Shpendi Topollaj
Nuk dua të zgjatem në këtë shkrim, duke kujtuar poshtërsitë e dhelpëritë e diplomacisë evropiane që në kundërshtim me realitetin, dëshirën, sakrificat, përpjekjet dhe deri luftërat e shqiptarëve për liri e bashkim kombëtar, lanë jashtë trojeve tona Kosovën dhe Çamërinë, pa folur për treva të tjera historikisht shqiptare.
Nuk do të ndalem as te momenti i aneksimit të Kosovës Mbretërisë Shqiptare në vitin 1941, pasi ashtu i leverdiste Viktor Emanuelit të tretë, gjë që nuk e ndryshuan as pushtuesit nazistë. Po ashtu, nuk dua ta lodh lexuesin me lënien e Kosovës nga ana e komunistëve shqiptarë, nën tutelën e Jugosllavisë së Titos.
Ajo që më detyron të ngre zërin si qytetar i këtij vendi është e vërteta e trishtueshme se përse edhe sot e kësaj dite, kur Kosova është shtet që fitoi pavarësinë e vet pasi iu kundërvu trimërisht, diskriminimit, reprezaljeve, krimeve, vrasjeve, djegieve, përzënieve masive, pra, gjenocidit të bishave të Sllobodan Millosheviqit, e ndihmuar energjikisht nga forcat e NATO-s dhe kur ajo është njohur nga shumë e shumë shtete me peshë në politikën dhe ekonominë e botës mbarë, diplomacia ndërkombëtare dhe kryesisht ajo evropiane heshtin për bashkimin e saj me atdheun amë.
Por, sot, kur pas 17 shkurtit të 2008-ës ka kaluar një kohë e gjatë dhe populli kosovar ka treguar me vepra se di të vetëqeveriset me dinjitet e qytetari si të gjithë vendet e tjera, përse nuk i jepet mundësia të ushtrojë të drejtën e një plebishiti për të shfaqur dëshirën e të ardhmes së vendit të tyre, e cila e thënë troç; është ajo e bashkimit me Shqipërinë.
Kjo është krejt normale dhe askujt nuk i ka prishur ndonjë punë. Po të jetë e bashkuar edhe Kosova me Shqipërinë, jo vetëm që do të ndreqej padrejtësia flagrante njëshekullore, por shumë më mirë do të edhe për stabilitetin e Ballkanit. Në qoftë se ende mendohet gabimisht se kështu do t’i zbusim e tërheqim nga vetja serbët, duke i larguar ata nga ndikimi rus, kjo do të ishte naive.
Dhe, kur flas për politikanët, kam parasysh edhe ata të Kosovës, si dhe intelektualët në përgjithësi, të cilët duhet ta thonë fjalën e tyre sa më shumë, pasi janë edhe të zhveshur nga interesat apo ambiciet për pushtet. Duket se të dyja palët e burrashtetasve tanë, pra, andej e këndej kufirit absurd, janë pajtuar me këtë situatë, pra, me shtëpinë e ndarë më dysh, e cila vështirë të qëndrojë në këmbë, siç shprehej Presidenti Abraham Linkoln në 17 qershor të vitit 1858 në Springfild të Ilinoisit.
Ai bashkim nuk u bë kur u derdh gjaku lumë e jo siç po gënjejmë veten, nga dashamirësia e atyre që aktualisht luajnë me ndjenjat e kosovarëve duke i lënë të vetmit në Evropë, që nuk mund të lëvizin pa viza. Ai bashkim nuk u arrit pas Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, kur vendi kishte trima të mençur e të çartur, nuk u arrit në vitin 1912 kur u shpall Pavarësia, po ashtu mbeti në letër pas Konferencës së Bujanit në janar të vitit 1944, kurse tani do na bjerë nga qielli.
Përkundrazi, thellohet ndarja duke vendosur trarë pagesash, përçahen drejtuesit e Kosovës me qëndrime të njëanshme, kacafyten me ta me akuza, sharje e fyerje duke ju drejtuar edhe gjyqeve, ndërkohë që koketohet me Vuçiqin që e quajnë mik të tyre dhe me të cilin kërkojnë bashkëpunim në një Ballkan të hapur, pa dëshirën e vetë Kosovës, dhe nuk shprehen edhe kur ky i fundit kërkon e sajon pretekste të pa arsyeshme për t’i fajësuar kosovarët për dështim bisedimesh etj. Po diplomacia jonë përse nuk është më aktive në punën e saj për shtimin e numrit të vendeve që e njohin shtetin e pavarur të Kosovës? Ajo duhet ta kuptojë se kjo është për të detyrë e dorës së parë.
Nga ana tjetër, edhe shqiptarët e kanë treguar dashurinë për vëllezërit e motrat e Kosovës qartazi, kur hordhitë fashiste serbe i përzunë ata me dhunë nga Dardania e tyre mijëravjeçare, pra, shumë më parë nga mbretërimi i Longarit, Monunit e Batos. Po kalojnë disa breza dhe shqiptarët presin e presin të bëhet bashkimi. Po nga kush do të vijë ky bashkim, po nuk u përpoqëm vetë ne? Humbet kohë për negociata të kota midis Kosovës e Serbisë, të cilat nuk të çojnë askund në vend që këto negociata të bëhen mes Shqipërisë e Kosovës për të gjetur modalitetet e bashkimit tonë. Ne, edhe në preambulën e Kushtetutës tonë e kemi të shkruar:
Pra, kur edhe me ligjin themelor e kemi të sanksionuar synimin për bashkim kombëtar, çfarë na pengon për ta kërkuar me këmbëngulje dhe arsye atë? Kjo çështje, për mendimin tim, duhet të jetë permanente dhe ta kenë në qendër të shqetësimit të tyre politikanët, akademikët, institucionet, mediat vizive dhe të shkruara me gjithë gazetarët dhe opinionistët e tyre dhe patjetër intelektualët e pavarur andej e këndej kufirit.
“Mbretëria jote është ndarë dhe u është dhënë Medejve”. Por që nga ajo kohë kanë kaluar mbi 2.500 vjet. Me bashkimin e trojeve shqiptare edhe Evropa e vë në vend nderin e saj. Politikanët që e përfaqësojnë atë, pa tjetër e dinë konstatimin e Martin Luther King Jr. se “Nëse diku ka padrejtësi, ajo është kërcënim për drejtësinë kudo”. Ne shqiptarët kemi besim te drejtësia e historisë. Por duhet ta kujtojmë atë!