Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me disa prej përfaqësueve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, këshilltaren e Kurtit, Ardita Sinanin dhe kreun e Komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimajn ka qëndruar në pikëkalimin kufitar te Dheu i Bardhë.
Ai tha se kanë diskutuar për ndërtimin e autostradës së Gjilanit nga Bresalci deri te Dheu i Bardhë, teksa tha se kjo do të shërbejë që të jetë më e lehtë lidhja me Luginën, raporton Zeri.info.
“Bashkë me Arditën, Hysin, Kadriun dhe Ragmiun u takuam me Shaip Kamberin, bartësin e Listës së subjekteve të bashkuara shqiptare ‘Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon – Shaip Kamberi’, për t’i shprehur mbështetjen tonë dhe për t’i bërë thirrje secilit shqiptar nga Lugina që të votojë këtë listë që paraqet rezistencën kryesore ndaj një regjimi antishqiptar, autoritar dhe jodemokratik siç është ky aktual në Serbi”, shkroi ai në një postim në Facebook. /Zëri


