, ndërsa pacientët që kanë nevojë për trajtim të specializuar referohen në kohë në nivelin sekondar të kujdesit shëndetësor.
Gjilani INFO: A po funksionon sistemi i termineve dhe sa është efektiv për pacientët?
Basri Kamberi: Aktualisht, në QKMF ende nuk ka filluar zbatimi i sistemit të caktimit të termineve për pacientët. Ndërkohë, është duke u zbatuar Udhëzimi Administrativ Nr. 03/2024 – Bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore. Sipas këtij udhëzimi, me përjashtim të rasteve emergjente, qytetarët që kërkojnë shërbime jashtë zonës së tyre të banimit duhet të paguajnë 5 euro. Qëllimi është organizimi më i mirë i fluksit të pacientëve dhe shpërndarja më e barabartë e kërkesave në të gjitha njësitë e kujdesit parësor. Rastet emergjente vazhdojnë të pranohen dhe trajtohen menjëherë, pavarësisht zonës së banimit.
Gjilani INFO: Si po zhvillohet kujdesi për të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike?
Basri Kamberi: Kujdesi për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike po zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme, bazuar në parimet e mjekësisë familjare dhe kujdesit gjithëpërfshirës. Pacientët me hipertension, diabet, astmë dhe sëmundje të tjera kronike janë ndër kategoritë prioritare për kontrolle periodike, monitorim të gjendjes shëndetësore, rregullim të terapisë dhe këshillim. Në QMF “Ramiz Cërnica” funksionon Qendra e Diabetit, ndërsa për pacientët me vështirësi në lëvizje, të moshuarit dhe personat me gjendje kronike ofrohet edhe patronazha dhe kujdesi shëndetësor në shtëpi.
Gjilani INFO: A ka plane për ndryshim apo shtim të shërbimeve në të ardhmen e afërt?
Basri Kamberi: Po. Në kuadër të QKMF-së janë duke u planifikuar dhe zhvilluar iniciativa për zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, me qëllim që qytetarëve t’u ofrohen shërbime sa më afër vendbanimit. Një prej prioriteteve është zgjerimi i shërbimeve të promovimit dhe edukimit shëndetësor për sëmundjet kronike jo-ngjitëse, si hipertensioni, diabeti dhe astma. Pas funksionalizimit në QKMF, planifikohet që këto shërbime të ofrohen edhe në QMF Dardania dhe QMF “Ramiz Cërnica”. Planifikohet edhe fuqizimi i patronazhës dhe kujdesit shëndetësor në shtëpi për të moshuarit, pacientët kronikë, gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës 0–3 vjeç. Një zhvillim i rëndësishëm është edhe formimi i Këshillit të Pacientëve në QKMF, i cili synon të përfaqësojë zërin dhe interesat e pacientëve dhe të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve.
Gjilani INFO: Cilat janë investimet dhe projektet e fundit në QKMF dhe cili është mesazhi juaj për qytetarët?
Basri Kamberi: Ndër projektet dhe investimet e fundit është rregullimi dhe funksionalizimi i AMF-së së re në Uglar, projekt i cili është në fazën përfundimtare. Gjithashtu është bërë furnizimi me pajisje të nevojshme mjekësore, ndërsa gjatë këtij muaji planifikohet edhe furnizimi me aparate të reja të klimatizimit në barnatoret doracake dhe hapësirat ku ruhen produktet medicinale. Mesazhi ynë për qytetarët është që shërbimet mjekësore t’i kërkojnë gjatë orarit të rregullt në QKMF, QMF ose AMF-në më të afërt me vendbanimin e tyre. Kjo ndihmon në organizimin më të mirë të punës dhe shmang mbingarkimin e panevojshëm të shërbimeve. Gjatë kujdestarisë kërkojmë që qytetarët të drejtohen për ndihmë vetëm për raste urgjente. Shërbimi i urgjencës duhet të përdoret për rastet që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, në mënyrë që ekipet të mund të reagojnë me kohë te pacientët që realisht kanë nevojë. Edhe shërbimi i patronazhës duhet të kërkohet për pacientët që, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, nuk janë në gjendje të shkojnë në qendrat mjekësore. Në fund, kërkojmë nga qytetarët që gjatë paraqitjes për shërbime shëndetësore të kenë me vete dokumentin e identifikimit, ndërsa për fëmijët prindi ose kujdestari duhet të ketë dokumentin përkatës me numrin personal të fëmijës. Një përdorim i drejtë dhe i përgjegjshëm i shërbimeve shëndetësore, bashkëpunimi me personelin shëndetësor dhe respektimi i organizimit të punës kontribuojnë në një sistem më efikas dhe shërbime më cilësore për të gjithë qytetarët. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre dhe sigurojmë se ekipet shëndetësore do të vazhdojnë angazhimin maksimal për të ofruar kujdes shëndetësor profesional, të qasshëm dhe të vazhdueshëm./Gjilani INFO/


