Komuna e Gjilanit, përmes Njësisë për të Drejta të Njeriut, në bashkëpunim me Policinë, Qendrën për Punë Sociale dhe Avokatin e Popullit, organizoi një Ligjëratë Ndërgjegjësuese në ShFMU “Musa Zajmi”, në kuadër të fushatës për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore.
Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës që përfaqësuan të gjitha SHFMU-të e komunës sonë. Përmes diskutimeve të hapura, ata patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth këtij fenomeni, formave që merr ai, mënyrave të identifikimit të rasteve të mundshme dhe rëndësisë së raportimit tek institucionet përgjegjëse.
Përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse ndanë përvoja konkrete nga terreni, duke theksuar se parandalimi fillon me vetëdijesim – me informim të të rinjve, familjeve dhe komunitetit për rreziqet që fshihen pas këtij fenomeni dhe rëndësinë e kujdesit të ndërsjellë.
Nxënësit treguan interesim të madh, shtruan pyetje, ndanë mendime dhe ide për mënyra se si secili prej nesh mund të kontribuojë në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të ndërgjegjshëm për të gjithë.
Takimi u përmbyll me një mesazh të fuqishëm:”Të gjithë kemi një rol në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore – duke ngritur zërin, duke vepruar me përgjegjësi dhe duke mbështetur njëri-tjetrin”./Gjilani INFO/




