Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit e ka mbyllur gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 me një bilanc që drejtuesit e tij e vlerësojnë pozitiv. Mbi 68.800 kontrolle specialistike, rreth 6.900 pacientë të hospitalizuar, investime në infrastrukturë, përurimi i Hemodializës së re, fillimi i ndërtimit të Pediatrisë dhe digjitalizimi i shërbimeve specialistike janë ndër zhvillimet kryesore të kësaj periudhe.
Në këtë intervistë për Gjilani Info, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan. Dr Afrim Cana flet për arritjet, sfidat, investimet, cilësinë e shërbimeve dhe planet që pritet të realizohen deri në fund të vitit.
Gjilani Info: Si e vlerësoni punën e bërë në Spitalin e Përgjithshëm Gjilan gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti?
Afrim Cana: Në fillim të vitit analizuam rezultatet e vitit paraprak, identifikuam sfidat dhe hartuam planin e punës për vitin 2026. Gjashtëmujorin e parë e vlerësojmë si një periudhë shumë të suksesshme, falë angazhimit të madh të stafit shëndetësor dhe administrativ.
Pavarësisht sfidave të përditshme, kemi realizuar mbi 68.800 kontrolle specialistike dhe kemi hospitalizuar mbi 6.900 pacientë. Menaxhmenti ka punuar vazhdimisht për përmirësimin e organizimit të punës, infrastrukturës dhe kushteve të trajtimit, me synimin që çdo pacient të marrë shërbim profesional dhe në kohë.
Gjilani Info: Cilat kanë qenë arritjet më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe?
Afrim Cana: Një nga projektet më të rëndësishme është vendosja e gurthemelit të objektit të ri të Pediatrisë, një investim që do të përmirësojë ndjeshëm kujdesin për fëmijët në gjithë rajonin e Anamoravës.
Po ashtu, kemi përuruar objektin e ri të Hemodializës, me sipërfaqe mbi 800 metra katrorë, i ndërtuar sipas standardeve evropiane. Pacientët tashmë trajtohen në kushte shumë më të mira, ndërsa ky shërbim mbetet një nga prioritetet tona.
Një tjetër arritje është fillimi i skriningut neonatal në Spitalin e Gjilanit, si dhe organizimi i kontrolleve falas për melanomën në kuadër të fushatës sensibilizuese kundër kancerit të lëkurës.
Gjithashtu, kemi digjitalizuar të gjitha shërbimet specialistike ambulatore, gjë që na mundëson monitorim në kohë reale të të dhënave dhe menaxhim më efikas të shërbimeve.
Gjilani Info: Me cilat sfida jeni përballur?
Afrim Cana: Fluksi i madh i pacientëve, veçanërisht në Ortopedi, mungesa e specialistëve në disa profile dhe rritja e kërkesës për shërbime kanë qenë sfidat kryesore.
Megjithatë, me mbështetjen e SHSKUK-së kemi arritur të punësojmë tetë mjekë specialistë: tre urologë, dy ortopedë, dy pulmologë dhe një radiolog, duke përmirësuar kapacitetet tona profesionale.
Gjilani Info: Cilat investime janë realizuar dhe çfarë ndikimi kanë pasur?
Afrim Cana: Kemi investuar në infrastrukturë, pajisje mjekësore dhe përmirësimin e kushteve të punës. Janë rregulluar hapësirat spitalore, është zgjeruar parkingu dhe hyrja kryesore, ndërsa vazhdojmë furnizimin me pajisje të reja diagnostikuese dhe terapeutike.
Këto investime kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve, uljen e kohës së pritjes, përmirësimin e kushteve për pacientët dhe stafin, si dhe në rritjen e efikasitetit në diagnostikim dhe trajtim.
Gjilani Info: Si e vlerësoni cilësinë e shërbimeve?
Afrim Cana: Cilësia mbetet prioriteti ynë kryesor. Kemi investuar në ngritjen profesionale të stafit dhe synojmë që çdo pacient të trajtohet me profesionalizëm, dinjitet dhe përgjegjësi.
Aktualisht, shfrytëzueshmëria e kapaciteteve spitalore është 62.5 për qind, ndërsa kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të pacientëve në spital është 4.8 ditë, tregues që dëshmojnë një menaxhim të mirë të kapaciteteve.
Gjilani Info: Cilat janë prioritetet deri në fund të vitit?
Afrim Cana: Prioritetet tona janë përfundimi i projekteve infrastrukturore, vazhdimi i punimeve të projektit LuxDev në objektin kryesor të spitalit, sigurimi i pajisjeve të reja mjekësore, plotësimi i stafit, zgjerimi i shërbimeve specialistike, vazhdimi i digjitalizimit dhe riorganizimi i shërbimeve sipas nevojave të pacientëve.
Gjilani Info: Cili është mesazhi juaj për qytetarët?
Afrim Cana: I falënderoj qytetarët për besimin që kanë treguar ndaj Spitalit të Përgjithshëm Gjilan. Falënderim të veçantë meritojnë edhe të gjithë profesionistët shëndetësorë për punën dhe përkushtimin e tyre.
Pacientëve u garantojmë se do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ofruar shërbime sa më cilësore, humane dhe profesionale. Synimi ynë është që Spitali i Përgjithshëm Gjilan të jetë një institucion modern, i besueshëm dhe gjithmonë në shërbim të shëndetit të qytetarëve./Gjilani INFO/


