Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan ka mbajtur tryezën me temë ”Aleanca për Ujin”.
Në fjalën e tij hyrëse, kreu i AAK-së, Dega në Gjilan, Nazim Gagica, tha: ” Kryetari Haradinaj dhe ekspertë të shumtë në kuadër të degës dhe qendra, me seriozitetin më të madh i qasen problematikës për ujë. Andaj, edhe në komunën e Gjilanit me Aleanca ka mundesi konkrete për zgjidhjen e këtij problemi, i cili gjindet në programin qeverisës që ofrohet nga Aleanca dhe kandidati për kryeministër, ish kryeministri që ktheu vëmendjen nga qendra në Gjilan, Ramush Haradinaj”.
“Bashkë do ta bëjmë Gjilanin një komunë të jetueshme dhe pa probleme me ujin dhe problemet tjera”, ka thënë Gagica.
E, në fjalën kryesore, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se uji është jetë, dhe sot në Gjilan po diskutojnë për të ardhmen e këtij resursi jetik për vendin tonë. Qytetarët e Kosovës meritojnë furnizim të pandërprerë me ujë të pastër – pa njoftime se uji i këtij apo atij liqeni nuk është i pijshem, jo reduktime dhe pasiguri për nevojat bazike.
“Programi ynë parasheh investime madhore në shtatë diga të reja, nga Manastirica në Prizren deri në Desivojcë të Kamenicës. Për Gjilanin, kemi tre zgjidhje konkrete në studim: pendën në Moravën e Binçës, në Llapushnicë, apo në rrjedhën e Lepencit. Do të zgjedhim alternativën më të mirë, që i shërben qytetarëve për dekada”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm furnizimi – duhet të mbrojmë edhe cilësinë e ujit. “Impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura në Prizren, Pejë dhe Gjakovë janë vetëm fillimi. Do të përshpejtojmë projektet në Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë, si dhe do të ndërtojmë impiante të reja në komunat më të vogla. Sistemet e menaxhimit të ujërave atmosferike do të parandalojnë vërshimet dhe do të mundësojnë ripërdorimin e ujit për bujqësi dhe industri”.
“Ky vizion për menaxhimin e ujit nuk është thjesht një premtim – është garanci për zhvillim ekonomik, mbrojtje mjedisore dhe cilësi më të mirë jetese për çdo qytetar të Kosovës. Derisa të tjerët flasin, ne veprojmë me plan konkret për të ardhmen e sigurt të resurseve tona ujore”, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ndërkaq, Mumin Morina koordinator i departamentit për ujë dhe politika mjedisore në kuadër të AAK-së, ka prezantuar programin qeverisës për ujin. Ai para atyre që ishin të pranishëm ka shpalosur alternativat e këtij subjekti politik për zgjidhjen e kësaj problematike.
Pati mandej edhe diskutime nga disa pjesëmarrës lidhur po me këtë problematikë të cilën AAK e ka në program e saj për të bërë zgjidhjen./GJILANI INFO/






