Nderimi për të rënët për liri, me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, ka shënuar nismën simbolike të Manifestimin Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026”, i 35-ti me radhë, që organizohet nën përkujdesjen e Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, bashkë me Familjarë të Dëshmorëve, Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, deputetë, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues politik e të tjerë, pasi bënë homazhe, ka thënë se sot po e fillojnë manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”, me shumë aktivitete përkujtimore dhe kulturore në nderim të dëshmorëve, për ta ruajtur traditën dhe mbajtur gjallë flakën e lirisë dhe të kujtesës.
“Me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve nisëm edicionin e 35-të të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”. Bashkë me familje të dëshmorëve, veteranë të luftës, shoqata të OVL-UÇK-së dhe përfaqësues institucionesh, nderuam të rënët që u flijuan në altarin e lirisë. Vepra dhe sakrifica e tyre do të kujtohet gjithmonë ndër breza. Lavdi Dëshmorëve të Kombit”, ka thënë kryetari Hyseni.
Më pas, është bërë një vizitë në Kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), në Gjilan, ku drejtuesit e komunës dhe të tjerë janë pritur nga Komanda e Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së FSK-së, në krye me komandantin, nënkolonel Arben Avdyli, i cili u shpreh i nderuar që vizitohen në këtë ditë të shënuar dhe ka njoftuar për angazhimet ushtarake të këtij regjimenti.
Nga ana e tij, i pari i Gjilanit, Alban Hyseni tha se ndihet i lumtur për këtë vizitë në kazermë, veçanërisht sot kur po e fillojnë Manifestimin e “Flakës…”, që organizohet në nderim të atyre që dhanë jetën për liri, e që është një lloj përkujtimi i përvitshëm, për ta bartë mesazhin brez pas brezi, për përpjekjet dhe sakrificat për liri.
Përndryshe, agjenda e “Flakës së Janarit 2026”, për ditën e sotme vazhdon tutje, ku në mbrëmje parashihet të kemi defile dhe të bëhet edhe Ndezja e Flakadanit të “Flakës së Janarit…”, përcjellë nga Orkestra Frymore “Selman Vokshi”./Gjilani INFO/















