Arsim Kastrati
Një ndër dëmet më të mëdha që i janë bërë Kosovës pas lufte është dështimi i shfrytëzimit të thëngjillit, me të cilin nëntoka e saj është shumë e pasur.
Ky dëm u bë në rend të parë nga politikanët e saj shkurtpamës dhe egoist, nga ndërkombëtarë të cilëve s’mund t’ua zëmë për të madhe pse s’u kujdesën për mirëqenien e vendit tonë por, edhe nga një dorë e papjekur e shoqërisë civile, e etur për protagonizëm dhe shërbëtore e politikës dhe tregtarëve matrapaz.
Episodi më i pafat i këtyre zhvillimeve të pafavorshme për zhvillimin dhe fuqizimin energjetik të Republikës së Kosovës, ishte refuzimi i marrëveshjes me firmën amerikane Contour Global për ndërtimin e një termocentrali modern të prodhimit të rrymës nga thëngjilli, i cili do ta forconte tej mase fuqinë dhe pavarësinë energjetike të Republikës sonë.
Sot Kosova nuk do të blente por do të eksportonte rrymë elektrike, sot qytetarët saj nuk do të ankoheshin (me të drejtë) për shtrenjtimin e rrymës.
As Europa vet nuk arriti ti mbyllë termocentralet me lëndë fosile, disa vende i kanë hapur përsëri pasi që i patën mbyllur për një kohë, për të prodhuar rrymë elektrike me metoda më ekologjike.
Ndërsa Franca prodhon rrymë në centrale bërthamore neve nuk na ra ndërmend se nuk mundemi shpejt e shpejt ti zhvillojmë alternativat ekologjike, se flemë mbi thëngjill dhe se opsioni më i mirë është zëvendësimi i impiantit të vjetruar me një termocentral modern, i cili do të ndot’te më pak ambientin dhe do të na mbushte me energji.
Pa energji nuk ka zhvillim, pa energji nuk ka as pavarësi.
Por, menduan mbase politikanët tanë se më mirë ishte ti mbushnin xhepat e tyre me para, edhe nëse një akt i tillë do të thoshte ta lësh Kosovën të blejë rrymë prej shteteve tjera dhe Serbisë e me gjasë, më së shumti prej saj?!
Ta lejosh Kosovën të varur energjetikisht dhe të varfër ekonomikisht, kur ke përgjegjësi politike dhe obligim shoqëror e gjenetik të veprosh ndryshe, është tradhti! /GJILANI INFO/


