Manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, që po organizohet nën patronatin e kryetarit të komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka vazhduar tutje rrjedhën e saj me ecjen tradicionale në nderim të të rënëve për liri, organizuar nga Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste ” Gjilani”, nga Komuna e Gjilanit, dhe Klubi Alpin “Dardanët”, nga Komuna e Kamenicës, mbështetur edhe nga klubet tjera bjeshkatare dhe alpine nga trojet shqiptare.
Pjesëmarrës të shumtë si dhe shoqëritë bjeshkatare realizuan këtë ecje nderuese e përkujtuese për heronjtë që ka si qëllim ruajtjen e kujtimit dhe vlerësimi të sakrificave të heronjve, duke u dhënë mundësinë brezave të rinj të kuptojnë rëndësinë e trashëgimisë dhe kulturës kombëtare.
Ky aktivitet i “Flakës…”, në kujtim të Heronjve të Kombit, Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut, e që nga organizatorët vlerësohet edhe si “ecje prej nga buron liria”, nisi me një fotografim të përbashkët te shtatorja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës në Gjilan.
Pjesëmarrësit kanë vazhduar drejt Kamenicës për tu bashkuar me të tjerët, pastaj drejt Kapisë në Sfircë prej ku nis marshimi deri te Kulla e Nuhi Berishës. Pas kthimit te Kapia, ecja ka vazhduar deri te Kulla e Rexhep Malës në Hogosht, pastaj deri te Kulla e Kadri Zekës në Poliçkë, që edhe e ka përmbyllur shtegun e ecjes.
Ky aktivitet ishte nderim ndaj sakrificës dhe një dëshmi se “Flaka e Janarit” vazhdon tutje flakërimin e saj, vit pas viti, derisa aktiviteti i radhës është paraparë më 24 janar kur kemi në orar: Tryezën Letrare “Pena e Flakës” (ora 12:00), e në mbrëmje nis Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, që mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjilanit./Gjilani INFO/










