Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava, Ymer Salihu, ditë më parë, kishin nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme. Marrëveshja e parë ka të bëjë për shërbimet e ujësjellësit dhe ujërave të ndotura. Ndërsa e dyta ka të bëjë me marrëveshjen e bashkëpunimit për financimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Cernicë të Komunës së Gjilanit.
“Cërnica me sistem ujësjellësi, sipas projektit me vlerë mbi 750.000 euro”, tha Alban Hyseni.
Më tej kryetari tregoi se përveç buxhetit të siguruar nga Ministria e Ekonomisë, edhe komuna do të participojë me mbi 250 mijë euro.
“Ditë për ditë, fshat për fshat, për sisteme ujësjellësi deri në fshatin e fundit”, tha kryetari Hyseni.
Ndërsa kryeshefi ekzekutiv, Ymer Salihu, vlerësoi përkushtimin e komunës për të avancuar projektet e rëndësishme infrastrukturore në rrjetin e ujësjellësit.
Ai siguroi se KRU Hidromorava do të vazhdojë të punojë me përkushtim të plotë për të realizuar projektet e parapara dhe për të ofruar shërbime cilësore për të gjithë konsumatorët e KRU Hidromorava Sh.A Gjilan. /GJILANI INFO/