Organizata Jo-qeveritare Dardanapress, në kuadër te projektit “Ngritja e transparencës Komunale dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje”, ka organizuar një tryezë përmbyllëse lidhur me prezantimin e raportit te monitorimit të Kuvendit Komunal në Kamenicë.
Në këtë prezantim kanë marrë pjesë: Kryetari Komunës Kadri Rahimaj, Kryesuesi i Kuvendit Liridon Kastrati, anëtarët e Kuvendit Komunal, Drejtorët e Drejtorive Komunale, zyrtarja për barazi gjinore, qytetarë, anëtarët e Handikosit, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe mediat lokale.
Drejtori ekzekutiv, projekt menaxheri Sherafedin Vranja ka prezantuar raportin e monitorimit të Kuvendit Komunal në Kamenicë.
“Gjatë periudhës së monitorimit Qershor-Shkurt 2023, organizata Dardanapress ka monitoruar punën e Kuvendit Komunal, dhe raporti i përgatitur nga stafi i Dardanapressit, pasqyron gjetjet kryesore, analizat dhe rekomandimet e dala nga monitorimi i punës dhe përformancën e anëtarëve të Kuvendit. Gjatë kësaj periudhe janë monitoruar nga afër Kuvendi Komunal, Komiteti për Politikë dhe Financa, Komiteti për Komunitete. Në raport paraqitet progresi, por edhe mangësitë që janë vërejtur gjatë periudhës së monitorimit nga monitoruesi i Dardanapress-it. ”, ka thënë Vranja.
Kryetari i Komunës Kadri Rahimaj në fillim të tryezës është shprehur se për ekzekutivin është më rëndësi të rrisim nivelin e përformancës duke promovuar brendin e emrit të Komunës së Kamenicës tashmë të njohur në Kosovë për nivelin e lartë të transparencës. Ai tha se sa i përket raportit të monitorimit të Kuvendit Komunal është gjithëpërfshirës.
“Të gjitha të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga ky raport duhen të jenë obligim i ekzekutivit dhe legjislativit në përmbushjen e obligimeve të dala nga raporti,” ka thënë kryetari Rahimaj.
Ndërsa Kryesuesi i Kuvendit Komunal Liridon Kastrati duke falënderuar stafin e OJQ Dardanapress për punën dhe angazhimin e treguar gjatë monitorimit të Kuvendit theksoi se raporti është real dhe paraqet gjendjen faktike të punës së Kuvendit.
“Ne mendojmë se ky raport do ta përmirësojë dukshëm angazhimin dhe përformancën e anëtarëve të Kuvendit duke u angazhuar që së bashku me ta t’i marrim parasysh gjetjet dhe rekomandimet e dala nga ky raport në mënyrë që t’i zbatojmë gjatë mbajtjes të mbledhjeve të Kuvendit”, ka thënë ai.
Organizata Joqeveritare Dardanapress, në raport ka pasqyruar dhe analizuar në mënyrë të përgjithshme përformancën si dhe angazhimet e anëtarëve të Kuvendit dhe komiteteve, subjekteve politike në kategoritë të paraqitura: Pjesëmarrja në diskutime gjatë seancës, ngritja e çështjeve, inicimi i çështjeve urgjente, propozimi pikave të rendit të ditës, pyetje parlamentare, amandamentimi i legjislacionit, kërkesa për interpelancë.
Ky projekt është financuar nga programi i KCSF-së për mbështetje të shoqërisë civile “EJA Kosovë “,bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh te Luksemburgut./GJILANI INFO/