Në kuadër të edicionit të 20 të festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”, në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashtica” në Preshevë u dha komedia “Njeriu që pa vdekjen me sy”, nga Teatri i Gostivarit.
Regjia u bë nga Elmir Sejfullahi, me autor Viktor Eftimiu, seknografi të Enes Dearit dhe për kostumet u kujdes Emira Ymri. Para publikut të Luginës së Preshevës dhe atyre nga të gjitha viset shqiptare, luajtën Driton Lazami, Besian Sylemjani, Arian Ejupi, Kujtime Ahmeti, Afrodita Xhaferi Krasniqi dhe Besnik Rushiti,
Shfaqja solli në skenë një përplasje të fortë njerëzore dhe filozofike mes dy botëve, asaj të pasurisë dhe të mjerimit.
Një zotni i pasur, i zhgënjyer nga jeta dhe i etur për kuptimin e saj, shpëton një vagabond nga vetëvrasja. Ajo që nis si një akt mëshire, shndërrohet në një duel të mprehtë fjalësh dhe ideologjish, ku ironia dhe dramatizmi zbulojnë absurditetin e ekzistencës.
Kjo mbetet një reflektim i thellë mbi jetën, vdekjen dhe kufijtë e lirisë njerëzore – një thirrje për të parë përtej iluzioneve të përditshmërisë dhe për të pyetur veten: çfarë do të thotë të jesh vërtet gjallë./Gjilani INFO/


