Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Gjilan, Arbër Ismajli, e që është edhe kandidat nga ky subject politik për kryetar komune, në zgjedhjet e 12 tetorit, ka thënë se “Bulevardi i Qytetit” është mashtrimi elektoral i radhës i kësaj qeverisje e cila projektet reale, përveç se në letër, nuk ka ditur të bëjë për 4 vite qeverisje.
“Qytetarët janë dëshmitarët më të mirë që për 4 vite, asnjë projekt nuk është përfunduar. Ato që kishim lënë gati nuk i kanë prekë. Vetëm prezantime në 3D, mashtrime të kota dhe fjalë boshe të cilat kësaj radhe nuk do t’iu “dhezin””, ka thënë Arbër Ismajli nga Lidhja Demokratike, Dega në Gjilan.
E, sipas tij, është thënë se projektet e papërfunduara janë: Stadiumi i qytetit, Autostrada e Anamoravës, Impianti i ujërave të zeza, Unaza e madhe e qytetit, Rruga e Prishtinës, Palestra “Bashkim Selishta”, Palestra në Zhegër, Rruga “Hamdi Kurteshi”, Rruga e Zabelit, Rruga e Kumanovës.
“Rrugët anë e mbanë qytetit janë katastrofë. Në shkolla mungojnë elementet bazike për mësim, dhe për skandal, administrata po zhvendoset në objekte shkollore, duke penguar nxënësit dhe mësimdhënësit”, ka thënë Ismajli.
Ndërkaq, ka thënë se dështimet e qeverisjes aktuale janë: Keqmenaxhim i financave publike, Mungesë transparence dhe komunikimi me qytetarët, Dështime në shëndetësi dhe arsim, Nepotizëm dhe punësime partiake, Bllokim i zhvillimit të PZHK-së, Mungesë planifikimi dhe zhvillim urban.
“Premtimeve boshe po ju vjen fundi! Qyteti ynë ka nevojë për veprime konkrete, për rrugë të shtruara, shkolla funksionale dhe shëndetësi që punon për njerëzit. Koha e mashtrimeve ka mbaruar. Qytetarët do të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Është koha që qyteti të ringrihet, të ecë përpara dhe të mos kthehet më pas. Zgjidhja është në duart tuaja”, ka thënë Arbër Ismajli, i cili synon postin e kreut të komunës në cilësinë e kandidatit nga LDK-së për kryetar komune në zgjedhjet e 12 tetorit./GJILANI INFO/


