Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti është pritur sot në takim nga z. Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Gjatë këtij takimi dy kryetaret kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në mes komunës së Vitisë dhe asaj të Tearcës. Sipas këtij dokumenti, memorandumi i bashkëpunimit ka për qëllim bashkëpunimin ndërkombëtarë të qëndrueshëm ndërmjet komunës së Vitisë dhe të Tearcës.
Gjithmonë sipas këtij dokumenti në kuadër të këtij bashkëpunimi ndërkombëtar, do të realizohen objektivat e parapara në kuadër të fushave të partneritet të qëndrueshëm në fushën e kulturës, rinisë, sportit, zhvillimit mjedisor, ekonomik, bujqësorë dhe të tjerë. Sipas memorandumit në fjalë dy kryetarët janë zotuar edhe për inicimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta në zhvillim ekonomik, mbrojtjen e mjedisit por edhe të shkëmbimit të përvojave në fushën e zhvillimit të bujqësisë, menaxhimit të mbeturinave, menaxhimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet si dhe fushat të tjera që janë në interes të qytetarëve të komunës së Vitisë dhe të Tearcës./GJILANI INFO/